Gjuha e turpshme e Edi Ramës në një ditë të vështirë për Kosovën - Nga Enver Robelli
Rama për situatën Kosovë-Serbi: “Superfuqitë t’i kapin për veshi sa herë që zihen”.
Kjo është gjuha e kryeministrit të Shqipërisë sot, në një ditë të vështirë për Kosovën, në një ditë me shumë të panjohura. Është gjuhë e turpshme, aspak atdhetare, gjuhë grindaveci e ngatërrestari, gjuhë që më shumë përdoret në kafene të lagjes, gjuhë që barazon Kosovën (viktimën) me kasapin (Serbinë zyrtare).
Sa i përket “kapjes së veshit”: momentalisht gazetat e rëndësishme amerikane dhe gazetarët më të rëndësishëm amerikanë janë duke publikuar lajme e raporte të gjata me akuza të rënda ndaj kryeministrit të Shqipërisë mbi lidhjen e tij të dyshimtë me një ish-zyrtar të FBI i cili është arrestuar për shkak se ka punuar për rusët dhe për shkak se ka marrë mbi 200 mijë dollarë nga një ish-zyrtar i Shërbimit Sekret komunist të Shqipërisë.
Momentalisht mediat perëndimore janë duke shkruar për skandalin e kamerave në Shqipëri: mbi 500 kamera të instaluara nga grupet e krimit të organizuar janë zbuluar në qytetet e mëdha të Shqipërisë. Përmes këtyre kamerave bandat kanë mbikëqyrur policinë dhe rivalët në bizneset e paligjshme.
“New York Times” shkroi pardje për qytetarët shqiptarë të cilëve u janë vjedhur të dhënat (madje edhe bankare) pas një sulmi kibernetik nga Irani. E ky sulm, sado i padrejtë dhe terrorist, ka ardhur pasi një grup i ashtuquajtur opozitar iranian, i strehuar në Shqipëri, ka organizuar hapur aktivitete kundër Iranit. Ideja e pranimit të tyre (me lutje të SHBA) ka qenë të shpëtojnë kokën në Shqipëri dhe jo ta rrezikojnë Shqipërinë.
Përmes aplikacionit “Aktiv1st” partia në pushtet (PS) dyshohet se po shantazhon punonjësit e administratës. Prej tyre pritet të shpërndajnë sa më shumë propagandën qeveritare në mediat sociale dhe varësisht nga “rendimenti” edhe do të kuotohen nga “nëna parti”. Kjo është një formë e mikro-targetingut që i ngjan romanit “1984” të George Orwellit.
Kryeministri që me partinë e tij e ka kapur shtetin (Shqipërinë) nuk është në pozicion të këshillojë botën për të kapur për veshë politikanë të Kosovës. Në 10 vitet e fundit kryeministri i Shqipërisë ka ofenduar, ka kërcënuar me padi dhe ka intriguar kundër së paku 3 kryeministrave të Kosovës. Deklaratat e tij lidhur me Kosovën në të shumtën e rasteve kanë qenë të papërgjegjshme, provokuese dhe polemika të ulëta, përfshirë këtu edhe tentimin e tij për t’i dhënë hov idesë për copëtimin e Kosovës.
Nga një politikan premtues që gëzonte simpati edhe në Kosovë, ai sot është një politikan i vetmuar, i cili mund të sillet vërdallë botës dhe të jap këshilla që s'ia kërkon askush, por në Kosovë ka pak njerëz që e marrin seriozisht. Disa karriera nisin furishëm dhe zvetënohen tmerrësisht.
© Enver Robelli












