Fjalë për situaten, zgjedhjet, kuptimin e “polemikës” dhe fabulën time “Bjeri trungut” - Nga Vangjush Saro
Gjithnjë acarohet situata në prag të zgjedhjeve të radhës. Ngaqë alternativat e paraqitura peshojnë pak e nuk janë bindëse, ngaqë politikat janë po ato e protagonistët gjithë po ata, shtohen përpjekjet për ta “rënduar kandarin” me llafe. Shpërthejnë mëritë e inatet, hapen (plasin thuaj) thasët e gënjeshtrave dhe njerëzit pothuaj ulërijnë; lart e poshtë e në të katër anët. Mediet dhe rrjetet përcjellin me detaje sherrnajën; gjer dhe fëmijët u lemerisën nga zhurma e konflikteve tona shekullore…
Kjo klimë, është vërtet e padurueshme dhe fyese. “Stuhia” që po shkul dhe po shkallon njerëz e institucione, nuk se do të sjellë ndonjë ditë me diell. Është parë disa herë ky “film”. Për të gjithë ata që ulërijnë - për të shkuarën, për të sotmen, për zgjedhjet, për individë të caktuar, për interesat që i lënë pa gjumë, për borxhet që kanë për të larë apo për ku di unë çfarë tjetër - po vazhdoj pak në këtë temë, edhe pse më ngjall veç trishtim.
Cili është thelbi i një diskutimi, i një replike? Më ka ndodhur disa herë, pak herë, që njerëz të caktuar, ndonjëherë të njohur a miq, ndonjëherë krejt të rastësishëm, përfshihen me ty në polemikë dhe s’dinë të ndahen… Para disa kohësh, më qepet dikush (për fat të keq, edhe koleg) pasi kisha shkruar diçka për gjuhën amtare. Dhe - fjala bie fjalën - shkoi biseda deri te prishja e kishave dhe xhamive (fundi i viteve ‘60). Në këtë pikë, unë i thashë polemizuesit të palodhur se në Korçë, me këtë punë, nuk ishin marrë fëmijët e nxënësit, por punonjësit e Komunales. Kaq. Se çfarë tregon kjo, disnivel, përparim apo rastësi, unë nuk kam hyrë asnjëherë në këtë nëntemë, se do të më dukej sikur po i rezervoja njëlloj llastimi vetes, miqve dhe vendlindjes. Mirëpo tjetri nuk pushonte, nuk ndahej, donte me doemos të mbyllej biseda me klithmat e tij. Zot, na mba mendjen (!) Kurse unë nuk mbaj mend si e hoqa qafe…
Edhe para disa ditëve, me shumë vështirësi u ndava nga një “polemizues” këso. Kjo është… nuk di ç’emër a ç’epitet t’i vë. Kur thua diçka për të majtën dhe për ndonjë të majtë, të hidhet në fyt ndonjë mik apo i njohur i këtij krahu. Kur thua diçka që “cënon” antikomunistët (O, ç’fjalë e madhe!) të kërcejnë si dreqër të tjerë “polemizues”, që edhe i njeh, edhe s’i njeh, por që janë gati të të godasin me çfarë të kenë në dorë… Në “polemika” këso, rëndom ndahen mendime të ndryshme; ti e pranon këtë gjë, përpiqesh të sillesh mirë, e njatjeton tjetrin, i uron edhe mbarësi. Por ai s’ka ndër mend të ikë, kthehet sërish; dhe ti sërish e përcjell me edukatë e, pas kësaj, mendon se u mbyll (palo)polemika… Jo! Tjetri ngul këmbë, jo dhe jo, është kështu si them unë. Madje këmbëngulja shkon deri atje, sa ai të tregon edhe kush je ti, thuaj sa të duash që unë jam kështu, përpiqem të jem kështu, jo jo, ai e di më mirë edhe këtë gjë… Dhe është e kotë të vazhdosh polemikën, se atij nuk i mbyllet gryka (!)
Kam përshtypjen që kjo ka të bëjë me tipin, llojin, formimin, edukatën, pak (apo shumë?) edhe me ADN-në ballkanase, ca më tepër atë shqiptare, por ka të bëjë edhe me rastin. Sidoqoftë, them se është inspiruar edhe nga palo-politika dhe disa të ashtuquajtura “panele”, biseda nëpër TV, ku politikanë e analistë të paekulibruar, ndonjëherë psikopatë, nuk dinë të pushojnë; dhe kështu, diçka që është nisur për të ftilluar publikun, e turbullon më keq atë, kurse tipave të veçantë (si ata që përmenda më lart) ua shton zellin për sherr, i përfshin si të thuash në njëlloj “shkolle klithmash” dhe ata, në rastin më të parë, zhveshin shpatën. De, o njeri, kemi vështrime të ndryshme, e lëmë me kaq! Jo, s’është ashtu, është kështu…
E shtova këtë detajin e TV-ve, sepse në disa vende ku kam qenë për një kohë apo ku kam jetuar e jetoj, nuk kam parë kaq shumë grintë për të kundërshtuar, për të klithur, për të sharë, për të ngulur këmbë te “e vetja”, etj. Është për të thënë: O Zot, na jep pak paqe! Hë, se harrova: nga motive të tilla ka lindur fabula “Bjeri trungut!” që tregon se si për shkak të marrëzisë së Qukapikut, u prish miqësia mes tij e Bilbilit dhe ky shkoi të këndonte… “në një teatër gjethësh”. (Them se është mirë kjo metafora.)
©Vangjush Saro












