Histori

Jeto shpejt dhe vdis i ri - Nga Artan Gjyzel Hasani

Artan Gjyzel Hasani - Toronto

Gjithnjë kam menduar që mrekullitë më të mëdha të botës, nuk janë veprat e natyrës, por jetët e njerëzve.

Friedrich Guggenberger (6 Mars 1915 - 13 Maj 1988) ishte një admiral dhe komandant i famshëm i nëndetëseve gjermane gjatë Luftës së Dytë Botërore.  Nga nëntori 1940 deri ditën e kapjes së tij në Qershor 1943 ai fundosi 17 anije ndër të cilat edhe aeroplanmbajtësen e famshme angleze "Ark Royal", gjë për të cilën u dekoruar nga vetë Adolf Hitler me Kryqin e Hekurt të Gjethes së Lisit.

Ne Gjermanine naziste e konsideronin AS-in e nëndetëseve, gjë qe pranohej edhe nga vetë kundershtarët e tij. (Sqaroj që në nëndetëset ushtarake gjermane predhen/silurin goditës, në bazë të rregullores ushtarake, e leshon vetëm komandanti me dorën e tij, pasi ka kalkuluar në periskop koordinatat, shpejtësitë e lundrimit të të dy anijeve dhe distancat nga objekti i sulmit.)

Nëndetësja e tij U-513 u qëllua nga aviacioni amerikan në brigjet e Brazilit dhe u nda më dysh nga forca e goditjes. Nga i gjithë ekuipazhi shpëtuan vetëm 7 marinarë një ndër të cilët edhe Guggenberger.

Pas kurimit në spital ata i dërguan në kampet e robërve të luftës në Amerikë, nga të cilat Guggenberger arratiset dy herë, por pa sukses, duke u kapur pak ditë më vonë, një herë në Arizona e një herë në territorin e Meksikës.

Motoja e tij ishte “jeto shpejt dhe vdis i ri”.

Pas mbarimit të luftës riatdhesohet në Gjermani ku nuk u përball me asnjë gjyq për krime lufte. Përkundrazi mbaron shkëlqyeshëm universitetin për arkitekturë. Në vitin 1956 fillon punë në flotën gjermane. Më pas studion në një akademi navale në SHBA të cilën e mbaron me gradën e lartë Kundëradmiral dhe konkuron për një vend pune në NATO. Fiton dhe brenda katër viteve arrin të behet zëvëndësshef i Shtabit të Përgjithshëm i flotës detare të NATO-s.

Vdekja e tij në moshën 73 vjeçare ndodhi në rrethana misterioze. Një mëngjes iu drejtua pyllit të pafund që ndodhej pranë shtepisë dhe u zhduk pa kthim. Skeleti i tij u gjet pas dy vjetësh, rrëzë një peme në pozicionin fetal. U identifikua nga një medialion që mbante akoma në dore brenda të cilit ndodhej fotoja e mësipërme…

©Artan Gjyzel Hasani