Kolumnist

Qeveria Liberale kanadeze e territ informativ - Nga Fazli Mazreku

Nga muaji gusht, kanadezët nuk kanë mundësi që përmes Facebook-ut dhe Instagram-it të lexojnë lajme nga gazetat on line dhe nga transmetuesit radio-difuzivë në truallin kanadez. Kanadezët janë të privuar edhe nga shpërndarja e lajmeve, fotografive apo materialeve të tjera në faqet e tyre personale në Facebook dhe Instagram.

Korporata Meta (Facebook), përkunder tratativave të gjata me qeverinë kanadeze, nuk ka arritur të evitojë që kjo çështje të mos kufizohet me ligj, sepse Dhoma e Komunave e Parlamentit federal e ka aprovuar ligjin që rregullon këtë fushë, pavarësisht mospajtimit të Opozites zyrtare (Partia Konservatore).

Qeveria Liberale me aplikimin e masave ligjore restriktive në marrëdheniet e gazetave on line dhe transmetuesve radio-difuzivë me Facebook dhe Instagram, me dashje ose pa dashje, po rrëshqet drejt kufizimit të të drejtave elementare të njeriut për qasjë të lire në mediat elektronike, të cilat shpërndahen përmes platformes së Facebook-ut dhe Instagram-it.

Besoj se shoqeria civile, komisionet e pavarura mbi të drejtat e njeriut, avokatë të njohur mbi të drejtat e njeriut, profesorë të njohur universitarë dhe intelektualë të dalluar do të reagojne dhe do ta kundershtojnë këtë ligj në gjykatën kompetente, sepse kanë shumë arsye të bazuara për të kundërshtuar një ligj të tillë, i cili për shkak të interesave financiare të qeverisë kufizon dhe shkel të drejtat e njeriut në kundërshtim me Kartën Kanadeze mbi të Drejtat e Njeriut dhe në kundërshtim me konventat ndërkombëtare, të nenshkruara dhe të ratifikuara nga shteti kanadez.

Siç po shihet, Liberalët janë të lodhur dhe të cfilitur pas dështimeve të shumta në shumë fusha të zhvillimit, e posaçërisht në planin financiar, ku borxhi i brendshëm ka arritur shifra galopante, kanë dështuar në planin e strehimit, kur shumë njerëz mund t’i humbin shtepitë dhe shumë të tjerë nuk mund të blejnë shtëpi të reja, dhe kur të pashtrehët po udhëtojnë prej një qyteti në tjetrin, në mënyrë të organizuar me autobusa, për një jetë më të mire(sic?!).

Liberalët po dëshirojnë të krijojnë sa më shumë alibi për zgjedhje të parakohshme, për të shkuar në opozitë, në mënyrë që të kenë kohë për të reflektuar dhe për t’u riorganizuar, duke sjellë gjak të ri dhe lider të ri, lider që sjell dinamikë dhe qasje të re, sepse Kanadaja, përkundër se është lidere botërore në shumë fusha, ka segmente shoqërore që jane plakur. Kërkohen reforma legjislative, sepse ka ngecje dhe nuk po ecet me trendin botëror të zhvillimit.

Nëse nesër ka zgjedhje të parakohshme, përkunder orientimit tim social-demokrat, në kutinë e votimit do të mungojë vota ime, sepse Liberalët shpëtimin e tyre po e kërkojnë në dëm të qytetarëve, duke cunguar të drejtat e tyre themelore.

Të drejtat e njeriut janë postulati me i çmuar i civilizimit. Nuk ka kompromis!

© Fazli Mazreku - London, Ontario