Lëreni rehat Babadimrin - Nga Enver Robelli
Babadimri është figura më paqësore e planetit. Sjell dhurata dhe me buzëqeshje gëzon jo vetëm fëmijët. Nuk është vetëm figurë kristiane. Babadimri bart virtytet e ipeshkvit Nikolaos Myriotes, i cili u lind në Patara të Turqisë së sotme mes vitit 270-286. Emri i tij grek Nikolaos (Nikolla) domethënë “fitore e popullit” dhe ka qenë emër i përdorur edhe në kohërat parakristiane.
Në Turqi ekziston figura e Ayaz Ata (që në shqip i bie: Babadimri). Sipas legjendës turke, Babadimri u krijua nga drita e hënës. Me një fjalë: lëreni rehat Babadimrin. Nëse i ndani profetët e njëjtë (si për shembull Jezusin/Isën), çka keni me Babadimrin? Çfarë të keqe u ka bërë? Dhe pse kjo nevojë të ofendohen qindra qytetarë të Prishtinës, kryesisht prindër, që dolën të veshur me rroba Babadimri dhe marshuan bashkë me fëmijët e tyre?

Ofendojnë fanatikët e frustruar për shkak se nuk durojnë model tjetër kulturor dhe “modelin” e tyre duan t’ua imponojnë të tjerëve me agresivitet. Pse nuk e provojnë ndryshe? Pse nuk arrijnë të shpikin ndonjë figurë pozitive me të cilën mund të identifikohen njerëzit?
Kjo qasje është e ngjashme me fanatikët që e urrejnë Coca Colën sepse e shohin si simbol të dominimit amerikan në botë? Pyetja është: pse nuk prodhuan fanatikët Coca Cola për të “dominuar botën”?
Nuk i ka faj Babadimri askujt. Kanë faj mendjet e mykura, provokatorët, polarizuesit, të cilët dinë të mbjellin vetëm urrejtje.
Babadimri është paqësor, andaj edhe pas ofendimeve, fanatikëve nuk ua tregon gishtin e mesëm. Mënyra e protestës së tij është sjellja e gëzimit. Me thasë. Ndërsa fanatikët sjellin urrejtje, me thasë.
Mos i dëgjoni! Mos u kushtoni vëmendje!
©Enver Robelli












