Shkenca e dashurisë - Nga Ervina Toptani
Shumë pak njerëz e mendojnë shkencërisht dashurinë, sidomos kur personi është në fazën më të bukur të saj, atë të njohjes, të të rënit në dashuri ose atë që njihet masivisht si faza e "fluturave në stomak“. Ky shpjegimi i dashurisë nëpërmjet formulës së dhënë në foto më ngacmoi shumë për të sjellë diçka të shkurtër, bazuar në një studim shkencor mbi dashurinë.

Uroj të ketë vetëm të dashuruar në këtë botë sepse vetëm kështu ajo bëhet më e bukur për të gjithë sëbashku.
Çfarë i ndodh trupit dhe mendjes tonë kur dashurohemi?
Përpara se shkencëtarët t`i përgjigjen kësaj pyetje në bazë të shpjegimit neurobiologjik duhet sqaruar se “të rënit në dashuri” dhe “dashuria” janë dy faza të ndryshme. Kur njeriu dashurohet, kjo është faza e lidhur ngushtë me biokiminë funksioni i së cilës është të afrojë dy njerëz. Ky është një mekanizëm shumë i hershëm që i ka rezistuar kohës dhe historisë së evoluimit të njeriut për të garantuar kështu dhe vazhdimësinë e racës njerëzore.
Dashurian nga ana tjetër i nënshtrohet mekanizmave të ndryshëm biokimikë dhe është më e lidhur me kulturën e të mësuarit, të duruarit, të njohurit etj., sesa me kulturën natyrore të lindur. Dashuria ndërmjet dy njerëzve ka funksionin për t`i garantuar stabilitet bërthamës familjare gjë e cila sjell dhe lindjen e fëmijëve dhe rritjen e tyre në të njëjtën bërthamë dashurie të konsoliduar.
Po si biem ne në dashuri?
Një rol kryesor në zgjedhjen e partnerit e luajnë feromonet, të quajtur ndryshe si "lajmëtarët kimikë“, të ndërmjetësuar nga olfati që sekretohet nga gjendra të veçanta të pozicionuara në zonën e pasveshit, vazhdojnë në zgavrën sqetullore e arrijnë deri në zonën gjenitale. E zgjedhim partnerin edhe në bazë të aromës. Aromat, sikurse shijet ndërmjetësohen nga pjesa më pak racionale e trurit. Shkenca thotë se preferenca e një arome nga një tjetër vendos pajtueshmërinë gjenetike më të madhe ndërmjet dy njerëzve.
Kur dashurohemi aktivizohet një seri e tërë mekanizmash psikologjikë e biokimikë që e kthejnë këtë gjendje në formë shumë të ngjashme me varësinë nga substancat jo-natyrale. Eksitimi fizik e seksual, nevoja konstante e të qenit bashkë me "të përzgjedhurin\përzgjedhurën“ dhe nxitja psikomotore janë të gjithë mekanizma tipikë që aktivizohen kur në trupin tonë gjenden në masa të mëdha elementë si: dopamina, noradrenalina, feniletilamina.
Prezenca e këtyre neurotransmetuesve për fat më mirë nuk zgjat shumë kohë dhe i lë vendin në një kohë të shkurtër substancave më pak "eksituese“ por që garantojnë qëndrueshmërinë e një raporti ndërmjet dy njerëzve. Këto substanca janë oksitocina për femrat dhe vasopresina për meshkujt. Neurotransmetues të tillë përfaqësojnë korrelacione biokimikë të gjendjes shpirtërore siç është dashuria, përkushtimi, përkujdesi për njeriun e zemrës dhe aktivizohen në masa të mëdha prej përkëdheljeve dhe përqafimeve.
Është interesante të vemë re se në çiftet e dashuruar që nuk jetojnë bashkë e që takimet nuk i kanë shumë të shpeshta (krahasuar me çiftet që jetojnë bashkë), neurotransmetuesit tipikë “të të rënit në dashuri” e të pasionit duket se zgjasin shumë më gjatë në kohë dhe gjendja e stabilitetit (pra zvogëlimi i elementëve dëshirues truporë) vjen shumë më vonë. Një grup kërkuesish nga universiteti i Piza-s publikuan në revistën “Psychoneuroendocrinology” rezultatet e kërkimit të tyre shkencor që tregon sesi gjatë fazës së rënies në dashuri niveli i testosteroneve rritet ndjeshëm tek femrat dhe ulet tek meshkujt. Tek këta të fundit, në kundërshtim me atë çka mund të mendohet, ulet niveli i testosteroneve që është dhe hormoni mashkullor që komandon disa sjellje tipike mashkullore agresive qoftë këto dhe në lidhje me impulse seksuale. Kështu shpjegohet bërja më i “ëmbël” tek meshkujt që verifkohet me rënien në dashuri edhe tek subjektet mashkullorë më agresivë e luftarakë si natyra.
Ndërsa tek femrat ndodh saktësisht e kundërta, testosteroni rritet. Ja përse femrat e dashuruara kanë më shumë temperament dhe shpesh janë më "agresive" se meshkujt në fazën e rënies në dashuri. Kështu shpjegohet një tjetër klishe që i sheh burrat si “në mëshirën” e vullnetit të grave në fazën e të rënit në dashuri (të moskeqkuptohemi, këtë gjë e bëjnë përgjithësisht duke qenë ëmbëlsisht të sjellshëm) në fillim të raportit e jo pak herë një sjellje e tillë bëhet objekt që personi të jetë në gojën e të tjerëve, ndonjëherë (në varësi të moshës) edhe i “ngacmuar” nga shokët për këtë ëmbëlsi në sjellje krejt të papritur që të tjerët nuk e kishin vënë re më parë tek ky person.
Këtë strategji, shkencëtarët e konsiderojnë si mbijetëse, sepse në fazën e rënies në dashuri ose faza e të ndjenjurit bashkë, është prioriteti kryesor. Për të arritur në përfundime të tilla interesante, shkencëtarët kanë analizuar sjelljet e 12 meshkujve dhe 12 femrave të dashuruara, që i kanë ndjekur nga afër në 6 muajt e parë të lidhjeve të tyre dhe i kanë vënë ata përballë 24 vullnetarëve të tjerë që ishin të padashuruar ose që kishin lidhje të gjata me partnerët e tyre e që e kishin kaluar fazën e të rënit në dashuri prej vitesh.
Një tjetër gjë, kësaj rradhe jo fort pozitive përsa i përket të dashuruarve është rritja e hormonit të stresit pavarësisht nëse përsoni i dashuruar është femër apo mashkull, ky hormon, në fazën e rënies në dashuri, është gjithnjë në rritje. Pra fillimi i një lidhjeje të re apo faza e rënies në dashuri është në mënyrë të barabartë stresuese si për femrat dhe për meshkujt.
Përshtatur nga një studim i këndshëm mbi dashurinë
©Ervina Toptani











