Fjala e Nolit në 50-vjetorin e Diellit
- Published in Kulturë
Fjala e Nolit, e mbajtur në Boston në vitin 1959 në një mbledhje të organizuar nga shqiptarët e Amerikës, me rastin e 50-vjetorit të botimit të gazetës "Dielli".
Zoti Kryetar,
Fort i përndershëm Imam,
Fort i përndershëm Baba,
Të përndershëm priftërinj,
Zonja dhe zotërinj,
Doktori qëparthi përmëndi fyellin e Faikut, ndjesë pastë. Edhe ay fyelli i Faikut më kujton një mesele. Si Faiku, ashtu edhe unë kam patur një dobësi për muzikën dhe kur vajta në Shqipëri, duke ditur ato hallet e mbëdha që kishim të përballnim, mora edhe një fyell pas (qesh). Që këtu-atje të harronj hallet. Ditën e parë kur gjeta kohë t’i bie pakëz fyellit, ky bashkëfjalim ngjau në kafenenë e parë të Tiranës:
- Si venë punët e Shqipërisë?
- Keq e mos më keq!, - thotë ai djalë.
- Cili është shkaku vallë?
- Shkaku? Ti e di, - tha. - Kur Kryeministri i bie fyellit dhe Shqipëria digjet, bëj hesap! (të qeshura në sallë)
Dhe s’ishte vetëm halli me Kryeministrin që i binte fyellit, ishte dhe halli i Ministrit të Luftës, i cili kishte shumë dashuri të madhe për vallet e evgjitkave (të qeshura në sallë). Gjithënjë thërriste shokët dhe ipte drekëra, edhe thërriste evgjitkat e Tiranës që të loznin valle atje. U ndodha dhe unë njëherë në një nga ato ziafete. Edhe t’ju thom të vërtetën u çudita me ato vallet e bukura të evgjitkave të Shqipërisë. E pastaj, m’u kujtua se s’janë vetëm evgjitkat tona që lozin valle të bukura. Evgjitkat e Spanjës. Ato vallet spanjolle për shëmbëll, të cilat janë me famë në tërë botën, kush i lot më bukur? Evgjitkat dhe evgjitët e Spanjës. Janë valle spanjolle, jo valle të evgjitkave, se ndryshojnë nga vëndi në vëndit. Po evgjitkat dhe evgjitët s’kanë ndonjë punë tjetër, të shkretën, dhe rrojnë me muzikën edhe me artin, edhe ata specializohen në atë degë. Kështu që kemi vallet e bukura spanjolle të lojtura nga evgjitkat e Spanjës dhe evgjitët e Spanjës, vallet e bukura të Shqipërisë, të cilat lohen prej evgjitkave, avazet e bukura që lohen prej evgjitëve të Shqipërisë, avazet e bukura të Hungarisë, prapë evgjitët e Hungarisë, edhe avazet e bukura edhe vallet e Rusisë, të cilët përsëri i lozin evgjitët dhe evgjitkat e Rusisë.
Këto të gjitha m’u kujtuan këto dy vjetët e fundme që ardhë disa kompanjira të Maqedonisë, të Jugosllavisë e të Greqisë, edhe programi i tyre natyrisht ishin vallet e tyre, të cilat i quanin kombëtare. Nga ato vallet e grekëve, dhe të maqedonasve, dhe të sërbëve, 80% ishin valle shqiptare. Ajo ish përshtypja ime. Do t’ish nonjë gjë e bukur sikur tanët, shqiptarët tanë, të na dërgonin edhe ata një trupë, e cila të na prezantonte vallet shqiptare ashtu siç i kemi parë, ashtu siç i kam parë edhe unë vetë kur na thërriste Ministri i Luftës, edhe ashtu siç i kam parë kur na thirri Loni i Kristos, njëherë, në një dasmë në Devoll. Ato vallet e devollinjve e ato vallet e evgjitkave të Tiranës, edhe ato vallet që shikonje në fshatin tonë, me të vërtetë janë valle të kllasit të parë, edhe mund të thom se ata, të cilët mund të rrinë pranë shqiptarëve, janë spanjollët dhe rusët.
