Pluton Vasi flet ndryshe me “Ndërkombëtarët”
- Published in Kulturë
Sillni ndërmend një situatë konflikti qoftë edhe bisedimesh apo ndërmjetësimesh mes partive politike opozitare në rajonin tonë. Çfarë ka ndodhur? Ia kanë dalë? Apo kanë pritur ndërkombëtarët?? Eh sigurisht, ndërkombëtarët janë ATA, që çdo shqiptar, maqedon, serb, apo kosovar i pret si varkë shpëtimi. Pritet fjala e fundit e tyre që të merret frymë paskëtaj.
Pse jo, ndonjë situatë e tillë mund të ketë qenë burim frymëzimi për Ylljet Aliçkën kur shkroi librin e tij “Rrëfenjë me ndërkombëtarët”. Libri ngacmoi regjisorin Pluton Vasi deri në atë pikë saqë ta bënte film. Dhe nuk është kollaj të flitet e të përpunohen subjekte si Ndërkombëtarët. Për disa mund të jenë tabu, sepse të cekësh ndërkombëtarët është njëlloj si të vetëshpallesh armik populli. Por Pluton Vasi e mori riskun ndër sy përmes komikes dhe dramatikes, për të shpalosur krizën morale të të huajve dhe krizën e identitetit e të përkatësisë së vendasve, shprehur përmes ndjenjës së inferioritetit.
Filmi “Ndërkombëtarët” ka bërë bashkë aktorë të rinj me ata të famshëm si Eni Shehu, Kastriot Çaushi, Alfred Trebicka, Lulzim Zeqja, Eriona Kakeli, Karafil Shena, Rovena Lule, Indri Shiroka, etj. Është realizuar brenda një kohe të shkurtër, që do të thotë se Pluton Vasi i ka patur të gjitha të realizuara në kokë, dhe vetëm fjalën “aksion” në shesh xhirimi i duhej të artikulonte. Por sigurisht që filmi ia pati nevojën për mbështetje edhe Qendrës Kombëtare të Kinematografisë dhe Radiotelevizionit Publik Shqiptar. Të gjithëve na mbetet të shohim premierën me padurim, në mos premierën filmin “Ndërkombëtarët” shqiptarët e diasporës do ta shohin të shfaqur me siguri nga RTSH.
©FlasShqip.ca










