Urtësi

Zbulo se si patatja, veza dhe kafeja na japin një mësim të vyer për jetën

Na ishte njëherë një vajzë e cila i ankohej të ëmës sesa e shpifur i dukej jeta dhe se ajo ndihej e pazonja t’ia dilte mbanë. E ëma, e cila ishte shefe kuzhine, e mori me vete në punë. Ajo mbushi tre tenxhere me ujë dhe secilën e vuri në zjarr. Sapo filloi të vlonte uji, në njërën hodhi patate, në tjetrën vezë, dhe tek e fundit kokrra kafeje.

I la të treja të zjenin, pa i thënë as gjysëm fjale të bijës. Vajza priste me padurim dhe gojëhapur duke pyetur veten se ç’po kurdiste e ëma.

Pas 20 minutash, e ëma i fiku vatrat e sobës. Ajo nxorri patatet nga tenxherja dhe i vuri në një tas. Gjithashtu nxorri dhe vezët dhe i vuri në një tas tjetër. Të njëjtën gjë bëri edhe me kafenë. Iu kthye të bijës dhe e pyeti: “Çfarë sheh këtu?”

“Patate, vezë dhe kafe”-u përgjigj vajza

“Afrohu më afër-i tha e ëma-dhe preki patatet”. Ajo bëri siç i tha mamaja dhe vuri re se ato ishin të buta. E ëma i kërkoi më pas të merrte një vezë dhe ta thyente. Pasi ia theu lëvozhgën, ajo nxorri vezën e zier fort. Në fund ajo i kërkoi të rrufisë një gllënjkë kafe. Aroma e kafes e bëri të buzëqeshte vajzën.

“Mami- ç'do me thënë e gjithë kjo?”–pyeti vajza.

Mamaja i shpjegoi se patatet, vezët dhe kafja u përballën me të njëjtin mjedis: Ujin e vluar. Por secila reagoi ndryshe. Patatja hyri e fortë dhe doli e butë dhe e dobët.

Veza ishte e thyeshme me lëvozhgë të hollë. Por pas ujit të vluar veza u bë e fortë.

Kokrrat e kafes e ndryshuan ujin duke e kthyer në diçka tjetër. 

“Cila je ti? – e pyeti të bijën. Kur një situatë të troket në derë, si do t’i përgjigjesh? Do jesh një patate, vezë apo kokërr kafeje? “

Morali: Në jetë na ndodhin shumë gjëra, por ajo që ka më shumë rëndësi është se çfarë ndodh brenda nesh.