Shoku ynë Nik Kreshpani na këndoi një këngë të nënës dhe ajo më kujtoi një mesele. Të nënës sime, ndjesë pastë. Lëvdata e saj ishte kjo: djali im ka vetullat më të trasha në fshat! (të qeshura në sallë) Nëna, ndjesë pastë, nuk çante kokën fare se ç’kisha prapa vetullave (të qeshura)....
Tashi, mund të vi në themën e ditës. Shumë nga shqiptarët na qahen me këtë menyrë: “Ore ç’kini bërë që lëvdoheni aq shumë?” Edhe kur ta thonë me këtë menyrë, natyrisht, sikur ta presin gjuhën. Se s’kemi lënë kusur, i kemi bërë që të gjitha pothuar. Ç’kishim në program të bënim? Kishim në program të bënim një Shqipëri indipendente. E bëmë! Të mirë a të keqe, e bëmë. Nuk mund të presim, kupton, nga foshnja d.m.th. që t’i ketë të gjitha mirësitë. Foshnjës duhet t’i ipet kohë të rritet e të tregojë se ç’është. S’mund t’i qortosh prindërit e t’u thuash: “ç’kini bërë me këtë foshnjën këtu?” Duhet të presësh gjersa të rritet foshnja e të tregojë se ç’lule është.
Shqipërinë e kishim në program ta bënim, e bëmë. Bëmë një Shqipëri indipendente, kishim në programin tonë që të bënim një Kishë Autoqefale të Shqipërisë, e bëmë. Të mirë a të ligë, e bëmë! Ua lemë si barrë të tjerëve që t’i mirësojnë. Po ne, e bëmë!
Tashi, pasi të bëjmë këtë lëvdatë, duhet të heqim vërejtjen shokëve e t’u thomi që këto të gjitha nuk i bëmë nga e mosqëna, nga hiçja. Për shëmbëll, shumë thonë se shqiptarët s’kanë patur patriotizmë. Gjë më e gabuar se kjo s’ka. Hap “Mbletën shqiptare” të Eftim Mitkos, të botuar më 1878, ku ka mbledhur këngë popullore, të cilat janë disa nga shekulli i 18 dhe disa nga ato janë nga shekulli i 19. Do t’ju thom një nga këto vjershat popullore, e cila është në “Mbletën shqiptare” dhe e cila provon katërçipërisht që shqiptarët kanë patur një patriotizmë të thellë, përpara se të nisi ajo që quajmë lëvizja shqiptare moderne, të cilën ne e nisëm që nga koha e Kristoforidhit, që më 1875. Vjersha popullore që do t’ju dekllamonj tashti është shkruar më 1850, kur u bë kryengritja e Labërisë, në kohën e Tanzimatit. Turqia deshte të impononte Tanzimatin, një Kanun të Përgjithshmë, për tërë viset e Turqisë. Dhe ahere, ajo domethënë që ca të drejta të paka vetqeverimi që kishin shqiptarët do t’i merrte dhe ato Turqia. Kështu vendi do të robërohej fare dhe populli u ngrit. Kryetrimat e kësaj lëvizjeje qenë Rrapo Hekali, Hodo Nivica edhe Gjon Leka. Kënga që do t’ju thom tashi është kënga e Rrapo Hekalit. Është vetëm 11 rradhë. Do t’ja u thom se ma kujton Faiku, i cili e mbante gjithnjë në gojë dhe gjithnjë e dekllamonte. Edhe pastaj do t’jua analizonj …:
"Hajde mor Rrapo Hekali,
Kur thërret sa tundet mali,
Hajde mor Rrapo lule,
Lum si ti bilbil që zure
Një pasha me shtatë tuje!
Topi bam e ti po tutje,
Plumbat të binin mbi supe,
As u trëmbe, as u tute.
Se Hodo Nivica shkoi,
Kofshën derrit ja dërmoi,
Ngriti flamurin te kroi.
Pse lëfton o derëzi?
As për mua, as për ti,
Po për gjithë Shqipëri."
Hapni “Mbletën shqiptare” të Eftim Mitkos që ta gjeni këtë këngë, të shkruar jo më vonë se 1850.
Ato tri radhët e fundme tregojnë se cili ishte qëllimi i asaj kryengritjeje. Ishte për tërë Shqipërinë. Tashi do t’ju bëj një analizë të parë që të shikoni se kjo vjershë, me këto 11 radhë, është një kryevepër e vërtetë, të cilën mund ta shkruante një nga poetët e parë të botës.
