E Shtuna e Madhe e Pashkëve
- Published in Kulturë
- Nga: Tonin Frroku
Të Shtunën e Madhe e të Shenjtë të Pashkëve, Kisha rri pranë varrit të Jezu Krishtit, duke medituar mundimet dhe vdekjen e Tij. Pra, në këtë ditë të Shtunë të Pashkëve, Kisha nuk kremton Eukaristinë - Meshën e Shenjtë. Altari, pika qendrore, në të gjitha Kishat, në këtë ditë është i zhveshur në shenjë zie e përkujtimi të mundimit e vdekjes së Shëlbuesit të botës, Jezu Krishtit. Vetëm pas Vigjiljes kremtore - pas kësaj nate të pagjumë të së Shtunës së Madhe të Pashkëve, fillon gëzimi i Ngjalljes së Krishtit, fillon koha e Pashkëve e cila zgjat për 50 ditë, deri në festën e Rrëshajëve - Ardhjes së Shpirtit Shenjt Zot.
Sonte është Vigjilja e Ngjalljes së Krishtit. Nata më e bukur, Nata më e Shenjtë, pika kulmore e tërë vitit kishtar, thelbi i tërë fesë sonë të krishterë. Në këtë Natë të Shenjtë të Pashkëve, gjithçka përkon, gjithçka kondensohet dhe merr kuptim të ri në Dritën e saj shpëtimprurëse. Është një ritual, ai i liturgjisë së shenjtë, i ngarkuar me simbole, një "memorial" - "kujtesë" reale dhe e mistershme e tërë historisë dramatike të shpëtimit të njerëzimit, që realizoi Jezusi. Zoti i prini popullit të zgjedhur gjatë historisë së tij të vështirës deri në tokën e premtuar, deri në çlirimin e tij përfundimtar, që është çlirimi nga mëkati e nga vdekja e amshuar. Pashkët, që do të thonë kalim, tregojnë pikërisht kalimin e njerëzimit nga errësira në dritën e Zotit, kalimin nga mëkati në falje, nga urrejtja në dashuri, nga vdekja në jetë.











