Fillesat e teatrit ndër shqiptarë
- Published in Kulturë
- Nga: Dorian Koçi
Fillesat e teatrit në Shqipëri ka të ngjarë të jenë në shfaqjet e “Karagjozit”, një lloj teatri me kukulla i luajtur në oborrin e Ali pashë Tepelenës. Udhëtari anglez J. C. Hobhouse, në librin e tij “Një udhëtim në Shqipëri dhe në provincat e tjera të Turqisë në Europë dhe Azi drejt Konstandinopojës” (1813), përmend faktin që në Janinë pa një shfaqje të tillë, ku personazhe ishin figura të njohura të oborrit të Ali Pashait.
Në vitet e mëvonshme, personazhet u modifikuan duke përfshirë edhe vetë Ali Pashë Tepelenën. Kështu në teatrin “Karagjozi”, një fjalë turke që përkthehet në greqisht Mavromatis dhe në shqip Syziu, gjejmë personazhe si Thanas Vajën, Vezirin , Veli Gegën (një nga komandantët e policisë së Ali Pashë Tepelenës), priftin, mësuesin dhe sigurisht Karagjozin që përmbledh gjithë mënçurinë popullore.
Nuk dimë në se këto shfaqje kanë qenë dhe në gjuhën shqipe, pasi në Greqi vazhdon ende tradita e teatrit të Karagjozit. Gjithësesi, shfaqja e parë teatrore e dokumentuar në Shqipëri është “Dasma e Lunxhërisë” në vitin 1874, e shkruar nga Koto Hoxhi, e cila u vu në skenë nga nxënësit e shkollës normale “Zografia” të fshatit Qestorat në Gjirokastër.
Krijimet e para dhe shfaqja e parë teatrore, përkojnë kësisoj me Periudhën e Rilindjes Kombëtare. E para dramë shqiptare me strukturë të mirfilltë artistike është “Emira” e arbëreshit Françesk Anton Santori (1814-1894), e shkruar më 1885, e cila u botua nga De Rada në gazetën “Fjamuri i Arbrit”.
Drama shqipe arriti nivele më të larta me autorë të tjerë siç janë: A. Z. Çajupi, me komedinë “Katërmbëdhjetë vjeç dhëndërr” (1902), Gjergj Fishta me melodramën “Shën Françesku i Asizit” (1909), Fan. S. Noli, me dramën “Israelitë e Filistinë” (1907), Mihal Grameno, me komedinë në tre akte “Mallkimi i gjuhës shqipe” (1905) dhe tragjedinë në vargje “Vdekja e Pirros “ (1906) etj.
Burimi: doriankoci.blogspot.ca