Shikoni tashi se si e përshkruan Rrapo Hekalin. Në kohën e Rrapo Hekalit s’kishte telefona. Dhe Rrapo Hekali kur thërriste labërit që të mblidheshin për të bërë luftë, i vetmi telefon që kishte ishte zëri i tij. Dhe shikoni sa bukur e përshkruan:
“Hajde mor Rrapo Hekali,
Kur thërret sa tundet mali.”
Kur bërtiste, “eeej, or shokë”, edhe tundej mali i tërë, gjithë labërit e dëgjonin dhe të gjithë mblidheshin. Tri radhët e pastajme:
“Lum si ti bilbil që zure
Një pasha me shtatë tuje!”
Pashai që zure ti kishte shtatë tuje! Tujet ishin tamam si ato yjtë që mbajnë gjeneralët e Amerikës. Kemi gjeneralë me një yll, gjeneralë me dy yj, me tre yj dhe me katër yj. Përmi katër yj, s’ka gjeneral. Gjithashtu, edhe në Turqi, kishte pashallarë me katër tuje, po jo pashallarë me shtatë tuje. Po vjershëtori do të thotë se çfarë pasha zuri. Ay pasha qe dy herë sa pashallarët e tjerë, domethënë gjenerali më i mirë i Turqisë. Edhe e shtypi Rrapo Hekali (duartrokitje).
Shikoni tashi ato tri radhët që vinë pas. Çfarë strategji, çfarë taktikë mbajti Rrapo Hekali që e shtypi këtë gjeneral të dorës së parë të Turqisë:
“Topi bam e ti po tutje,
Plumbat të binin mbi supe,
As u trëmbe, as u tute.”
Domethënë me një trimëri të fjeshtë edhe asnjë zanat, asnjë mjeshtëri tjatër.
Tashi, ç’gjë e ndizte, ç’gjë e shkaktoj këtë hov të pathyer të shqiptarëve? Vjershëtori na i thotë përsëri me tri rradhë:
“Se Hodo Nivica shkoi,
Kofshën derrit ja dërmoi,
Ngriti flamurin te kroi.”
Hodo Nivica, ay derri të cilit ja theu kofshën, që thua ti, ishte turku. “Ngriti flamurin te kroi”, ishte flamuri i kryengritjes, flamuri i lirisë. Edhe, më në fund, qëllimi për të cilin bëhej e tërë kjo luftë, prapë, përsëri në tri radhë ta thotë vjershëtori, ustaj i madh nuk humbet shumë fjalë, dy-tri fjalë mjaftojnë për të:
“Pse lëfton o derëzi?
As për mua, as për ti,
Po për gjithë Shqipëri.”
Kështu që ne nuk e inventuam, nuk e çpikmë patriotizmën shqiptare, e gjetëm. E vetmja gjë që bëmë është që atë patriotizmë që ekzistonte midis shqiptarëve u përpoqmë ta organizojmë, ta kanalizojmë. Vetëm atë gjë bëmë.
Tashi, arsyeja për të cilën na vajti puna mbarë ishte se kishim një popull i cili, me të vërtetë e deshte Shqipërinë. Edhe një popull i cili jo vetëm kishte patriotizmë, virtytin e patriotizmës, por kishte edhe disa virtyte të tjera, nga të cilat do të nëmëroj vetëm një, të cilën na e kanë thënë të gjithë të huajt, të cilët kanë vizituar Shqipërinë. Kur hyri Shqipëria në Lidhjen e Kombeve, përfaqësonjësi i Hindit, i cili ahere rastisi të ishte një muhamedan, Muhamed Aliu, bëri këtë lëvdatë për shqiptarët. “Sot, - tha, - bëmë punën më të bukur që qasmë Shqipërinë në Lidhjen e Kombeve. Sikur të studjoni historinë e gjithë kombeve që janë çliruar, nuk do të gjeni asnjë shëmbëll si këtë që shohëm sot në Shqipëri. Shqipëria është i vetmi vënd në të cilë tri fera të ndryshme të cilat kudo gjetkë, pasanikët e të cilave kudo gjetkë, therren me njëri-jatrin, janë bashkuar për të krijuar një shtet indipendent. Ky është i vetmi vend, - thotë, - në botë, në të cilën muhamedanë, ortodoksë e katolikë janë lidhur që të gjithë dhe kanë bërë një shtet indipendent. Edhe ky, nga sa di, - shtoj, - është i vetmi vend i cili ka një shumicë muhamedane edhe na dërgon këtu si përfaqësonjës një peshkop ortodoks.” (duartrokitje).
