Psikologji

Narcistët e ditëve tona  

Nga Muazeze Qilimi Kanushi

Lulet iu pëlqejnë të gjithëve. Narciset janë të preferuara për mua dhe pse grekët e lashtë e quanin “lulja e vdekjes”. Sipas legjendës së grekëve të lashtë dhe Ovidit te "Metamorfoza", Narcizi, bir i Kefisit, Zotit të  lumit dhe nimfës Laurione ishte një bukurosh ambicioz e mendjemadh. Refuzon dashurinë e nimfës Eko e kjo vdes nga pikëllimi. Perëndia e hakmarrjes Nemsis i ngre kurth që e realizon Perëndia Afrodita. E bën Narcizin të dashurohet me vetveten e ai mbytet në pasqyrimin e tij në lumë. Nga kjo legjendë një kategori njerezish i quajtën narcistë.

Sipas studimeve njerëz me psikologji narciste janë rreth 5% të popullsisë. Rritet ky numër edhe me polarizimin e shoqërisë. Çdokujt mund t’i ketë rënë rasti të kenë njohur njerëz të tillë. Sipas Frojdit në qendër të personalitetit të njeriut është "uni", “egoja“ që lind e zhvillohet bashkë me njeriun. Me unin lidhet vetëvlerësimi, që ka të bëjë me besimin tek vetja dhe është i domosdoshëm në zhvillimin e personalitetit, sipas psikologjisë moderne. Kur teprohet kalon në egoizëm. Por egoistët dhe narcistët kanë ndryshime të dukshme.

 Narcistët

  1. Synojnë drejt madhështisë dhe përgjithësisht kanë delire madhështie.
  2. Bota e jashtme pushon së ekzistuari para vetes.
  3. i dëmton ndërveprimi me objektet dhe subjektet e botës së jashtme.
  4. Gjithcka të mirë ua atribuojnë vetes, kurse dështimet i lidhin me të tjerët
  5. Nuk marrin në konsideratë ndjenja dhe emocione jashtë vetes.
  6. E kanë të vështirë të shikojnë te tjerët të shkëputur nga interesat e tyre të ngushta personale.

Egoistët

  1. Duan mirëfunksionimin e vetes.
  2. Bota e jashtme për ta është e gjallë dhe e prekshme, por në qendër është vetja.
  3. Objektet dhe subjektet e botës së jashtme janë kusht i domosdoshëm për ta.
  4. Nuk lejojnë t’u jepen merita te paqena.
  5. Kërkojnë balancën midis vetes dhe të tjerëve për rritjen personale.
  6. Kërkojnë mirëqenien personale me të tjerë të krahasueshëm.

 Disa tipare të tjera të narcistëve:

  1. Zmadhojnë arritjet e tyre, prirjet mikro e pseudotalente.
  2. Kërkojnë admirim të vazhdueshëm. Rrjetet sociale i përdorin kryesisht për të përmbushur interesat e tyre. Edhe"selfiet" ndërlidhen me narcismin e vetëprezantimin. Shpesh ndryshojnë profilin për të treguar dukje dhe të kërkojnë vëmendje. Publikojnë edhe arritje të parëndësishme publike me komente vetiake mburravece.
  3. Janë manipulues. Sipas situatave bëjnë kameleonin. Për të arritur qëllimet përdorin shumëçka dhe janë makiavelistë.
  4. Janë me qëndrime ekstremiste ndaj kategorive të ndryshme njerëzish. Iu lëpihen atyre që kanë interesa dhe shpërfillin të tjerët që s'u interesojnë. Marrëdhëniet me njerëzit i kanë për komoditetin dhe interesat e tyre të ngushta, dhe jo nga sinqeriteti e humanizmi.
  5. Në bisedat me ta zotërojnë fjalët: unë, mua, ne, neve, imja, jona (nuk përfshihet bashkëbiseduesi, por familjarët dhe miqtë e interesit). Egocentrikë dhe jo bashkëbisedues të pëlqyeshëm.
  6. Nuk vlerësojnë ndjenjat e të tjerëve, sepse i konsiderojnë si sende në funksion të vetes. Parimi i tyre i lidhjes me njerëzit është: më duhet, por jo se e dua.
  7. Me këtë motiv bëjnë lidhje me njerëz të kategorive të ndryshme për t’i shfrytëzuar e më pas edhe viktimizuar. Qëmtojnë midis tyre njerëz me kontribute për të rritur vetëvlerësimin e tyre fallco.
  8. Kanë ambicje të sëmurë, xhelozi e zili për arritjet e të tjerëve e nënvlerësim për njerëzit e thjeshtë.
  9. Fshehtas nxitin konflikte e më pas marrin rolin e "paqësorit".
  10. E mbajnë veten me të madhe për gjithëdituri, por ndjehet shterpësia, kultura e përciptë dhe në fusha që e quajnë veten specialistë.
  11. Besojnë se janë superiorë, të talentuar, shkencëtarë etj.,dhe të tjerët i quajnë "të rëndomtë","pa nivel","pa kulturë"etj. Dhe kur kanë përfituar prej tyre të mira i flakin njerëzit që s’iu duhen më për lavdinë e tyre.
  12. E konsiderojnë veten si qënie njerëzore më të rëndësishme se të tjerët.
  13. Narcistët, në pamje të parë janë miklues, të dashur, lëpirës, të kudondodhur për t’u dukur e jo për të përfituar vlera morale, kulturore e shpirtërore.

Narcizismi është çrregullim personaliteti e që kalon dhe në çështje të shëndetit mendor. Narcistët nuk janë vetëm e keqja e vetes së tyre, por nga të mërzitshëm e të papëlqyeshëm bëhen edhe të dëmshëm për shoqërinë. Jo lehtë e menjëherë dallohen. Maskat që përdorin ua mbulojnë në fillimet e njohjeve narcizmin, por me kohë vetëdemaskohen.

Si është cilësuar narcismi nga dijetarët e filozofisë e psikologjisë? 

Erih From: "narcizmi bart në vetvete shumë maska, shenjtërinë, ndjenjën e miqësisë, dashurinë, modestinë dhe krenarinë".

Zhan Zhak Ruso: "narcizmi apo egoizmi sjell më shumë njerëz lapërdharë se sa dashuria".

Cicero: "Kush dashuron veten, nuk ka miq e rivalë".

Ndërsa populli ka thënë në formën e një mallkimi: "Të hyftë vetja në qejf".

Gjithë sa më lart, kuptojmë që lipset t'i njohim këta njerëz e të mos bëhemi viktima të tyre. Sa i përket raportit me ta, do bëjmë mirë t’i zhvlerësojmë duke mos i kushtuar shumë vëmendje “bukurisë” apo “madhështisë” së tyre. Kjo do të ishte terapia më e mirë për ta!