Të paguash për t’u motivuar në seminare sharlatanësh - Nga Jeta Dedja
Sa injorant/e duhet me qenë, që të blesh një biletë 240 euro, për të dëgjuar E.M. me kompani, që vetëreklamohen si njerëz që zotërojnë e shpërndajnë dijen e jetës? Për dikë me dy pare mend, që nuk ka patur fatin e madh ta shohë apo dëgjojë ndonjëherë këtë "autoritet" të skenës publike, mjafton 1 minutë video e këtij "motivuesi" për të vlerësuar kufizimet e tij intelektuale midis komunikimit pa empati.
Sot në botë, janë përhapur gjerësisht bizneset e seminareve inspiruese, njëlloj si ato të artit modernist, si skema mashtrimi financiar. Personat që marrin përsipër rolin kryesor, fillojnë me marketimin e emrit të tyre duke paguar gazetarë t’u bëjnë shkrime, duke blerë e peshkuar ndjekës në rrjetet sociale për të ndërtuar profilin e personit influencues, duke botuar libra e reklamuar ato si best-seller, duke ndërtuar websit-e për veten dhe profile në Wikipedia.
Vazhdojnë më pas me regjistrimin e biznesit si një OJF apo fondacion, tërheqin në këtë skemë persona të njohur publikë, që të rrisin besueshmërinë, bëjnë bashkëpunime me të tjerë të kalibrit të tyre, duke zgjeruar rrethin e mashtrimit. Fotografohen me njerëz të fushave të ndryshme duke i përdorur këto imazhe për të rritur kreditet, e kështu formojnë "Veten e Re"- rilindin si markë në tregun e mashtruesve pozitivë, inspirues, pa derdhje gjaku, vetëm paraje.
Po t’u shohësh faqet në mediat sociale, të duket se ke të bësh me personalitete botërorë, koka të shkencës, artit apo filozofisë.
Ndërkohë, kush i njeh, e di mirë se janë figurina lojërash financiare, që sigurisht zhvillohen nën hundën e autoriteteve dhe mbi kurrizin e injorantëve ose indiferentëve. Si shitës të një produkti me origjinë të panjohur, histori jotransparente, këta motivues shesin seminare publikë që zhvillohen në salla hotelesh.
Njerëzit paguajnë t’i dëgjojnë fjalët e tyre “të arta” dhe të mësojnë të “mendojnë, ndryshojnë, fitojnë”- siç u premton E.M. Pastaj inspiruesit e famshëm vetë-shndërrohen në shkollë, duke lëshuar çertifikata trajnimesh, prodhojnë tituj për pjesëmarrësit, për t’u përkëdhelur egon atyre që nuk kanë tru a vullnet mjaftueshëm për të marrë diploma të vërteta.
Po, po, ka injorantë plot që u shkojnë e i ndjekin. Dhe fjalën injorant nuk po e përdor në këtë rast si fyerje, por si kategori edukimi. Është njëlloj si të shkuarit nëpër fallxhorë, ku njerëz me supersticione kërkojnë fatin. Sot njerëz me botë të vogël, kërkojnë ta zgjerojnë atë me leksionet e E.M. apo të ngjashmëve të tij.
Profesorët e Harvardit apo McGill do duhet t’i djegin studimet dhe titujt e tyre para këtyre “kolosëve” të mençurisë njerëzore.
Ka ardhur koha e mashtruesve që flasin me citate të mbledhura andej-këndej, atyre që tjerrin historitë personale aq shumë, sa një ditë kuptojnë se kanë ndërtuar një histori të re, me më shumë trauma apo lot, sepse kështu i duhet audiencës.
Të shkosh në seminaret e këtyre tipave, do të thotë se sistemi i edukimit është bjerrë dhe e ardhmja është në rrezik, gjithmonë nëse shifrat e pjesëmarrjes janë të vërteta dhe aq sa reklamohen.
©Flasshqip.ca - Jeta Dedja