Shumë nga tanët thonë që Shqipërinë e krijoi një pakicë. Shumë e vërtetë! Po, kjo është historia e gjithë kombeve të botës. Merrni për shëmbëll Hindin, me 400 miliunë. Kush e çliroj? Mahatma Gandi. Edhe Mahatma Gandi ç’thosh, kur nisi lëvizjen e tij? E parë e punës, pa armë do ta marrëm, pa luftë. Edhe e mori, pra e fitoj lirinë e Hindit pa armë. Edhe me sa veta thoni? Ay thosh: “Më mjaftojnë të kem 25 mijë njerëz, të cilët të bëjnë pikërisht ashtu siç ju thom, si ushtarë.” Edhe me aq, aq i kishte, nuk i kish më tepër e me ata e bëri Hindin. Pa luftë, pa shkrehur dyfek.
Edhe atë bëmë edhe ne, ishim të pakët këtu, numëroheshim për gishtërinj. Për shëmbëll, kur themeluam këtu “Kombin”. “Kombin” e themeloi Sotir Peci, edhe u gëzova shumë që dëgjova nga miku ynë Antoni Athanas që përmëndi Sotir Pecin. Sotir Peci ardhi këtu edhe e nisi gazetën “Kombi” në qershor 1906. Nja dy muaj pastaj, i dërgova një fjalë që kisha mbajtur në një mbledhje shqiptare edhe ay e botoj atë fjalë. Edhe pastaj më shkroi një letër që nëqoftëse s’ke atje ndonjë punë, eja këtu që të përpiqemi tok, ta botojmë këtë gazetë, se më duhet një ndihmës.
Unë kisha punë, po një punë e cila nuk më pëlqente. Punë në fabrikë të drrasave. Kështu që e lashë me gëzim të madh fabrikën e drrasave (qesh) edhe arçë këtu në Boston për të bërë një punë, e cila më përshtatej më tepër, sipas qëllimit për të cilin kisha ardhur këtu në Amerikë, për të bërë diç për çështjen kombëtare...
Merre çështjen shqiptare ashtu siç e gjetmë ahere. Asnjë organizatë. Kishte vetëm dy a tre persona, të cilët nxirrnin nga ana e tyre disa gazeta. Kishim Shahin Kolonjën që nxirrte “Dritën”, tok me Kristo Luarasin. Edhe tërë puna atje ishte se Kristo Luarasi ishte shumë i zoti si shtypës, kishte një shtypshkronjë dhe ishte i zoti i punës. Good bussinesman! Jo se e ndihmonin shqiptarët.
Ishte Faiku, i cili si rronte? Faiku rronte se kishte një xhaxha shumë të pasur në pallatin e Sulltan Hamitit. Edhe kështu agaj, i gjyshi punonte për Sulltan Hamitin, edhe e përkrahte Faikun, i cili punonte kundër Dovletit (të qeshura), për të krijuar Shqipërinë e Lirë. Si pajtohet kjo gjë e çudiçme? Ay i shkreti s’kishte djema, kishte vetëm çupa. Kishte tri çupa, djalë s’kishte, edhe kishte Faikun si djalë. Faiku, ndjesë pastë, harxhonte më tepër se ç’kishte, edhe çdo muaj i dërgonte bill-in xhaxhait. Xhaxhai menjëherë çekun! E kështu dilte gazeta atje. Pastaj ardhën xhonturqit dhe e vranë xhaxhanë. Edhe u mbarua puna e Faikut! (të qeshura) Mori fund! Edhe ardhi këtu në Amerikë që të rrojë me ne...
Puna e shqiptarëve ishte kjo. U mbodhë njëherë, Naum Cerja thoshte një shaka shumë të bukur, kishin një mbledhje, edhe në atë mbledhje foli Faiku e folë të tjerë, mëndaj. Edhe kur mbaroi mbledhja e pyeti Faiku Naum Cerjen, i tha:
- Si t’u duk kjo mbledhja?
- Ore, kur the një fjalë, - tha, - dhe kërr-kërr më rrothnë lotet.
