Kosova dhe Marrëveshja e Brukselit - Nga Xhevdet Nasufi
Xhevdet Nasufi - Maqedonia e Veriut
Nëse nuk di se ç’po ngjet te shtëpia, nuk është jashtë logjikës të kuptosh ndonjëherë edhe tek komshia. Reagimet mediatike, politike dhe qytetare në Serbi lidhur me Marrëveshjen e fundit në Bruksel janë argumentum a contrario, Kosova ka vizion për dallim nga Serbia dhe kjo është meritë e popullit të Kosovës, siç theksoi Kurti.
Dy momente duhet konsideruar si pararendëse thelbësore të Marrëveshjes më 27 shkurt 2023:
Së pari, që në vitin 2011 kur u pranua dialogu Kosovë-Serbi, implicite u pranua formula e kompromisit, pasi dialogu u zhvillua për dhe rreth Kosovës, pra u paragjykua kompromisi nga vetë kosovarët, përtej kapitullimit serb në Kumanovë, shpalljes së Pavarësisë, vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare;
Së dyti, Europa e Bashkuar, historikisht në përkrahje të shtetit serb, pas Amerikës, në Bruksel po drejtpeshon qëndrimin edhe në favor të Kosovës dhe shqiptarëve, për të drejtën e tyre legjitime, apo për Kosovën e pavarur dhe ndërkombëtarisht të respektuar dhe pranuar;
Së treti, vetë dialogu Kosovë-Serbi nuk është vetëm problem i ndërsjelltë ndërshtetëror i tyre. Implikimi real në paqen dhe sigurinë e Ballkanit, jo vetëm, vetvetiu implikon në dialog faktorët relevantë të gjeostrategjisë, ndaj të cilëve jo Kosova si gjer tani, por edhe vetë Serbia proruse ngadalë po u “përgjërohet” me përkulje dhe respekt në referim të interesit kombëtar të vetë Serbisë.
Kurti u përball me presionin ndërkombëtar, me insistimin serb që asociacioni të renditet prioritet i marrëveshjes. Mendoj se në këtë përballje ai mbrojti denjësisht identitetin e tij politik dhe intelektual, imazhin e Kosovës, por edhe ruajti vijat e kuqe që i shtroi SHBA. Për dallim nga Vuçiçi, bile e ofroi edhe parafin mbi Marrëveshje, brenda të cilit lexohet dhe kuptohet qartë se u bë edhe një hap tejet ambicioz drejt njohjes de jure të Kosovës edhe nga Serbia.
Dhe në fund, Marrëveshja e Brukselit ka edhe një porosi shumë domethënëse: Si projekt franko-gjerman, me siguri të lartë edhe mund të konkludohet se Kosovës i hap dyert e anëtarësimit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, nisjen e rrugëtimit për anëtarësim në BE dhe në NATO, dy shtyllat më të rëndësishme të zhvillimit dhe demokracisë, por edhe të sigurisë kombëtare.
Dhe në fund, imazhi pozitiv i Kosovës nuk mbyllet me këtë Marrëveshje, sa do që do ta dëshironim këtë. Por ama, legjitimiteti politik, diplomatik, apo konvertuar shkurt, legjitimiteti funksional i Shtetit të Kosovës në përputhshmëri me gjeostrategjinë amerikane dhe europiane ka avancuar dukshëm dhe domosdo kjo siguron sukses.
© Xhevdet Nasufi












