Kolumnist

Zgjedhjet 2022 në Québec: Demokracia e deformuar - Nga Taulant Dedja

Zgjedhjet në Québec, provincën frankofone kanadeze, përfunduan. 6 milionë e 300 mijë zgjedhës ishin gjithsej të regjistruar. Rreth 2 milionë e 200 mijë qytetarë nuk kanë votuar fare (pjesëmarrja rreth 65%).

Partia nacionaliste që u rimandatua edhe 4 vjet, CAQ (Coalition Avenir Québec), ka marrë rreth 1 milion e 683 mijë vota (41%) ose rreth 26.7% të votave të zgjedhësve të regjistruar dhe arriti të fitojë 90 deputetë, që do të thotë 72% e numrit të përgjithshëm të deputetëve. Në një sistem proporcional të korrektuar, CAQ do dilte fitues me vetëm 75 deputetë.

Rreth 2 milionë e 354 mijë zgjedhës votuan për partitë e opozitës (mbi 671 mijë më shumë sesa për partinë në pushtet ose rreth 58% (pa llogaritur partitë e vogla dhe të pavarurit).

Opozita do ketë vetëm 28% të vendeve në Parlamentin me 125 deputetë (35 gjithsej). Partia Konservatore edhe pse mori rreth 13% të votave (rreth 531 mijë), nuk arriti të marrë asnjë deputet. Në një sistem proporcional të korrektuar, asaj do t'i takonin 10 vende në parlament, ndërsa të gjithë opozitës 50 vende.

Kjo pa hezitim mund të quhet demokraci e deformuar, për shkak të sistemit zgjedhor mazhoritar me një tur.

Reformimi i sistemit ishte një nga premtimet e pambajtura të partise që mori sërish pushtetin duke i mëshuar më shumë temës së kontrollit të imigracionit (dhe jo kontrollit të inflacionit) që sipas Legault, nëse kalon shifrën 50,000 në vit, mund të jetë “vetvrasje” për të ardhmen e identitetit frankofon në provincë!?

Shumica e komentatorëve të ftuar në studio apo analistë mediave që financohen nga paratë publike të takspaguesve, e konsideruan fitoren CAQ, nje mandat i forte dhe i qartë, që elektorati i dha François Legault!?

“Vazhdojme!”, thote François Legault, që ia besoi administrimin e pandemisë një firme private, të cilën e pagoi gati 7 milionë dollare me paratë publike...

©Flasshqip.ca

Foto: Radio-Canada/Ivanoh Demers