Kolumnist

Sporti nuk duhet të instrumentalizohet nga politika - Nga Enver Robelli

 

Enver Robelli - Zvicër

Zvicra i ka 8.7 milionë banorë. Prej tyre, 300 mijë mund të jenë shqiptarë, apo me origjinë shqiptare. Mbesin edhe 8.4 milionë zviceranë dhe të tjerë nga shumë anë të botës.

Do të ishte mirë që futbollistët e Zvicrës me origjinë familjare nga Kosova, ndonjëherë të mendonin edhe për 8.4 milionë banorë të tjerë. Fundja, futbollistët me prejardhje shqiptare vullnetarisht kanë pranuar të luajnë për këtë vend. Madje duke luajtur për Zvicrën kanë arritur majat e suksesit. Përfitimi ka qenë i dyanshëm.

Askush nuk iu kërkon këtu futbollistëve me origjinë shqiptare të distancohen nga Kosova, por gjithashtu futbollistët është mire të mos lejojnë të instrumentalizohen nga politika në Kosovë. Ata janë sportistë dhe jo ushtarë skënderbegianë në beteja me armiq shekullorë, qofshin ato beteja reale apo imagjinare. Në fund të fundit, është fjala për sport. Këtë duhet ta kenë parasysh edhe politikanët shqiptarë.

Betejat për vitin 1389 lirisht mund t'ua lemë ultranacionalistëve, pra fqinjëve veriorë të Kosovës. E ardhmja e shqiptarëve duhet të jetë e orientuar drejt vlerave perëndimore, tolerancës, mirëkuptimit dhe patriotizmit vetëmbrojtës.

Shumë futbollistë me origjinë shqiptare në Zvicër, gjenden para pritshmërive që nuk mund t'i plotesojne njëkohësisht: të jenë luajalë ndaj Zvicres, të jenë patriotë ndaj vendit të origjinës (këtë e presin jo vetëm prindërit) dhe të jenë sportistë shembullorë.

Më së miri është të jenë sportistë shembullorë. Sepse edhe brohoritjet që vijnë nga albanosfera shpejt mund të kalojnë në të kundërtën e tyre. Atyre që mbajnë mend pak, u kujtohet se si Valon Behrami ofendohej nga “patriotët” shqiptarë me thirrjet “Valon magjypi”. Ai nuk kishte bërë asnjë mëkat. Ai vetëm po luante për kombëtaren e shtetit ku familja e tij kërkoi strehim nga përndjekja politike.

Në krejt tollovinë e ditëvë të fundit një gjë duhet veçuar pozitivisht: numri i shqiptarëve në Zvicer që janë të aftë dhe kanë vetëbesim të kundërshtojnë fushatat raciste është në rritje. Numri i shqiptarëve që të qënurin zviceran e konsiderojnë diçka të vetëkuptueshme, është në rritje. Numri i shqiptarëve të integruar është në rritje. Numri i bizneseve me pronarë apo udhëheqës shqiptarë është në rritje (mbi 3 mijë). Numri i shqiptarëve në funksione të rëndësishme publike në Zvicer ështe në rritje.

Por kjo nuk është arsye për rrahje gjoksi. Sukseset janë individuale. Rruga nga suksesi individual në sukses kolektiv është e gjatë. Për këtë duhet organizim serioz dhe jo kalërime egoiste, improvizime dhe diletantizëm, siç vërehet ende dhe aq shpesh në jetën e komunitetit shqiptar.

©Enver Robelli