Ligjërata e Perikliut
- Nga: Klodi Stralla
Fragmenti i mëposhtëm, i cilësuar si “Ligjërata e tretë e Perikliut”, është shkëputur nga vepra voluminoze e Thuqididit (460-400 p.e.r), babait të Historisë antike, ku përshkruhet Lufta e Peloponezit, konflikti midis Spartës dhe Athinës. Konfliktet, ndonëse nuk janë të dëshirueshme, janë pjesë e jetës njerëzore dhe përballimi ose jo i tyre me dinjitet, i lartëson apo i skllavëron popujt pjesëmarrës.
Fragmenti sillet edhe në një kontekst shqiptar, për të përçuar idenë se e keqja, kur vjen, duhet përballuar me dinjitet, përndryshe alternativë është skllavëria.
“Kur je mirë nga çdo pikëpamje dhe të thonë të zgjedhësh një nga të dyja: luftë a paqe, është marrëzi të preferosh luftën; po në qoftë se ndodhesh përpara dilemës: ose t’i përkulesh tjetrit e të bëhesh rob i tij, ose t’i bësh ballë rrezikut e të fitosh, më tepër do të të shajnë po të kërkosh t’i shpëtosh rrezikut, se sa po të mundohesh t’i bësh ballë.
Unë jam gjithmonë ai që kam qenë, nuk ndërroj, ju ndërroni. Ju, gjersa s’ju preken interesat personale, keni të njëjtat mendime me mua, por menjëherë pendoheni, kur nuk ju shkojnë punët mbarë. Ju e kini humbur kurajon, prandaj mendimi im s’ju duket i drejtë; se dëmin e ndjen çdonjeri, ndërsa dobinë edhe s’e shohin të gjithë.
Me të vërtetë një mënxyrë e madhe ju ra në kokë befas dhe ju rrëzoi shpirtërisht aq shumë, sa që nuk mundni të qëndroni në vendimet që keni marrë më parë; se zakonisht çdo gjë që vjen befas dhe pa u parashikuar, e rrëzon kurajon. Këtë pikërisht pësuat edhe ju.
Mendjemadh mund të jetë edhe një frikacak, sa kohë ndihmohet nga fati i verbër; por krenari të arsyeshme ka vetëm ai që beson me vetëdije të plotë, se është më superior se armiku”