- Po pse u mallëngjeve?, - i tha ay.
- Po u mallëngjeva, ore, kur the se me shqiptarë si ju, jemi të shigurtë se puna do na vejë mbarë.
- Epo, s’është e vërtetë kjo?
- Jo mor, si e vërtetë? Shqiptarë atje, ti dhe unë ishim, - i tha, - ne të dy (të qeshura në sallë). Ata të tjerët ishin sehirxhinj, u hynin nga njëri vesh dhe u iknin nga tjetri. Andaj më zunë lotet”, - tha (të qeshura).
Mirëpo, bukuria është që ndonëse e nismë me aq pak veta, puna na vajti mbarë. Përse? Se ata të pakët që e nisnë e kishin zjarrin e shënjtë, që thotë frëngu, le feu sacré, kishin zjarrin. Edhe arrinë që atë zjarr ta kenë një pakicë e vogël. Edhe pakica e vogël, nëqoftëse kanë një fushë ku të punojnë, mbarojnë punë. Edhe fusha ishte, sikundër ju thashë, se shqiptarët ishin patriotë shumë përpara, nuk i bëmë ne patriotë, ishin. Dhe ishin të zotët, dhe ishin trima. Deshin vetëm udhëheqës, edhe Perëndia u dha ca udhëheqës për rilindjen e tyre dhe kështu vajti puna mbarë.
E nismë “Kombin” edhe pastazaj, pas tre vjetësh, Sotir Peci shkoj. “Këtu, - tha, - s’bëhet punë. Unë do të shkoj në Shqipëri.” Edhe shkoj për Kongresin e Manastirit ahere, e pastaj mbeti në Shqipëri, pastaj vajti në Shkollën Normale, siç e dini, edhe më në fund, u bë një nga pjestarët e Këshillës së Regjencës.
Po sidoqoftë, nga “Kombi” lindi “Dielli”. Kur shkoj Sotir Peci, na la këtu një shtypshkronjë. Ajo shtypshkronjë ishte në 100, Hatson Street, në një katua... Si e shtypnim “Diellin”? E radhitnim ne vetë, unë, edhe më vjen keq që nuk ndodhet këtu, edhe Thimaqi, i cili ishte kryeradhitësi dhe nga i cili mësova edhe unë zanatin e radhitjes së shtypit. Me atë tok e radhitnim, edhe pastaj, mashinën me të cilën e shtypnim, e shtypnim vetë, me këmbë. Amerika s’kishte përparuar aq shumë ahere sa të përdorej elektriku në mashinat. Shkurt, si shkoi Sotir Peci, mbetën ato mashinat të gjitha atje, siç ishin mbetnë. Edhe, Sotir Peci i la të papaguara. Edhe u mbluathnë disa nga djemat, të cilët i kishin dhënë ato, paratë, atë pagesën e parë, kur i bleu. Edhe thanë, çdo t’i bëjmë këto? Ca thanë që t’i shesim, ca thanë, jo të mos i shesim, po ta vazhdojmë gazetën, të nxjerrim një tjatër gazetë. S’mund të nxjerrim “Kombin” pa lejen e editorit, po mund të nxjerrim një tjatër gazetë. Po që të mundnim ta vazhdonim të nxirrnim një tjatër gazetë, duhej njëherë t’i paguanim ato mashinat, të cilat ishin të papaguara. Kështu që, u mbluathnë në kryesinë e Kristo Qirkës, ndjesë pastë, edhe të Misto Millonait, i cili mblodhi disa nga dardharët, Kristo Qirka mblodhi disa prej korçarëve, disa nga vakëfllinjtë tanë, të cilët s’është nevoja tani t’ua nëmëronj emrat, Dhima, Goni Peterson, Dhima Peterson e të tjerë. E këta i paguan të gjitha këto dhe na thanë: “Ja ku i kini mashinat, tani nxirrni një gazetë!” Edhe kështu nismë “Diellin”, pikërisht me atë metodë me të cilën nxirrnim edhe “Kombin” e Pecit. E radhitnim unë tok me Thimaqin, edhe pastaj e shtypnim në atë katua të mbytur me tym, dyke punuar me këmbë. Po ishim djema ahere, shumë trima, shumë të shëndoshë.
