Çeku 30 milionë nga Mark Twain, pas vdekjes - Nga Ilir Gjini
Një nga tregimet më interesante të shkrimtarit të madh Mark Twain (Samuel Clemens), është çeku ose trashegimia 30.000 $ (The 30.000$ Bequest). Një çift i varfër amerikan, papritur gdhihen të pasur kur një kushëri i burrit u dërgon testamentin, ku krahas shtëpisë dhe tokës, përfshihej edhe një çek 30.000 $, një shumë e madhe për kohën.
Të ekzaltuar për pasurinë që do trashëgonin pas vdekjes së kushëririt, ata fillojnë të bëjnë plane se si do t’i investonin paratë. Në mënyrë imgjinare filluan të blinin aksione në kompani të ndryshme, aksione që u rritej shumë vlera me kalimin e kohës. Pra, në llogaritë e tyre imagjinare ata ishin bërë milionerë.
Por kur morën lajmin se kushëriri kishte ndërruar jetë dhe të kënaqur shkuan për të marrë pasurinë, u ndeshën me një surprizë të pakëndshme. Kushëriri e kish bërë rrush e kumblla të gjithë pasurinë dhe e panë vetën sërish trokë.
Nëse do jetonte sot, me siguri shkrimtari brilant Twain do shkruante vazhdimin e historisë, në një provincë të vogël “pro amerikane” të quajtur Albania.
Historia shqiptare është edhe më brilante… një plakë 94 vjeçare që ngrys ditët në një azil pleqsh, papritur e sheh veten miljonere me 30 milionë euro pasuri. Madje plakës së gjorë i bllokojnë edhe pensionin, si transaksion i dyshimtë. Bravo SPAK! Drejtësia e re që vigjëlon dhe asnjë nga transaksionet e inceneratorëve nuk bllokon, me në fund me pleqtë po vepron.
Nga ana tjetër kemi një burrë plak që është shndërruar në milioner duke shitur fruta ekzotike që ndikojnë në performancën seksuale të fucker-inceneratorëve, që po i shkërdhejnë financat e shtetit, sot në ditë të kiametit. Papritur pensionisti 95 vjecar që as në endrra nuk e kish parë, u gdhi me një thesar. Diamantesh kuptohet.
Gojët e liga thonë se është kushëriri i një ministri. Po që nga Damiani të trashëgohen diamante, këtë as fantazia brilante e Mark Twain nuk mund ta parashikonte.
Tabloja duket edhe më e errët kur politika denoncon, media nga halli e raporton dhe SPAK-u rri e vështron, ndërsa populli i thjeshtë këngë për udhëheqësin këndon:
O Kardhiq më shtatë shtëpi, për Sarandë nuk do taksi
Lum si ne e lum si ti, u bëmë me tunel të ri.
Populli i thjeshtë këndon edhe pse tuneli trefish më shumë kushton dhe në xhepat e tij rëndon.
Në këtë situatë kiameti, për çudi as Ambasadorja Kim, që nuk lë rast pa shprehur konsideratën për reformën në Drejtësi dhe përpjekjet e stërmundishme të qeverisë për të luftuar korrupsionin, nuk po ndihet. Dhe në këtë situatë tragji-komike ku duhet të çoheshin për riedukim në burgje gjithë grabitësit e buxhetit të shtetit, kryeministri çon për riedukim tre mujor një gazetar, se ka bërë një pyetje jo etike.
Dikur artistët, gazetarët, shkrimtarët madje edhe studentët e “padisiplinuar” me frymën e klasës, i çonin për riedukim në gjirin e klasës punëtore. Sot propozoj t’i çojmë për riedukim në gjirin e celulave patronazhiste të PS. Kështu ata do bëhen qytetarë të denjë socialistë.
Lum si ne e lum si ti,
Në riedukim do shkoj tani.
Lum si ne e lum si ti,
Në pension do dal tani,
Milioner me pasuri.
©Ilir Gjini









