Kulturë

Çmimi i dijes

  • Published in Kulturë

Çmimi i dijes
(sipas një rrëfenje arabe)

Një perandor thirri njeriun që e mbanin për më të diturin e mbarë zotërimeve të tij dhe i kërkoi të shkruante një vepër, ku të përmblidhte të gjitha dijet themelore.
Ditunari iu vu punës dhe, pas dymbëdhjetë vjetësh, i paraqiti monarkut veprën e tij me disa vëllime.
- I paske rënë shumë gjatë! - i tha perandori. - Njohuritë themelore m'i përmblidh në një vëllim të vetëm.
Dijetari u bind dhe u rikthye pas katër-pesë vjetësh, me dijet e përmbledhura tashmë në një vëllim.
- Përsëri më duket shumë gjatë, - i tha perandori. - Unë mbaj mbi shpinë të gjitha hallet e perandorisë, nuk kam nge të lexoj kaq shumë. Dijet kryesore m'i shkruaj në katër-pesë faqe dhe m'i sill përsëri.
Dijetari iu rifut punës. Pas dy-tri vjetësh, ia doli të përmblidhte thelbin e dijeve në disa faqe dhe ia paraqiti monarkut. Por, ai ishte shumë i zënë atë ditë, ndaj i kërkoi një përpjekje të fundit: t'i hidhte dijet kryesore në një faqe të vetme.
U deshën përsëri vite pune që dijetari t'i përqëndronte dijet vetëm në një faqe.
- Oh, përsëri shumë gjatë, - i tha perandori. - Më dëgjo mua, mos shkruaj më asgjë! Gjithë sa di përmblidhe në një fjalë të vetme dhe eja ma thuaj. Për këtë do të shpërblej.
Dijetari u ul në një kodër të rreshkur nga dielli dhe u mendua gjatë. Më në fund, kur arriti të përmbledhë në një fjalë të vetme gjithë dijet e tij, i kërkoi takim perandorit që, tashmë, ishte bërë plak me mjekër.
- Hë, e gjete fjalën e duhur? - e pyeti dijetarin.
- Po Madhëri, e gjeta.
- Afrohu këtu. Ma thuaj shpejt, por me zë të ulët.
Ditunari iu afrua perandorit dhe diçka i pëshpëriti në vesh. Perandori, i vetmi që e dëgjoi atë fjalë, bërtiti:
- Pse kjo qenka?! Po këtë unë e dija!

 

[Jean-Claude Carrière, Le cercle des menteurs, Plon 1998]  Përktheu: Henrik Ligori