Arte & Media

Taylor Swift dhe simptomat e kohës - Nga Enver Robelli

Enver Robelli - Zvicër

Taylor Swift, e shpallur “personi i vitit” (2023) nga revista TIME, përveçse është njëra nga këngëtaret më të famshme të globit, është edhe miliardere. Suksesi i bën njerëzit e tjerë xhelozë. Një komentator i një televizioni konservator amerikan hodhi një supozim në opinion: Taylor Swift është agjente e Pentagonit, pra e Ministrisë së Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Një zëdhënëse e Pentagonit e përgënjeshtroi menjëherë llafazanin mediatik.

Më 4 janar “New York Times”, më e rëndësishmja gazetë në botë, botoi një artikull të autores Anna Marks, e cila me ton denoncues e pothuaj kërcënues i bën thirrje Taylor Swift: hajde, çohu, tregona që je lezbike apo biseksuale! Dëshmitë se Taylor Swift qenkësh lezbike, autorja e artikullit i paskësh gjetur në mesazhet e dykuptimshme apo të fshehura në këngët e saj.

Në një intervistë për revistën “Vogue” Taylor Swift ka thënë se nuk është pjesë e komunitetit LGBTQ+, ndonëse angazhohet kundër diskriminimit. Kjo, me sa duket, nuk i mjafton autores Anna Marks. Sipas saj, Taylor Swift “duhet” të zbulojë sekretin e saj në mënyrë që t’ua lehtësojë jetën atyre që janë homoseksualë, por s’janë të privilegjuar dhe janë të margjinalizuar. Domethënë: një heteroseksuale e deklaruar po u dashka të vetëshpallet si homoseksuale për t’ua lehtësuar jetën homoseksualëve. Deri ku shkon marrëzia?

Taylor Swift ua ka bërë me dije fansave të saj se që nga viti 2008 ka pasur 17 të dashur. Kjo nuk i mjafton autores Anna Marks. Ajo, me daltë në dorë, insiston: hajde, çohu, tregona që je lezbike apo biseksuale!

Kësisoj një artisteje i mohohet e drejta e privatësisë dhe e drejta për të qenë si ndihet (heteroseksuale! ups - ç’mëkat!).

Ndoshta është simptomë e kohës që edhe në një gazetë të rëndësishme gjen hapësirë një tekst që synon t’ia ndryshojë orientimin intim një artisteje.

Këtë fundjavë mediat e bulevardit janë plot e përlot me tituj të cilët paralajmërojnë se sivjet në verë Taylor Swift mund të fejohet me Travis Kelce, një star i futbollit amerikan. 1 metër e 96 centimetra i gjatë. Burrë me mjekër.

© Enver Robelli