Kulturë

Kafe me mjeshtra të mëdhenj

  • Published in Kulturë
Nga: Vangjush Saro

GRAHAM GRIN, AVENTURIERI XHONS, etj.

Sa vjen dhe e kuptoj më mirë përse që në reshtat e parë të romanit “Komedianët”, Graham Grin mediton për një nga personazhet e tij më të çuditshëm, për Xhonsin, duke propozuar që t’i ngrihej atij një shtatore a një bust, diku buzë rrugës… Xhons ishte një aventurier i rëndomtë - edhe naiv, edhe ëndërrimtar, edhe gënjeshtar, një tip që “s’mbahej në dorë” - por gjithherë i shoqërueshëm e gojëmbël. Ai më kujton paksa Mikober-in e Dikensit. (“David Koperfild”)

Çudi, pra. Ja që ky shkrimtar i madh, me aq përvojë nga jeta, i përkthyer në shumë gjuhë, kandidat për çmimin Nobel, fill e në nisje të romanit të tij, me qetësi, me ironi, me dhimbje, na thotë se nuk do të ishte keq që personazhit të tij t’i ngrihej bust… Atij nëntëdhjetenënçit (!)

Një arsye e kishte z. Grin. Disa arsye. Vështroni se ç’ vodevil luhet përqark: abuzime gjithfarë, të stolisura me demagogji, lista me autorë të paafirmuar apo grafomanë (për hir të një pjate me gjellë apo thjesht pse i bëjnë qejfin listëbërësit), vanitet e hipokrizi pa anë e fund në rrjete, botues që mbajnë fjalime boshe dhe fabrikojnë “vlera” për hir të … klientëve të tyre, letrarë dhe letrare lagjesh që japin këshilla dhe marrin poza patriarkësh, ftesa dhe pengmarrje për lloj-lloj grupesh letrare qesharake, cilësime histerike: i madh, i shquar, përmasë botërore… (Oops!)

Më mirë, njëqind herë më mirë, një shtatore për të shkretin Xhons. Së paku, ai ishte i lexueshëm, i shoqërueshëm, s’e bënte veten asnjëherë se ishte për bust. Dhe shkoi për dhjamë qeni. Kurse këta, pothuaj të gjithë, me mendje të tyre, kanë zënë radhë atje tek derdhen monumentet…

O kasolle ku na mblodhe!