SHQIPËRIA Ç'KA QENË, Ç'ËSHTË, E Ç’DO TË BËHET?
- Published in Kulturë
... Një komb i vjetër, më i vjetri i kombeve të Evropës, Pellazgët e qëmoçëm të mbajtur e të qëndruar që prej mijëra vite në robëri ishin, një komb kaq i vjetër e megjithëse kësaj fort i ri, që tani po zë të lulëzojë për të parën herë, një komb trim e i zoti me një kokë e me një ballë, që s'i ka askush tjetër, me një gjuhë të gjerë e të plotë, të bukur e të lehtë, që e mëson që në gjirin e nënës, një komb të tillë, kush mund ti dalë kundër, e kush mund t'i shkojë përpara?
O burrani, o Shqipëtarë! Nëqoftëse duam e nëqoftëse përpiqemi do të jemi një nga më të mirët e nga më të ndriturit e kombeve të Evropës që të na kenë zili gjithë bota. O burrani! Të mos na mbulojë gjumi i mefshtësisë e i paditurisë, sepse nëqoftëse rrimë kështu, jemi të humbur. Oh! Sa dhimbje e madhe e sa turp i rëndë të humbasë sot, në këtë kohë që edhe më të dobëtit e kombeve kanë gjuhën e tyre dhe po lulëzojnë, një komb si i shqiptarëve që është mbajtur për mijëra vite në robëri, në kohëra tepër të egra. Një komb kaq i mençur, me një gjuhë të bukur të humbasë nga padija e nga të mos pasurit një gjuhë të shkruar! Një komb kaq trim e që se kursen gjakun të humbasë duke u copëtuar prej kombeve të dobët e të frikshëm! Mend kemi, trimëri kemi, gjuhë të bukur e të lehtë kemi, e të mos dimë a të mos duam t'i përdorim gjithë këto për të mirën tonë, po të rrimë me duar lidhur, kjo është më e keqja, të punojmë për humbjet tona, të nxjerrim themelet e kombit tonë me padituritë e të verbërve të vetë?!
A jemi shqipëtarë? Besa, feja, puna, kujdesi, dëshira jonë, mendimi ynë të jetë për Shqipërinë e për shqiptarinë. Të çojmë gjuhën përpara, ta zgjerojmë e ta zbukurojmë me shkronja e me dituri; të hapim shkolla, të mësojmë, të mos mbesë ndonjë shqiptar i paditur e që të mos dijë të lexojë e të shkruajë; të largojmë shkollat e huaja nga Shqipëria e ta mbushim mëmëdheun tonë me shkolla shqipe; djemtë tanë në një kohë të shkurtër të mësojnë të lexojnë e të shkruajnë gjuhën e tyre edhe dituritë që u duhen; meqënëse gjuhën e dinë vetvetiu e mundin ta mësojnë në pak kohë, do të kenë dëshirë të mësojnë mjaft dituri; edhe bariu dhe bujku edhe mjeshtri i mureve nuk do mbetet pa dituri. Këto punë janë të drejtat tona; kush të mos na lërë të punojmë në këtë udhë të së drejtës e të mirësisë, na ka rrëmbyer të drejtën nga dora jonë; është e drejta jonë të përpiqemi me fjalë, me penë, me armë, që të shkëputim të drejtën tonë nga thonjtë e atyre që na e kanë rrëmbyer. Nuk duam të rrëmbejmë gjënë e tjetrit, por s'duam të lemë edhe gjënë tonë e të drejtën e sheshit të na e rrëmbejnë me pahir. Të përpiqemi për të drejtën tonë, për gjuhën tonë, për kombin tonë, për të mirën e kombit tonë; kush të na qëndrojë përpara e të na ndalojë në këtë udhë të shenjtë, të thërrasim, të na dëgjojnë botë e qytetarë, të na ndihmojnë edhe ata në të drejtën e bekuar, që duam të mbrojmë. Të mos trembemi nga asgjë, të përpiqemi që mos të pushojmë deri sa të fitojmë atë që kërkojmë; jemi në të drejtën tonë; Perëndia është gjithnjë ndihmësi i të drejtëve, Perëndia është e drejta vetë! O vëllezër shqiptar! Të mos na ndodhi si atyre të egërve të Australisë e të Afrikës, që vendet Evropiane i gënjejnë me ca rruaza e me ca dragole të qelqta e me pasqyra të pafillta e u marrin vendin e tyre nga dora. Të mos gënjehemi edhe ne ashtu me ca copa pafillësh e qelqesh, që s'vlejnë asnjë gjë, e të lemë të drejtat e kombit e të mëmëdheut tonë në duar të të huajve e të armiqve tonë. Të thyejmë zgjedhën e huaj, që po na shtrëngon këmbët, të hidhemi më sipër hijes së rendë, që po na shkel e po na shtyp e s'na lë të marrim frymë!
Të mos rrimë të mpirë e të ngrirë, të lëvizim duar e këmbë, të tundemi e të lëkundemi, të ecim të lirë në udhën e Perëndisë, në udhë të së drejtës:
PERËNDIA, E DREJTA, KOMBI, GJUHA! SHQIPËRIA, SHQIPTARIA!
Ja qëllimi ynë! Ja puna jonë e shenjtëruar! Ja besa jonë! Të gjithë ata që kanë këtë qellim, janë vëllezërit tanë! Në mesin e Shqiptarëve të vërtëtë s'ka ndonjë ndarje, ndonjë përcarje, ndonjë dyshim! Janë të gjithë vëllezër. të gjithë një trup, një mendje, një qëllim, një besë!
Përmbledhje nga vepra: Shqipëria c'ka qënë, c'është, e c’do të bëhet?
Sami Frashëri










