Mrekullia ose dhurata e diellit të dytë, Syri-ut flakërues dhe ndikimi i tij mbi lumin e madh Nil
- Published in Kulturë
- Nga: Burim Bardhari
Studiuesit egjiptologë dhe disa shkencëtarë të disiplinave të ndryshme natyrore habiteshin me një “dukuri të paqartë” të lumit por qenësisht e bekuar. Ata hamendësonin vërshimin e lumit Nil mu në piskun e vapës verore, gjatë periudhës së njohur si djegagur (ose anglisht “dog days of summer”, sipas yjësisë së qenit), fillimisht duke u nxitur nga diellndodhja verore (për banorët e hemisferës veriore) ose solstici veror, 21 qershor, kur dielli kulmon, por zakonisht kur pritet e kundërta, rënia e nivelit të ujit duke u kërcënuar me thatësi dhe jo fryrja e tij.
Lumi Nil, më i gjati në botë, rreth 7 mijë km, me dy degët, i bardhi dhe blu, shënojnë burimet përkatëse diku larg në jug të Ekuatorit mestokësor dhe pastaj bashkë si një lumë derdhen duke rrjedhur deri në veri, te delta ose gryka e detit Mesdhe. Duhet patur kujdes sepse pamja e lumit në hartë mashtron syrin dhe duket sikurse rrjedh anasjelltas nga veriu me derdhje në jug, që përndryshe do të pamundësonte lundërbartjen e gurëve të mëdhenj nga largësia 500 km e gurores së Asuan-it.
Mirëpo kjo nuk paraqiste vështirësi për egjiptianët systërvitur të cilët lashtësisht sodisnin qiellin dhe i ndiqnin yjet kështuqë zbuluan se dielli i dytë, Syriu (Sirius) zhdukej për 70 ditë por do të rilindte padështimthi si yll i ri jëtëmbështetës mu në ditën e stinës verore, solsticit veror (që nënkupton diellndodhjen kulmore gjatë verës). Pikërisht, për shkak të rritjes së befasishme të nxehtësisë, përshpejtohej shkrirja e borës se maleve etiopiane (kërko “Ethiopian Highlands”) ose nënshtresat e tjera akullnajore të shoqëruara edhe me shira që përfundonin në shtratin e fryrë të lumit Nil, i cili pastaj bekimthi vërshonte brigjet çdo vit dhe mrekullisht bënte vaditjen natyrore të drithërave, pa ndërhyrjen e njeriut me sistem irigimi, madje ishte vërshim tepër i ushqyeshëm sikur i përzier me plehrat natyrale nga vetë dora e njeriut, falë lëndëve të ndryshme që merrte përpara.

Rrjedhimisht, si ishte e mundur që egjiptianët e lashtë, për dallim të këtyre të sotëm, tejet kundërrastësisht të përvetësonin aq njohuri të lakmueshme, jo vetëm mitologjike ose astrologjike (yjerrëfimore), por edhe njohuri të sakta nga shkencat e astronomisë, gjeometrisë dhe matematikës, ngase piramidat flasin me dy gjuhë, nëpërmjet alfabetit “astro-glifik” ose yjeshkrimit dhe vetë matematikës së amshueshme, që është gjuha e përgjithëshme, ajo e bashkimit të natyrës me njerëzimin, e përhapur nëpërmjet vlerave të njohura siç është numri “Pi”, ose “Përpjestimi i Artë”, etj.
Largrastësisht dhe mjeshtërisht, po ata egjiptianë të lashtë, dinin të përcillnin edhe artin e mësimit me thjeshtësinë e bukur të simboleve, siç është figura e buburrecit që aludon kokën e njeriut: truri i ndarë më dysh si trupi i kandrrës dhe shtatë gjymtyrët që janë përfaqësues të shtatë zgavrave shqisore, 2 të syve ose të pamurit, 2 të vesheve ose të dëgjimit, 2 të hundëve ose të nuhatjes dhe 1 i gojës për të shijuar. Kush i mësoi që tre piramidat kryesore të Gizës të vendoseshin në rreshtim të pasqyruar në qiell me tre yjet e rripit të Ozir-it, hyjnisë egjiptiane që kalatrojançe helenët e ripagëzuan në rripin e gjuetarit mitologjik Orion-it.
Fatmirësisht, gërmimet e vazhdueshme dita-ditës shënojnë arritje njohurish të reja dhe ndonëse kohësisht janë mësime shumë të vjetra, përsëri përbëjnë një trashëgimi të përbashkët për gjithë njerëzimin ashtu sic janë vetë jetëmbështetësit dielli dhe hena.










