Kulturë

Natën kur vdiste Sartre dhe pihej whisky

  • Published in Kulturë
Nga: Luan Rama

Në një shkrim të mëparshëm në librin "Parisi letrar" kisha shkruar kalimthi për vdekjes e Sartrit dhe atë natë kur Simone de Beauvoir dhe i dashuri i saj i dikurshëm Claude Lanzmann kishin kaluar me orë të tëra gjer në natën e vonë duke pirë whisky pranë kufomës së tij. Bisedoja për këtë me një miken time dhe të duket dicka e habitshme, extravagante, e papranueshme, gati perverse, e megjithatë në gjithë këtë mjegull tundimesh e dyshimesh ti thua: ja diçka njerëzore, ja dy njerëz e deshën aq shumë mikun dhe të dashurin e tyre aq sa dhimbjen donin ta shuanin me alkool, ashtu siç i shuante dhimbjet një Baudelaire, një Rimbaud, një Verlaine...përse kështu? Çfarë kishte ndodhur? Çfarë kishin folur ata? Énigmë. Askush nuk e di: Sartre vdiq, pas tij Simone dhe këtë vit kineasti Claude Lanzmann, autori i filmit të famshëm "Shoah" mbi krimet e nazistëve kundër hebrenjve në kampet e përqëndrimit.


Të jesh pranë të vdekurit dhe të pish whisky... Ndoshta duhej një dhimbje fatale për të mundur të flisnin për dashurinë, jetën dhe vdekjen, të flisnin sërish për Hiçin, për atë çka u thoshte shpirti, jo arsyeja. Ndoshta kjo ishte përshëndetja e tyre më e sinqertë, ndoshta proverbiale. Të dehesh që të flasësh me vdekjen, të dehesh që të lësh shpirtin të gulçojë. Përpiqem të imagjinoj atë dhomë spitali, të vdekurin Sartre të mbuluar me një çarçaf të bardhë dhe kokën zbuluar, sytë mbyllur në atë gjumë të përjetshëm. Sartre kishte ikur nga kjo botë e megjithatë ai ekzistonte ende aty ringjallur për ta pirë whisky-n sëbashku si dikur në baret e Montparnasse, në La Coupole apo Café de Flore për të folur për thelbin njerëzor dhe dashurinë. Një i vdekur dhe e dashuria e tij e përjetshme, i dashuri i saj dhe miku besnik i Sartre... Ata kthenin shishen e whisky-t, spërkateshin me të dhe belbëzonin mes historive gazmore dhe lotëve, fjalët e fundit të dashurisë.

Shko tani, është vonë!”- i tha Simone mikut Lanzmann. Dhe ai shkoi si nëpër mjegull me dhimbjen në gjoks. Më pas infermierja kishte hyrë që Simone të largohej se askush nuk mund të qëndronte me të vdekurin, por ajo u shtri krah tij në atë shtrat të vogël që mbante të dashurin e saj: “Duhet të fle sonte me të!”