Gazetarët e qindarkave dhe analistët e milionave - Nga Alba Kepi
Ditën është menaxher marketingu spitalesh e në mbremje bëhet gazetar analist televiziv i varfërisë shqiptare.
Sot është gjithçka e qartë pse nga mengjesi në darkë me një interval kohe që nuk respekton asnjë të drejtë të konsumatorit, e që shkatërron çdo rregull produksioni televiziv, ekranet shqiptare janë pushtuar nga reklama ilaçesh, spitalesh, laboratorësh, që influencojnë tmerrin psikologjik tek teleshikuesi.
Gazetarë që paguhen me qindarka e analistë që paguhen me miliona në disa lista bordero pagash.
Gazetarë që nga mëngjesi në darkë janë rrugësh, në kërkim të lajmit, ekskluzivitetit, investigimit, zbardhjes së skandaleve, e talljes therëse deri në heqje dorë nga loja e pisët e politikës, e analistë që luajnë nëpër studio televizive interesa marketingu kompanish private e kulla Babeli për tarafe politikanësh e oligarkësh.
Nuk është traumë, por dramë shumë aktesh e mizerjes së mosvlerësimit të profesionistit në sistemin shqiptar të punës.
Po, është i paligjshëm publikimi i një data base me të dhënat e mijëra punonjësve, por është po aq e ligjshme që çdo kompani, biznes i madh o i vogël, institucion privat a publik, të ketë faqen e transparencës, ku personat në nivel drejtues e pergjegjës kanë të publikuar pasurinë e pagën e tyre.
Është kundër çdo deontologjie profesionale që gazetari analist të jetë shef marketingu, e aq më tepër i një institucioni që kujdeset për Shëndetin Publik.
E nuk është se po tentohet një revolucion social për shkak të dallueshmërisë, (siç po kërkojnë ta devijojnë o justifikojnë pagën e tyre), por një e vërtetë e radhës e mbajtur fshehur prej kohësh e që ky skandal e bëri te dallueshme mes të tjerëve.
Ndoshta “lepuri mund të flejë diku tjeter”, o ndoshta është veç një tjetër rrumpallë e radhës, për të hequr vëmendjen nga rrumpallat më të rrezikshme e lënë të qetë e nën hije interesa politike e ekonomike.
Një tjetër faqe e kalbesirës ku po zhytemi u zbardh.
Gazetarët që grisin këpucët rrugëve e paguhen me qindarka sot, janë po në kërkim te lajmit, ndërsa analistët e borderove kanë nisur ditën në qendrat estetike e botike, në kërkim të look-ut për show-n e radhës.
*Ato shamitë tek xhepi i xhaketës, me të cilat jeni uniformizuar zëvendesojini me euro “të dallueshme”.
©Alba Kepi












