I have a dream! 50 vjet pa Marthin Luther King, Apostullin kundra dhunës
- Published in Kulturë
Në orën 06:01 të 4 prillit 1968, diku në Memphis, Tennessee, u dëgjua një e shtënë. Ishte plumbi i një snajperi që goditi në qafë Marthin Luther King-un. E çuan menjëherë në spitalin “St. Joseph” ku u deklarua i vdekur një orë më pas. Ishte vetëm 39 vjeç. Lajmi se lideri amerikan për mbrojtjen e të drejtave civile u vra tronditi mbarë botën.

Pastor baptist dhe themelues i Konferencës së Udhëheqësve Kristianë të Jugut, Luther King pat drejtuar lëvizjen e të drejtave civile që nga mesi i viteve 1950. Një kombinim i fuqisë së fjalës dhe taktikave kundër dhunës përmes demonstratave, bojkoteve e protestave (duke përfshirë marshimin masiv në Washington në vitin 1963) për të luftuar ndarjen dhe për të garantuar të drejtën e votimit për afro-amerikanët.
Vrasja e tij shkaktoi një valë zemërimi në mesin e amerikanëve me ngjyrë, u pasua nga një periudhë zie kombëtare që ndihmoi në përshpejtimin e miratimit të një projektligji kundër diskriminimit në strehim, që do të ishte arritja e fundit e rëndësishme legjislative në epokën e të drejtave civile.
“Unë kam një ëndërr. Edhe pse përballemi me vështirësitë e të sotmes dhe të nesërmes, unë ende kam një ëndërr. Është një ëndërr e rrënjosur thellë në shpirtin amerikan. Më në fund të lirë! Më në fund të lirë! Falë perëndisë së plotfuqishme… Ne jemi më në fund të lirë!”
Ky ishte një nga fjalimet më frymëzuese të shekullit XX, fjalimi historik i Marthin Luther King Jr, i mbajtur më 28 gusht 1963 në Washington që do të shndërronte përgjithmonë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Fraza e famshme “I have a dream”, kumboi fuqishëm përpara 250 mijë protestuesve që kishin dalë për të denoncuar racizmin dhe për të kërkuar barazi.
Tronditja dhe ankthi mbi lajmin e vdekjes së Marthin Luther King, shkaktoi trazira në më shumë se 100 qytete të vendit, përfshi djegie dhe plaçkitje. Mes një vale zie kombëtare, presidenti Lyndon B. Johnson, iu bëri thirrje amerikanëve të dënonin vrasjen e tij duke e cilesuar King si “apostullin kundra dhunës”.
Menjëherë pas atentatit, filluan kërkimet për autorin. Më 8 qershor, autoritetet arrestuan në aeroportin Heathrow të Londrës të dyshuarin kryesor, 40 vjeçarin James Earl Ray. Dëshmitarët e kishin parë atë të largohej me shpejtësi nga një ndërtesë pranë motelit “Lorraine”, me një objekt në dorë që mendohej se ishte arma më të cilën kreu vrasjen nga dritarja e një ndërtese. Më 10 mars 1969, Ray u shpall fajtor dhe u dënua me 99 vjet burg.
Edhe pse kanë kaluar 50 vjet nga vrasja, trashëgimia e Marthin Luther King mbetet frymëzuese jo vetëm për amerikanët por për të gjithë ata që kanë për kauzë mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Sot, memoriali i fituesit të Çmimit Nobel, ndodhet në National Mall Washington sëbashku me memorialet e presidentëve Lincoln dhe Jefferson.
Përgatiti Blerina Ruka - Albanian Montreal Press











