Hipokrizia e ambasadorit gjerman në Prishtinë - Nga Enver Robelli
Mbase keni të drejtë, i nderuar ambasador, kur thoni se presidentja e Kosovës duhet të vizitojë edhe lokalitetet e populluar me pjestarë të pakicës serbe. Megjithatë, i nderuar ambasador, ndoshta është mirë që ju të heshtni duke pasur parasysh se shefat tuaj (kancelari dhe presidenti gjerman) ende nuk e kanë vizituar Kievin.
Konsideroj se më i rëndësishëm për paqen në botë është një takim i Olaf Scholzit me Volodimir Zelenskin se ndonjë takim i kryetares së Kosovës me ndonjë Zhivorad e Milorad të Graçanicës. (Ndonëse, siç e thashë në krye të herës, presidentja do të duhej të ishte më aktive në drejtim të ndërtimit të urave me pakicën serbe, nëse ekziston gatishmëria nga pjesëtarët e kësaj pakice dhe nëse kanë guxim të integrohen nga Kosova përballë terrorit jo vetëm verbal të Beogradit).
Thënë edhe më qartë, i nderuar ambasador: hipokrizisë suaj po i vjen një duhmë e rëndë. Hiqni vizat ndaj qytetarëve të Kosovës, së pari, pastaj mund të shihni ndoshta edhe ndonjë lëvizje në Prishtinë. Besueshmërinë e djegur nuk mund ta fitoni me këshilla arrogante si guvernator xhungle. Sepse Kosova nuk është xhungël, as ju nuk jeni guvernator, as prokonsull romak. Dhe as qytetarët e Kosovës nuk janë qytetarë të dorës së dytë (ndonëse i trajtoni si të tillë), por janë europianë, madje shumë më të arrirë se plot të tjerë që hyjnë e dalin lirshëm në zonën e Schengenit.
Dhe meqë po tentoni ta demonstroni talentin tuaj të zbehtë për këshilla, i nderuar ambasador, porositeni kolegun tuaj në Beograd të protestojë kundër gjuhës raciste të ministrit serb të Policisë kundër shqiptarëve. Porositeni të protestojë kundër diskriminimit të shqiptarëve në Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë. Porositeni të protestojë kundër keqtrajtimeve të shpeshta që u bëhen nëpër Serbi shtetasve të Kosovës.
©Enver Robelli












