Kulturë

Shkenca dhe Njerëzimi - Nga Behar Gjoka

  • Published in Kulturë

Nëse njerëzimi arrin të kuptojë se deri në ç’masë ka përparuar shkenca dhe në përgjithësi të kuptojmë intensitetin dhe nivelin tonë evolutiv, atëherë fare mirë mund ta kuptojmë se sa gjigante, e ndërlikuar, e stërmadhuar dhe e shumë-llojshme është gjithësia - ekzistenca materiale.

Kur shikojmë me kujdes të arriturat tona prej pikës kur ne filluam te kuptojmë e ta perceptojmë drejt shkencën, arrijmë në përfundim se ne njohim shumë ligje natyrore e shoqërore, të cilat na shtynë deri në nivelin ku jemi sot. Këtë nuk e bëmë për arsye tjetër, veçse të arrijmë të mbijetojmë, të zhvilllohemi, e ta përmirësojmë jetën e gjithësecilit.

Kemi fatin që po jetojmë ne një kohë kur shkenca ka përparuar në një masë të konsiderueshme dhe po përparon me hapa te shpejtë. Mund të themi mirë e pa pikë dyshimi se po i ngushtojmë perimetrin mistereve rreth ligjeve të natyrës tonë që na rrethojnë. Por për fatin tonë të keq e kundërta ndodh sa i përket mistereve tona jashtë vendbanimit tonë, jashtë shtepisë tonë te vjetër - Tokës.

Hapësira jashtë sistemit tonë diellor (më së largu) për çdo njeri në Tokë është një vorbull gjigante e mbushur me mistere te pafundme për të cilat vetëm mund të imagjinojmë e fantazojmë me baza shkencore.

Gjithësinë e kemi paramenduar si një top (me (pa) fund) që tkurret e zgjerohet në mënyrë te njëtrajtshme e pafundesisht, sa është kjo logjike dhe sa i pershtatet ligjeve shkencore ia lëmë ne dorë kohës e shkencës bashkëkohore. Ky fakt natyrisht se bën pjesë në shkencën e errët, te pasqaruar e misterioze, shkencë për të cilen njerëzit gjithmonë kanë shikuar por s’kane parë gjë.

Është që shkenca përmirësoi jetën e çdo njeriu e besoj që nuk vlen të përmenden shumë shembuj. Thjesht kujtoni kompjuterin e elektronikën në përgjithësi, të cilat ishin revolucion i vërtetë. Pra besimi i njerëzve dhe mbështetja e tyre te shkenca, është shtuar e stërmadhuar jashtëzakonisht shumë gjatë shekullit XX, për shkak të shpikjeve madhore që shkruan historinë.

Shkenca është udhërrëfyesi i njerëzve për të hapur botë te panjohura e të errta. Ajo eshte shkopi i njeriut te verbër. Njeriu i verber edhe pse pa shkop mundohet në një menyrë ta gjejë shtegun e shpëtimin e vet, kurse njerëzimi pa shkencë është vetëm një shoqëri e egër që vdes dalë-ngadalë në Universin e ftohtë, të errët, e misterioz. Pa luftë, pa përpjekje a pa mundime, thjesht vdekje e frikshme dhe e menjëherëshme.

Ajo eshte mburoja e gurtë, dhe simbas fakteve të deritanishme, edhe e pathyeshme.

Çdonjëri nga ne, si qenie që bëjmë pjesë në një bashkësi të quajtur njerëzim, e ka peshën dhe vendin e tij të caktuar në shoqëri, prandaj ne mund te kontribuojmë në ndërtimin dhe në murosjen e mburojës, që ajo të bëhet sa më e fortë, sa më e pamposhtur, e sa më efikase për të vepruar ndaj çdo fenomeni. Nga guri të shëndrrohet në një çelik, në një obelisk të vërtetë.

Deri me tani zelli dhe kënaqësia e muratorëve për të punuar nuk kanë qenë edhe aq shpresëdhënëse. Për arsye të caktuara shoqërore apo ndonjë arsye tjetër, duhet të punojmë ta ndryshojmë mentalitetin njerëzor, sepse një ushtari të madh i duhet mburoja e çeliktë, dhe shpata e mprehtë vdekjeprurëse. Jemi një specie e ndarë padrejtësisht që punojmë për interesa, e jo për të mirën e përbashkët të njerëzimit. Jemi e ardhmja e botës fantastiko-shkencore, prandaj duhet të mbështetemi sa më shumë në shkencë, zbulime e kërkime shkencore. Ato kanë të bëjnë direkt apo indirekt me jetën dhe të ardhmen tonë.

P.S. Dija është pushtet i mendjes.

© Behar Gjoka