Kulturë

Një vit pa Dritëroin!

  • Published in Kulturë
Nga: Çapajev Gjokutaj

Një vit nga ikja e Dritëro Agollit. Duket se poeti e ka fituar bastin me bashkëkohësinë. Është nga autorët më të lexuar e më të adhuruar. Iku i bindur se i tillë do mbetet edhe për brezat që do vijnë. Dhe shënjat thonë se kishte të drejtë. I ra shorti i poetit në një kohë të vështirë. Kohë kanunesh ideoogjike, që përpiqeshin ta kthenin artin në propagandë. Devolliu i talentuar arriti që, shumicën e herëve, t'i shpëtojë kësaj trysnie dhe të krijojë art. E ndjeu veten pranë asaj pjese të fshatarësisë që u lidh me luftën çlirimtare të udhëhequr nga komunistët dhe që i përkrahu me dëshirë shndërrimet që pasuan. Asnjëherë nuk e mohoi përkatësinë politike dhe, më e rëndësishmja, në momente vendimtare ndikoi dukshëm për modernizimin e të majtës shqiptare.

Vështirë që sot të biem në një mëndje për raportet e tij të ndërlikuara me politikën. Studjues që do të vijnë, të çliruar nga pasionet politike të bashkëkohësit, do të gjykojnë gjer në ç'masë u konformua Dritero Agolli me politikën totalitare dhe, sidomos, ç'pasoja pati ky konformim në veprën që krijoi. Gjithsesi kjo do t'i takojë historisë së letërsisë. Leximi është diçka tjetër. Përvoja e letërsisë botërore dëshmon se, sa më shumë kalon koha, aq më pak biografia e shkrimtarit ndikon leximin që, gjithnjë priret t'i ikij politikës dhe të kthehet në dukuri estetike dhe psikologjike. Ovidi citohet sot e kësaj dite, por arsyet pse Augusti e internoi nuk janë ruajtur. Kur lexojmë Balzakun vështirë se kujtojmë që ishte monarkist në kohën e idealeve republikane.