Kulturë

Rrënjët pagane të Pashkës

  • Published in Kulturë

Pashka ka rrënjë pagane. Por nëqoftëse nuk është për Krishtin, atëherë për kë mund të jetë? Sot ekuinoksi pranveror festohet nga një kulturë e tërë laike, ndërkohë që kultura fetare feston ringjalljen. Ishin të krishterët e hershëm ata që përvetësuan në mënyrë pragmatike praktikat pagane të cilat ndjekim ne sot në formën e Pashkëve. Historia simbolike e vdekjes së djalit (diellit) në një kryq (konstelacioni i Kryqit të Jugut) dhe i rilindjes së tij duke mposhtur forcat e errësirës është një nga legjendat më të konsumuara të lashtësisë. Jo vetëm kaq, por në kultura të ndryshme ka pasur një mori shpëtimtarësh që rivalizonin njëri-tjetrin. 
Perëndeshën Sumeriane Inanna (ose Ishtar) e varën lakuriq në dru para se ajo të ringjallej dhe të ngrihej nga bota e nëndheshme. Një nga mitet më të vjetra të ringjalljes është Horusi i Egjiptit. Lindur në 25 Dhjetor Horusi me një sy të dëmtuar ishte simbol i jetës dhe rilindjes. Një tjetër perëndi e lindur në atë që ne e quajmë ditë e Krishtlindjes ishte Mitras. Pasuesit e tij festonin ekuinoksin pranveror. Djelli i Pamposhtur (sol invictus), që buron nga Mitrasi, ishte një ndër kultet pagane të romakëve që rezistoi deri në shekullin e katërt të erës sonë dhe me të cilin kishës i është dashur të merret drejtpërdrejtë. Dionisi, nga ana tjetër, ishte një fëmijë hyjnor, të cilin e ringjalli e gjyshja. Më vonë Dionisi do rikthente nga vdekja të ëmën, Semelen.  Interesant është edhe Kulti i Cibelës që ka lulëzuar dikur aty ku sot është Kodra e Vatikanit. I dashuri i Cibelës kishte lindur nga një nënë e virgjër dhe vdiste e ringjallej çdo vit. Festivali i pranverës që kishte lidhje me të fillonte me të Premten e Zezë dhe vinte duke u intensifikuar për tri ditë rresht, derisa arrinte ngazëllimin me ringjalljen. Në vitet e para të Krishtërimit në Kodrën e Vatikanit ka pasur përplasje të dhunshme midis adhuruesve të Krishtit dhe paganëve, që ziheshin për të përcaktuar se kush ndiqte zotin e vërtetë dhe kush atë të imituar. Është me interes të theksohet këtu që në lashtësi krishtërimi ka gjetur më shumë njerëz të gatshëm për t’u konvertuar pikërisht në ato zona ku ekzistonin mite të perëndive që ringjalleshin. Në këtë mënyrë Krishtërimi i hershëm arriti të binte në ujdi me festivalin pranveror të paganëve. Krerët e hershëm të kishës e festonin të gjithë atë festival, pavarësisht se në Testamentin e Ri nuk ka asnjë gjurmë të festimit të Pashkës. Ndërsa sot shumë kisha ofrojnë për Pashkë “shërbesa me të dalë dielli” -- që është qartë festim diellor pagan. Edhe data e Pashkës nuk është e fiksuar, por ndjek fazat e kalendarit hënor – vështirë se bëhet më pagane se kaq.   Gjithë gjërat zbavitëse që lidhen me Pashkën janë pagane. Lepujt janë mbeturina të festivalit pagan të Eostre, një perëndeshë e rëndësishme e popujve të Europës Veriore që kishte simbol lepurin. Shkëmbimi i vezëve është traditë e vjetër, që festohet në shumë kultura. Edhe simitet me kryq vijnë nga lashtësia. Në Testamentin e Vjetër flitet për izraelitët që piqnin simite të ëmbla për një idhull, ndërsa krerët fetarë përpiqeshin t’i ndalonin. Kleri i kahershëm i kishës ka bërë edhe përpjekje për ta ndaluar pjekjen e ëmbëlsirave të shenjta për Pashkë, por në fund, duke parë rezistencën e grave pagane, hoqën dorë dhe ndërruan taktikë, duke i bekuar ato. 

Pashka është në thelb festë pagane që festohet me kartolina, dhurata, dhe prodhime të posaçme Pashkësh, sepse është zbavitëse dhe sepse simbolizmi i saj i lashtë ende funksionon. Shpesh herë mendoj se forca e natyrës dhe ditët e gjata të dimrit ndihen më shumë në qytetet moderne, ku nisemi për punë duke ndezur dritat e makinës, ku zilja e orës na zgjon në mëngjes pa u shuajtur ende dritat e rrugëve jashtë, sepse është ende errësirë. 

E si mund të festohet më bukur zgjatjen e ditës se sa duke i kafshuar kokën lepurushit prej çokollate, duke shkuar në një “shërbesë me të dalë dielli”, dhe duke mbushur bulçitë me simite të ëmbla pagane? Gëzuar Pashkën të gjithëve! 

Heather McDougall 

Burimi: https://www.theguardian.com/ /easter-pagan-symbolism

Përktheu: Arben Kallamata