Histori

Një president amerikan në qilaret e verës franceze - Nga Luan Rama

Mund të duket e habitshme, por amerikanët e mëdhenj si Thomas Jefferson, Benjamin Fraklin, John Adams, etj, në fund të shekullit të XIX ishin ashikë të mëdhenj të verës franceze dhe pas kthimit nga Franca nuk i ndanë nga tavolina verërat franceze. Kur Benjamin Franklin u largua si ministër i Plotfuqishëm i Amerikës pranë monarkisë franceze, në vend të tij erdhi Jefferson, i cili qëndroi në Francë pesë vjet dhe banonte në rezidecën e tij në Champs Elysées, ku gjatë Revolucionit do të shihte drejtpërdrejt dhe sulmin kundër Bastijës. Por duke qenë me profesion agronom, pasioni për verërat e çoi nëpër rrugët e Francës duke kërkuar verërat më të mira, për çka Franca krenohej në të gjithë botën. Atëherë, bota anglosaksone ishte bota e whisky-t dhe rum-it, por pikërisht këta diplomatë e politikanë të mëdhenj bënë që gjithë Amerika të pëlqente verërat franceze.

Ishte pikërisht filmi i interpretuar nga aktori Nick Nolte në “Jefferson in Paris”, që më bëri të interesohem për këtë personazh historik, i cili pas kthimit nga Franca, një vit më vonë, pra më 1801, do të ishte president i tretë i Amerikës për dy mandate rresht. Aventura e tij me verërat franceze filloi në vitin 1787 kur do të ndërmerrte rrugët e verërave drejt jugut të Francës. Në muajin mars të këtij viti ai u nis me karro nga Parisi dhe më pas me kalë për t’u ngjitur në fermat e prodhuesve të verërave.

Pasi kalon Auxerre, ku shijon një verë të quajtur Clos de la Clairette, ai hyn në krahinën e Bourgogne të njohur për verërat e mrekullueshme. Shkruan për hardhitë, jetëgjatësinë e tyre një apo dy shekullore, për kohën e “pjekjes” së verërave, për aromat dhe shijet e secilës verë. Në Meursault, është tregëtari i verës që e fut në sekretet e verërave dhe hierarkinë e tyre. Nga verat e Bourgogne, ai parapëlqen më shumë “Meursault” dhe “Montrachet” dhe mendon të mbjellë hardhitë franceze në shtëpinë e tij në Monticello në Virginia.

Verërat mbajnë emrat e fshatrave si Vosne Romanée, Nuits Saint Georges, Beaunne, Montrachet, Meursault, Pommard Volnay, Clos Vaugeot që sot mbahen ndër verërat më të mira. Madje Kjo e fundit ishte pronë e murgjëve të Citeaux ku shkruheshin kodikët mesjetarë dhe mund të imagjinoni ata murgj disi të dehur në pasionin e miniaturave të mrekullueshme.

Në vreshtat e Pommard, siç shkruan në librin e tij me kujtime Jefferson, haej bukë e bardhë ndërsa në Mersaut bukë thekre. Ai viziton prodhuesit dhe bën porosi verërash për miqtë e tij në Amerikë dhe veçanërisht për mikun e tij të afërt, presidentin e Amerikës. Në takime me vreshtarët ai mësoi shumë rreth sekreteve të verës, stazhionimit të tyre, kohës kur duhej të piheshin, madje ndryshe nga vizita e parë, më pas ai nuk do t’i kërkonte me fuçi ahu por me shishe, çka dhe u bë shkas që në Francë të prodhoheshin shishet e para të posaçme për verërat. Ai zbret gjer në kodrinat lioneze, ku shijon gjithnjë verërat lokale, shënon mbi vlerën e tyre, ndalon në Drôme në kodrinat e L’Ermitage buzë lumit Rhône, pi në tavernat e zonës dhe i bën porosi një mjeshtri të verërave, doktor Jourdan, 500 shishe për presidencën amerikane.

