Vula, vulëmbajtësit dhe vulëhumburit - Nga Artan Gjyzel Hasani
E kam thenë që në momentin kur Berisha filloi lëvizjen e re të Foltores: Duhet të krijonte një parti të re me mbështetesit e tij të panumert. Një parti të djathtë, një parti realisht konservatore dhe të mos mbetej peng i emrit, vulave, gjykatave dhe i asaj pakice në thelb sorosiste që i ka ligjërisht ato vula.
Partia Demokratike e kreu misionin e saj, edhe pse jo të plotë dhe zhgënjyes për një pjesë të nismëtareve të vet ku bëj pjesë edhe unë. Pa ia mohuar kontributet në 30 vjet, por pa ia harruar edhe zullumet, ajo parti me atë emërtesë u duhet lënë vulëmbajtësve.
PD, duam apo nuk duam ta pranojmë, është një emër i njollosur dhe e ka humbur prej kohësh magjinë e dikurshme elektrizuese ndër militantët dhe përkrahësit e vet.
Duke krijuar një parti të re nga Foltorja, Berisha do të kishte fituar kohën e duhur dhe të çmuar për të hyrë në betejat elektorale dhe nuk do të katandisej si prifti që kërcen nga belaja dhe të kërkonte bashkim me ata që realisht nuk janë as konservatorë, as të djathtë dhe për më tepër janë ushtarët e Soros dhe kushërinj politikë të Ramës...
Duke krijuar parti të re, grupi i vulëmbajtësve do të shkërmoqej vetiu, sepse ata nuk i faktorizon elektorati apo mbështetësit, por vetëm vula që u ka lënë në dorë gjykata e Edvinit.
Betejat elektorale bëhen me elektorat dhe jo me vula, dhe Berisha e ka atë elektorat.
Së fundmi, mendoj se krijimi dhe forcimi i një partie realisht konservatore është me i rëndësishëm se fitimi me çdo kusht i zgjedhjeve të radhës.
Më mirë nje humbje elektorale si konservator, sesa një fitore të përkohshme me një PD të copëtuar ndër sorosistë.
©Artan Gjyzel Hasani