Mirëpo, kjo gazetë e nisur me tërë këto varfërira dhe me tërë këto mundime, u nis gazeta më 15 të shkurtit 1909. Më 1915, Nëntor, 9, 1915, u bë e përditshme kjo gazetë. Më përpara dilte njëherë në javë, pastaj dy herë në javë, pastaj tri herë në javë, edhe pastaj doli e përditshme kur ishte redaktor, ndjesë pastë, Kostë Çekrezi, i cili midis virtytave të tjera kishte virtytin që ishte një punëtor i rrallë, ndoshta punëtori më i madh që ka nxjerrë Përlindja shqiptare.
Tani, dua të kini përpara sysh një gjë. Vërtet “Dielli” përparoi edhe arriu të bëhet e përditshme. Edhe vazhdoj disa vjet pastaj e përditshme. U kthye përsëri në…, u rrallua botimi i “Diellit” se gjysma, më tepër se gjysma e shqiptarëve më të mirë që kishim këtu, u sulë si bagëtia, si kopetë edhe u kthyen në Shqipëri, posaqë u hap vëndi. Edhe ay e sakatosi zhvillimin kombëtar të këtushmë. Vanë atje, edhe kujtonin se kur të ktheheshin do ta gjenin përsëri derën hapur. Kur u mejtuan që të ktheheshin këtu, dera ishte mbyllur edhe s’vinin dot.
Po sidoqoftë, megjith’ ato mundime, “Dielli” vazhdoi. Po si vazhdoj? Këtë duhet ta kini gjithnjë përpara sysh. “Dielli” nuku mund të mbahej vetëm me pajtime. Po të pyeç mirë, asnjë gazetë në botë nuk përmbahet vetëm me pajtime, përmbahet me rekllama. Edhe ne rekllama nuk kemi natyrisht se ay publiku që e këndon atë gazetë, është një publik shumë i vogël, shumë i limituar dhe askush nuk rekllamon pa pritur që të marrë fitime nga ajo rekllamë. Kështu që nuk duhet të dëshpërohemi kur shikojmë se, nga koha në kohë, “Dielli” ngec edhe pret ndihmën tonë.
Tashi, ç’mund t’ju thom për vazhdimin e “Diellit”. E vetmja gjë që mund t’ju thom është kjo: kështu siç bëmë këtë mbledhje të bukur sot, që mblidhemi nga të gjithë anët e Amerikës dhe piqemi, dhe çmallemi, do t’ish mirë që të mblidhemi çdo 3 vjet, më duket, kështu edhe ta kremtojmë. Sa për atë rastin, lëmë Kryetarin e “Vatrës” t’i japë emrin, ta pagëzonjë. Po më duket që çdo 3 vjet, duhet të mblidhemi këtu edhe ta ndihmojmë “Diellin” që të vazhdojë botimin.
Ka dhe një tjatër qëllim kjo mbledhje. Djema nuk jemi më, edhe ngadalë e ngadalë, ay hesapi ynë po shkurtohet dhe mbyllet. Kështu që është mirë të piqemi çdo 2 a 3 vjet, se kush e di se kur piqemi prapë.
Një tjatër gjë të cilën dua t’ju rekomandonj është kjo: “Dielli” do të vazhdojë vetëm sa kohë vazhdon brezi i vjetër. Kështu që këtë gjë e kemi në dorë ne, brezi i vjetër, edhe jemi këtu të lidhim fjalëm që të gjithë, që asnjë prej nesh të mos shkonjë, pranë Perëndisë dua të thom, asnjë prej nesh mos shkojë, pa marrë lejen e shokëve (të qeshura). Edhe po qe se mbajmë këtë rregull që të gjithë, jam shigur se do të mblidhemi që të gjithë shëndoshë e mirë këtu, të kremtojmë 100 vjeçarin e “Diellit”, aq djema sa jemi edhe tani.
Faleminderit.
Shënim: Ky fjalim është transkriptuar nga Henrik Ligori bazuar në rregjistrimin me magnetofon të realizuar në sallë nga një inxhinier korçar shqiptaro-amerikan i quajtur Pol Pando. Zëri bariton dhe humori i këndshëm i Nolit shijohen më mirë në variantin "audio" që, për fat të keq nuk disponohet në format të përshtatshëm për tu publikuar. Por fjalët e tij të mençura nuk e humbasin vlerën edhe kështu të transkriptuara.










