Kolumnist

Për të qeverisur mirë nuk mjafton retorika - Nga Enver Robelli

Çfarë tha kancelari gjerman dje, ishte, në fakt, përsëritje çfarë ka deklaruar paraardhësja e tij për 10 vjet. Kërkohet dialog për të zgjidhur “çështjet e hapura” pa e përmendur kryeçështjen e hapur: refuzimin e Serbisë për të pranuar Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran.

Që më shumë se 10 vjet Kosova negocion me Serbinë për “çështje të hapura”, bën kompromise e lëshime ndaj Serbisë me shpresën se Serbia arrin në pikën kur do ta pranojë Kosovën. Kjo nuk ka ndodhur, ndonëse më 2013, kur u nënshkrua marrëveshja “historike” me Serbinë u tha se “Serbia de facto e pranoi Kosovën”. Rreziku është i madh që ky lloj “dialogu” i praktikuar deri më tani të vazhdojë edhe më tutje. Edhe sa? Edhe 10 vjet?

Me pranimin e bashkësisë së komunave serbe, Kosova ia ka futur vetes të dy këmbët në një çizme. Pa lëshuar pe në këtë çështje zor se do të ketë përparim. Çfarë është nënshkruar, duhet të respektohet, këtë e kanë thënë edhe diplomatët amerikanë. Negociatori i BE-së ka lënë të kuptohet se kur është në pyetje bashkësia e komunave serbe, Kushtetuta e Kosovës nuk është aq e rëndësishme.

Pala kosovare po përpiqet të fshihet pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës që e shpalli bashkësinë e komunave serbe në pjesën më të madhe jokushtetuese, por nuk e shpalli bashkësinë e komunave serbe si të tillë, pra në tërësi, si antikushtetuese. Rrjedhimisht, Kosova, herët apo vonë, duhet ta gjejë përgjigje se çfarë do të bëjë me trashëgiminë e qeverive të kaluara, pra bashkësinë e komunave serbe. E njëjtë qëndron puna edhe me pronat që një gjykatë kosovare ia ka dhënë Manastirit të Deçanit. Në gati çdo takim të diplomatëve perëndimorë përmendet edhe kjo çështje, duke i bërë apel Kosovës të respektojë vendimet e drejtësisë vendore.

Këto probleme duhet t’i ketë parasysh pushteti aktual në Kosovë. Nuk mjaftojnë brohoritjet se Serbia është shtet autokratik, se është aleat me Rusinë, se Kosova është shtet demokratik. Opozita, ndërkaq, krejt “kreativitetin” e saj po e demonstron duke dashur t’i tregojë miletit se, qe, edhe kryeministri aktual u takua me presidentin serb. Nëse do të ishin konsekuentë, eksponentët e opozitës do të duhej të thoshin se janë kundër takimeve të nivelit të lartë me Serbinë. Për aq kohë sa nuk e bëjnë këtë, ata në të vërtetë po vajtojnë që nuk po mund të takohen vetë me presidentin serb për ta vazhduar komedinë negociatore që nisi para më shumë se 10 vitesh dhe përfundoi në qorrsokak.

Opozita në radhë të parë duhet të merret me trashëgiminë e saj, mes tjerash me bashkësinë e komunave serbe - duhet të tregojë a e përkrah atë që e ka nënshkruar apo jo? Nëse jo, le të dalë dhe të thonë qartë se nuk e përkrah. Një pjesë e konsiderueshme e kësaj opozite pasi ka negociuar me vite me presidentin serb, në fund ka treguar gatishmëri që t’ia ofrojë Beogradit edhe një pjesë të Kosovës. Kështu i është krijuar avantazh Serbisë në negociatat me Kosovën.

Nga ana tjetër kryeministri aktual para se të merrte pushtetin pati premtuar se do të zhvillojë dialog me pakicën serbe në Kosovë. Ku është ai dialog? Askund! Në aspektin e përfaqësimit në dialog me Serbinë kjo qeveri ka nevojë urgjente për ngritje të kapaciteteve negociuese siç ka nevojë urgjente edhe për një riformatim të qeverisë për shkak të performancës pjesërisht të dobët të një pjese të ministrave.

Jashtëzakonisht problematike është edhe mënyra se si qeveria me arrogancë përpiqet t’i tejkalojë aferat që i pëlcasin në duar. Kjo praktikë duhet të marrë fund, menjëherë. Deri në zgjedhjet e ardhshme (nëse nuk ndodh ndonjë hata politike) kanë mbetur më pak se tri vite. Këto vite kalojnë shpejt, siç kanë kaluar edhe shumë vite më herët. Fitorja spektakolare e 14 shkurtit 2021 nuk është kurrfarë liçence për përsëritje të tilla në të ardhmen. Madje kjo është parë edhe në zgjedhjet lokale, ku partia në pushtet u ndëshkua për shkak se në pjesën më të madhe i ofendoi qytetarët me kandidatë të dobët.

Për të qeverisur mirë nuk mjafton retorika, por ekspertiza dhe guximi për të marrë vendime edhe jopopullore. Vendimet popullore si shpërndarja e disa kontributeve të vogla (100 euro) nuk tregojnë për ndonjë vizion afatgjatë, ndonëse kjo qeveri, për aq sa dihet deri më tani publikisht, nuk është duke e keqpërdorur buxhetin në mënyrë masive siç kanë bërë kamarillat e mëparshme sunduese. Por si ndaj çdo qeverie edhe ndaj kësaj, publiku duhet të jetë kritik e skeptik.

©Enver Robelli