Kulturë

Paris - Kafeneja e famshme ku dëgjohet edhe shqip

  • Published in Kulturë
Nga: Luan Rama

Parisianët, ashtu si francezët në përgjithësi, e pëlqejnë në veçanti jetën e kafenesë e të bistrosë. Heminguei dhe romancierët amerikanë që zbarkuan në Paris në vitet 1920-1930, u tërhoqën pa masë nga këto mjedise të paqta. Në kryqëzimin e Saint-Germain-dès-Près tre kafe-restorante janë nga më spikatëset dhe shumë afër njëra-tjetrës: «Café de Flore», «Les Deux Magots» dhe përballë tyre «Lipp», aq i dashur për Heminguein apo Miteranin, i cili shpesh i linte atje takimet politike.

«Café de Flore»

«Café de Flore» është nga kafenetë e vjetra në këtë zonë, e hapur që në vitin 1887. Nga fundi i shekullit XIX ishin Charles Mourras apo arvanitasi Moréas që e frekuentonin shpesh. Më 1913 ishin Apollinaire dhe poeti tjetër Salmon, ata që adhuronin Moréas, të cilët një mjedis të kësaj kafeneje e kishin kthyer në një lloj redaksie ku hartonin lëndën letrare të revistës «Les soirées de Paris». Në vitet 1930 gjeje aty Trockin apo studentin e ri kinez Cu En Lai. Në vitin 1939, Sartre dhe Beauvoir e kishin bërë këtë kafene si një shtëpi të dytë. Ja çfarë shkruante Sartre: «… Ne u instaluam atje plotësisht. Punonim nga ora 9 e mëngjesit deri në drekë. Pastaj shkonim të drekonim dhe ktheheshim për të takuar me miqtë tanë me të cilët bisedonim ger në orën 8 të mbrëmjes. Pas darkës takonim ata me të cilët kishim lënë aty të takoheshim. Mund të duket e çuditshme por tek «Flore» ne ishim si në shtëpinë tonë…»

Nga vitet ’40-’50 mblidheshin aty Robert Desnos, George Bataille, Giacometti, Queneau apo Picasso dhe piktori Zadkin, etj. «Café de Flore» gumëzhinte nga intelektualët, artistët, një periudhë nga ekzistencialistët, Camus që diskutonte me zjarr me Beauvoir apo Sartre, Jacques Prevert, Boris Vian apo Juliette Greco, letrarë e artistë të skenës, muzikës, aktorë si Yves Montand, Simon Signoret, Belmondo por dhe aktorët e regjisoret e famshêm qê vinin nga Amerika, Orson Wells, Jane Fonda, Seberg, etj. Edhe sot, kjo kafene ka mbetur një kafene elite, dhe mjaft e lulëzuar, aq sa nga larg të duket sikur ke të bësh me ndonjë dyqan lulesh. Veç salloneve poshtë, kati lart është më i qetë dhe intim. Në «Flore», ngjitur me librarinë e njohur filozofike «Hume», takimet janë të këndshme. Jo rrallë takimet mes shqiptarësh bëjnë të dëgjohen dhe fjalë shqipe …