Urtësi

Vota e shumicës? I pamëshirshmi Victor Hugo shkruante nga mërgimi

“Ju jeni komandant artilerie në Bernë, zoti Lui Bonapart, dhe me siguri që keni njëfarë njohurie nga algjebra e gjeometria. Ja disa aksioma për të cilat doemos që ia keni disi idenë: “2 dhe 2 bëjnë 4”, “Mes dy pikave të dhëna rruga më e shkurtër është vija e drejtë”, “Pjesa është më e vogël se e tëra” etj.

Shpallni tani nëpërmjet një milion e pesëqind mijë votash që 2 dhe 2 bëjnë 5, që vija e drejtë është rruga më e gjatë mes dy pikash të dhëna etj. Shpalleni, po deshët, me tetë milionë vota, me dhjetë milionë, me njëqind milionë, nuk do të keni arritur gjë prej gjëje.

Sepse, sado që kjo t’ju befasojë, ka aksioma në ndershmëri, në çiltërsi, në drejtësi, sikurse ka aksioma në gjeometri, dhe e vërteta morale nuk është në mëshirën e një vote, sikurse nuk është e vërteta algjebrike.

Nocioni i së mirës e i së keqes nuk mund të shkrihet në votimin e përgjithshëm. Kurrfarë numërimi votash nuk mund ta bëjë të rremen të vërtetë dhe padrejtën të drejtë. Ndërgjegjja njerëzore nuk vihet në votë. Më kuptoni tani?

Shiheni këtë llambë, këtë dritëz të vogël strukur diku në një kënd në t’errët. Vështrojeni, admirojeni. Ajo mezi dallohet, ajo digjet në vetmi. Fryjini përsipër me shtatë milionë e pesëqind mijë gojë njëherësh, nuk do ta fikni dot. Madje as do t’ia troshisni flakëzën. Shpërtheni uraganin. Flakëza do të vijojë të ngjitet e pastër drejt qiellit. Kjo llambë është ndërgjegjja.

Kjo llambë ndriçon në natën time të syrgjynit letrën mbi të cilën shkruaj këtë çast”.

Nga: “Napoléon le Petit”, kr. 6/ Shqipëroi: Aurel Plasari