Çfarë do të thotë të jesh gazetar? - Nga Enver Robelli
Do të thotë të punosh në pulsin e kohës.
Të luftosh të keqen e të dëshirosh të mirën, duke u angazhuar për të mirën e përgjithshme.
Të jesh përherë në anën e të dobëtit dhe të kesh sy kritik ndaj të pushtetshmit.
Ta bësh botën të kuptueshme (për veten dhe për të tjerët).
Të jesh vëzhgues i vëmendshëm dhe jo protagonist.
Të mos tallesh me viktimat dhe t’i goditësh keqbërësit me fuqinë e argumentit.
Të mos pranosh urdhëra nga askush, as nga punëdhënësi.
Të pranosh urdhëra vetëm nga ndërgjegja jote, bazuar në etikë, profesionalizëm edhe përgjegjësi.
Do të thotë që qëllimi i punës tënde të mos jetë kliku, por zgjimi i kureshtjes së lexuesit e lexueses për të lexuar, kuptuar, menduar dhe logjikuar.
Do të thotë ta duash iluminizmin dhe përbuzësh idiotizmin.
Mbi të gjitha: të jesh përherë i “infektuar” me kureshtje. Kush s’ka kureshtje e pasion, s’duhet të jetë gazetar.
Mjeti kryesor i punës së gazetarit është gjuha. e shkruar, e folur, e filmuar.
Kultura e debatit, gara e ideve, verifikimi i fakteve, qasja joparagjykuese ndaj temës, të gjitha këto janë pashmangshëm të domosdoshme për të ushtruar profesionin.
Helm i gazetarisë janë gjuha e drunjtë, formulimet burokratike, mungesa e thellësisë dhe besimi i rrejshëm se orari ditor i punës zgjat 8 orë.
Gazetar je nganjëherë 24 orë, së paku.
©Enver Robelli











