Kolumnist

Komediani President përballë agjentit të KGB dhe një klloun në mes - Nga Ilir Gjini

Ilir Gjini - Toronto

Komediani Volodymyr Zelensky, sot President i Ukrainës, nuk e kish imagjinuar kurrë që roli i tij i sukseshëm si «Shërbëtor i Popullit», jo vetëm si aktor komik që fitoi duartrokitjet e publikut, por edhe si një President i devotshëm, do të mbyllej në një akt tragjedie ku Perëndimi dhe USA po qëndrojnë në rolin e spektatorit. Përballë komedianit të dikurshëm sot qëndron si regjisor i një tragjedie ukrainase e botërore, ish-agjenti i KGB, Vladimir Putin.

Pasi bëri disa prova gjenerale të sukseshme me Abhazinë, Osetinë e Krimenë, Putin vendosi të hedhë hapin e madh. Reagimi i dobët i Perëndimit dhe tërheqja e turpshme amerikane nga Afganistani, i dhanë zemër horror-regjisorit Putin të shkruajë tragjedinë ukrainase. Një tragjedi që nuk po kursen as jetën e fëmijve. USA dhe Europa e lanë Ukraninën në mëshirën e fatit, si një fokë që i hidhet ariut polar të uritur me shpresën se do t’i shuhet uria dhe nuk do sulmojë më.

Po a do të shuhet më kaq uria e Putinit?

Njësoj si Hitleri dikur me krahinën çeke të Sudeteve, ai përdori si pretekst Republikat e Donenskut e Luganskut, duke gllaberuar krejt Ukrainën. Përballë monstrës Putin qëndron një Europë e përçarë, madje edhe e varur nga gazi rus dhe një USA me një President të përgjumur që demostron pasiguri. Biden edhe për shkak të moshës njëherë dremit në koferenca ndërkombëtare, herës tjetër i shkasin pordhët përballë Dukeshës Camilla duke u shfaqur si gastor komedie.

Madje edhe diplomacia amerikane e salloneve, duket si amatore përballë dhëmbëve prerës së Lavrovit. Putin në vend të pordhëve që mezi i dëgjon dukesha e Cornwall-it, lëshon bomba që tmerrojnë gjithë botën. Në mungesë të mbështetjes reale, Biden i ofroi Zelenskit një taksi për të shpëtuar lëkurën, por ai e refuzoi duke i kërkuar fishekë për t’u mbrojtur.

Ndërkohë që forcat speciale ruse e çeçene po avancojnë drejt Kievit me objektiv asgjesimin e Zelenskit dhe të kabinetit qeveritar, ai me thjeshtësinë e një qytetari dhe madhështinë e një lideri i sfidoi duke iu thënë: unë jam këtu ku ma do nderi im.

©Ilir Gjini