Kuvendi i një mashtrimi social - Nga Ilir Levonja
Kaosi i Kuvendit nuk është asgjë tjetër veçse kaosi i jetës së shqiptarëve. Nuk ka asnjë lloj morali tjetër veç atë të fundit të një epoke nga më të dëmshmet në këto 33 vjet demokraci, epokës Edi Rama. Karriket e përmbysura nuk bëjnë pis realitetin shqiptar, përkundrazi e qartësojnë atë. Karriket apo tymueset po bëjnë pis kostumet firmato, makiazhet, botokset e mollzave të zonjave apo zotërinjëve, mashtrimin social a epokal të demokracisë sonë të brishtë. Kushedi sa syresh janë më të pasur se shënjestrat e tyre, megjithatë janë kaq të aftë sa vëmendjen sociale ta mbajnë mbi dy emra, Sali Berisha a Ilir Meta.
Ka marrë fund dhe kthejeni si të doni, uji që nuk qarkullon, qelbet. Zonjat apo zotërinjtë e Kuvendit janë mashtrimi total social i yni pasi nuk janë intelektualë që janë prodhim i kolegjialitetit, por i emërimeve, i rryshfetit investim për një diplomë apo një vend në Kuvendin e shqiptarëve. Kur dëgjoni një kryeparlamentare që flet në emrin tuaj, për interesa non gratash, kthejuni memories dhe mos u mashtroni nga makiazhi i saj i shtrenjtë. Mos u shkumosni me Berishën etj., madje injoroni totalisht ata që merren me atë. Pasi kanë një qëllim, të heqin vëmendjen nga dështimi i tyre.
I kanë brenda vetes të gjitha modelet, nongratën me përfaqësues PSD dhe kryetarin e saj. Krimin, qoftë ekonomik, qoftë politik, zgjedhor dhe krimin e përditshëm të vrasjeve, grabitjes së pronave, të fadromave shtetërore. Për më tepër, të grabitjes së pronave tuaja me gjoja investime strategjike. Por krimin më të madh social e kanë karshi popullit opozitar. Sot Kuvendi i vendit tonë nuk ka asnjë hallkë opozitare e cila mund të përfaqësojë dhe balancojë pushtetin, kushti bazë në funksionimin e një demokracie. Kryeministri është po aq president, po aq kryetar Kuvendi, po aq shef gjykate, po aq komisioner zgjedhor, shkurt, një diktator.
Sot televizionet dhe gazetat, janë totatilsht të blera. Vetëm në qeverisjen Rama opozitarizmi apo balanca e pushtetit mbahet nga një apo dy kanale televizive publike. Po ta vini re, shumë syresh e kishin si lajm të parë një draft-propozim me gjoja arkitektin Rama për të zgjidhur konfliktin Kosovë-Serbi. Janë bullshite propaganda, pasi askujt tjetër, veç qytetarëve të Kosovës martire, nuk i takon të flasë për fatin e dheut të Dardanisë.
Edi Rama bridhte rrugëve të Parisit kur djemtë e Kosovës luftonin për lirinë. Në gjithë qeverisjen e tij, nuk u mor kurrë me fatin e shqiptarëve në luginën e Preshevës, ndërsa tani merret me draft-propozime për Kosovën dhe Serbinë. Eshtë propagandë dhe asgjë tjetër, pasi Kosova po luan vetë dhe po luan shkëlqyer, Shqipëria asesi nuk i duhet të flasë me kokën e Edi Ramës, por me vullnetin e shqiptarëve të Kosovës. Ato që thotë ai janë shplarje truri.
Dhëntë Zoti dhe opozita e ka marrë seriozisht si duhet, pasi Edi Ramës i ka ardhur fundi. Kjo është një beteje që do këllqe dhe jo vetëm ca shashka tymuese. Do vazhdimësi, pasi askush tjetër, veç opozitës, nuk mund ta ndezë fatin e transformimit të Shqipërisë nga një republikë diktatoriale, në atë parlamentare. Nuk bëhet më fjalë për një komision hetimor, asesi, por për shpërndarjen e Kuvendit, për zgjedhje të reja.
Nuk zgjidhen hallet e Shqipërisë me komisione hetimore, me opozitë byrekësh, me opozitë prit dhe pak nga gjykata, nga kjo apo ajo. Një shtetar që nuk ka limite, që nuk i njeh ata, është diktator dhe jo qeveritar demokrat. Nëse Shqipëria kthehet nesër në monarki, nuk është faji i shqiptarëve, është i opozitës.
© Ilir Levonja








