Kolumnist

SPAK, drejtësia e re apo kobure e Kryeministrit? - Nga Ilir Gjini

SPAK, ose ajka e “ajkës” së vetinguar të drejtësisë së re, më më fund ka filluar të shfaqet në skenë. Arrestimi i ish-ministrit Koka po vetëpropagandohet nga SPAK si “veprime hetimore & arritje të karakterit historik”?! Se ku janë këto arritje historike e spektakolare vetëm SPAK mund ta dijë, pasi deri tani SPAK ka lëvizur shumë kohë pas denoncimeve spektakolare të gazetarëve të “BIRN”, opozitës dhe portaleve mediatike. Pasi jo vetëm era e keqe ndihej nga kilometra larg, po siç thotë populli edhe “muti u bë mullar” e nuk shkon dot pa shkelur në të, SPAK vendosi të bëjë një show duke arrestuar ish-ministrin Lefter, për të lënë në terrin e “kalendave greke” të vërtetën. Pse?

Sepse faktet ulëritëse ishin në tavolinën e SPAK që prej gati dy vitesh dhe u “harruan” derisa të mbaronin zgjedhjet. Ndërkohë që Lefter Lefteri, më falni Koka, krejt papritur dha dorëheqjen nga mandati i deputetit?! Çuditërisht edhe drejtoresha e Prokurimeve Publike në Ministrinë e Brendshme Edlira Naqellari u shkarkua nga detyra vetëm pak ditë para se SPAK t’i vinte prangat?! Mos vallë edhe kjo është rastësi, apo para se të veprojë, SPAK informon dhe merr orientime nga Kryeministri?

Deri tani SPAK ka shërbyer vetëm si një dekor i drejtësisë së re. Për dosjen korruptive të Ministrisë së Shëndetësisë ku blerjet ishin bërë me tre-fishin e çmimit të tregut dhe tenderi iu dha një kompanie që merrej me blerje kompiuterash, SPAK u mjaftua me disa këshillime të tipit “dënim me punë korrektonjëse dhe autokritikë para këshillit të lagjes”. Për denoncimin e guximshëm të gazetarëve të Lapsi.al për patronazhistët që përdornin të dhënat që qytetarët i kishin mirëbesuar shtetit përmes portalit E-albania, SPAK nuk pati guximin të hetonte apo të sekuestronte disa kompiutera të Partisë Socialiste, çka do t’i shumëzonte me zero zgjedhjet.

Rreth 200 vite më parë, tregimtari dhe dramaturgu i madh Çehov shkruante: “edhe nëse diku në një qoshe jo shumë të dukshme të dekorit skenik vendoset një kobure, në fund të spektaklit ajo patjetër duhet të qëllojë!”

Për të gjitha faktet e bëra publike, a po vepron SPAK si ajka e drejtësisë se re apo si kobure në dorë të Kryeministrit?

Fakteve uluritëse të bëra publike nga media dhe opozita, Kryeministri me karshillëk iu kundërvu duke vazhduar dhënien e parave publike, ndërsa në inceneratorin e Elbasanit mbodhi PS-në për të propaganduar “parajsën” e arritjeve rilindase. Mos kemi të bëjmë këtu me miopi të Kryeministrit apo me të paktën shpërdorim detyre nga ana e tij?

Sepse hirësia e tij, kishte në dorë edhe gurin edhe arrën për të goditur me kohë këtë aferë korruptive. Në të gjithë institucionet shtetërore vepron auditi i brendshëm që kontrollon edhe faturat e hoteleve të nënpunësve. Si ka mundësi që ky audit nuk veproi për këtë mega aferë korruptive me miljona euro të dhëna qesim një firme të krijuar me urgjencë me vetëm 1 milion lekë kapital?

Pak kohë para zgjedhjeve Kryeministri deklaroi me solemnitet se hajdut dy metra nuk ka. Edhe Lefter Incenerator Koka, nuk duket i shkurtër. Madje për shqiptarët mund të quhet një burrë i gjatë. Vetëm se SPAK kur bën arrestimet për veprën penale të korrupsionit, krahas fakteve uluritëse përdor edhe metrin si etalon të drejtësisë.

Për SPAK-un hajdut dy metra nuk ka. Mjerë ju o të shkurtër!

Mesa duket, pas buzëqeshjeve të sforcuara të ambasadores për sukseset e drejtësisë së re, SPAK ka vendosur të mohojë qënien dekor dhe të qëllojë si kobure e Kryeministrit.

©Ilir Gjini