Viziton Orange, ku trishtohet me gjendjen e mjerueshme të teatrit antik që po i merrnin gurët mijëvjeçarë për të shtruar një rrugë aty afër, kalon ne Nîmes, Gard, pi verë në një tavernë të Arles në Hotel du Louvre. Në Saint-Remy qëndron në Cheval Blanc, vera e të cilit i pëlqen shumë. Pas një vizite në Marsejë dhe Nice, ku në këtë qytet të fundit porosit nje verë “Bellet” për qilaret e tij në Monticello, ku jetonte në Virginia, vendos të marrë rrugën e Bordeaux, e cila ishte e njohur për verërat e saj, por jo nga amerikanët. Tavernat e presin krahëhapur, meqë ambasadori apo ministri Fuqiplotë, siç kishte titullin, bënte porosi të shumta.

Viziton Montpellier dhe asiston në një teatër me një pjesë të Molierit. Në Saint Georges d’Orques, vera e kuqe i pëlqen së tepërmi, aq sa për vite me radhë në shtëpinë e tij në Monticello ajo verë do të pihej gjer natën vonë. Më pas, përmes Canal de Midi, shkon gjer në Toulouse dhe pastaj i drejtohet sërish Bordeaux. Rrugës ndalon në Gaillac, ku mrekullohet me verën Cahuzac të dukës De la Rochefoucauld. Më tej viziton Chateau Haute-Brion, që është një nga zbulimet e veçanta të tij.

Porositë vahdojnë. Ai porosit gjithnjë që t’i etiketojnë dhe t’i nisin drejt Amerikës me anijet që shkojnë atje. Viziton gjithashtu Chateau Margaux, që mbahej si një verë e mrekullueshme e po kështu Lafitte për të cilën thotë se kjo verë duhet pirë pas tre vjetësh, ndërsa Haute-Brion pas katër vitesh. Në Gironde zbulon verën e bardhë “Château d’Yquem” dhe mahnitet nga kjo verë e mrekullueshme. Në hotelin “Richelieu” në Bordeaux ai shijonte njëra pas tjetrës verërat si “Chateau Margaux”, “Château Lafite” apo “Château Haut-Brion” dhe ankohet që një shishe kushtonte aq shtrenjtë: 3 livra. Por ai nuk hezitoi të porosiste me qindra shishe për miqtë e tij në Amerikë… Po atë vit, ishte miku i tij, duka La Rochefoucaud që i bënte dhuratë tri fuçi të mëdha me verë të Cahuzac.

“Château Yquem” përpara ishte një fortesë angleze e rrethuar me vreshta, në një sipërfaqe prej 148 ha, në një tokë argjilore. Por më 1785, në kohën e Louis XVI, ajo u bë pronë e një koloneli “dragonësh”, e Lur Saluces. Por këtë verë do ta bënte akoma më të njohur Thomas Jefferson më 1784, kur si përfaqësues i Republikës së re amerikane në Paris, i kishte rastisur ta provonte dhe ta zbulonte atë, duke e konsideruar si verën më të mirë “sauterne” të zonës së Bordeaux. Po kështu, dhe carët e ndryshëm të Rusisë, ishin kërkuesit e mëdhenj të kësaj vere, e cila përcillej mijëra kilometra larg për në Saint-Petersbourg. Vitet më të mira të kësaj vere njihen prodhimet e viteve 1964, 1972 dhe 1974. Në përbërjen e kësaj vere janë dy lloj “cepage”: 70% “semillion” dhe 30% rrush “sauvignon”.” “Të shijosh një gotë Yquem, - thuhet në librin e madh “Enciklopedia e verërave-Hachette”, - është një shëtitje sensuale në kopshtin e aromave”...

Në kthim, Jefferson viziton kështjellat buzë lumit Loire dhe pas tre muajsh më 10 qershor 1787 mbërrin në Paris duke deklaruar se “këto muaj ishin muajt më të bukur të jetës time”.

Fragment nga libri “Vera ky nektar i njerëzve dhe hyjnive”

©Luan Rama