Gjeneratat e luftës - Nga Dritan Goxhaj
Historia e njerëzimit është e mbushur me luftëra. Në fillim, luftërat janë bërë më shpata, më pas pati risi në armët, ku shpatat u zëvendësuan me armë moderne.
Por tashmë koncepti i luftërave po ndryshon. Aspektet tradicionale të një lufte po evoluojnë. Teknikat konvencionale edhe pse në përdorim të gjërë akoma, duket se janë në rënie. Dhe ky boshllëk që po krijohet nga kjo rënie, po zëvëndësohet me taktika dhe mjete të reja të luftës, të tilla si lufta e informacionit, lufta asimetrike, lufta e propagandës mediatike dhe lufta hibride, duke krijuar kështu një përzierje të linjave të luftës midis luftëtarëve dhe jo luftëtarëve dhe midis kohës së paqes dhe asaj të luftës.
Por ama, korniza bazë e luftës, qoftë ajo e hershmja e qoftë kjo modernia, është përcaktuar nga Klauzeviçi në librin e tij “Mbi luftën”. Ai e përkufizon luftën midis shteteve si “një duel në shkallë më të madhe” dhe e shpjegon qëllimin e saj si “një vazhdimësi e politikës me mjete të tjera” me elementë thelbësorë të “racionalitetit të shtetit, probabilitetit në komandën ushtarake dhe tërbimit të popullsisë”.
Luftërat kanë ekzistuar që nga fillimi i njerëzimit. Historianët sot janë të mendimit se në 5,000 vjet të civilizimit njerëzor kanë ndodhur rreth 15,000 luftëra dhe konflikte të armatosura. Bindesh për këtë kur sheh sot që nga 193 shtete anëtarë të OKB-së, 1/3 e tyre janë në një gjëndje lufte, ose janë duke luftuar, ose kanë konflikte të pazgjidhura më fqinjët. Kjo do të thotë që luftërat në planetin tonë kanë të ardhme.
Do të thotë që çdo gjeneratë ka pasur luftën e saj. Prandaj edhe në diskutimet rreth luftës gjithnjë përmenden taktika të gjeneratave të ndryshme.
Për herë të parë konceptin e ndarjes së luftës në gjenerata e solli një analist ushtarak amerikan, William Lind, në vitin 1980.
Më pas kjo teori është përpunuar nga disa teoricienë të tjerë ushtarakë, që në fund të gjithë pothuajse bien dakord se luftërat e njerëzimit ndahen në 5 gjenerata të cilat hynë te 3 valë të luftës, ku të dyja këto bëjnë pjesë në atë që konsiderohen 4 epokat e luftës.
Ҫdo gjeneratë lufte përfaqëson një mënyrë të të bërit luftë.
Por le ti shohim duke filluar nga fundi pasi kështu do të jetë edhe më e lehtë për t’i kuptuar.
Epokat e luftës
Epoka e pare, njihet si epoka njerëzore
Lufta e epokës së parë ekzistonte brenda botës klasike dhe bazohej vetëm mbi fuqinë njerëzore. Në këtë epokë bëjnë pjesë dy mënyra lufte: Lufta Helene e cila bazohej në falangat dhe Lufta Romake e cila bazohej në Legjionet. Por ama gjithë ideologjia e këtyre dy mënyrave të luftës bazohej mbi virtytin.
Epoka e dytë, njihet si epoka e kafshëve.
Në epokën e dytë bëjnë pjesë luftërat e zhvilluara gjatë periudhës së Mesjetës. Në këtë epokë bëjnë pjesë tre mënyra lufte: Për herë të parë kemi futjen e kalorësisë masive, që më pas evoluon në formacione të rregullta kavalerie dhe në fund këta shndërrohen në kalorës. Ideologjia në këto tre forma të luftimit bazohej mbi ideologjinë kishtare.
Epoka e tretë, njihet si epoka e mekanizuar, ose si epoka moderne.
Kjo epokë dallohet nga dy forma të luftuari: në këtë epokë si fillim u pa ngritja e ushtrive mercenare, të cilat shfrytëzonin fuqinë mekanike në periudhën e dinastive dhe më pas këto forca u instuticionalizuan në kohën e absolutizmit. Forma e dytë është ajo e korporatizmit, e cila dallohet për shfrytëzimin e motorëve në mjetet mekanike. Ideologjia në këtë epokë ishte ajo e shtetit, e cila filloi të zëvendësonte dinastitë.
Epoka e katërt, njihet si epoka post mekanike.
Kjo epokë dallohet nga dy forma të luftuari: nga lufta e teknologjisë së avancuar dhe lufta jo perëndimore. Ku kjo e dyta i kundërvihet teknologjisë së avancuar në formën e terrorizmit me konflikte me intensitet të ulët. Ideologjia që prevalon në këtë epokë dhe që korrespondon me epokën që po jetojmë, është ajo e vënies në pikëpyetje të legjitimitetit politik dhe mbijetesës së shtetit dhe kombit.
Në këto katër epokat që përmenden më lart, hyjnë 3 valë të luftës
Valët e luftës
Vala e parë njihet si lufta agrare.
Kjo formë e luftës bazohej në ushtri të organizuara dobët, të pajisura dobët dhe të udhëhequra dobët dhe që përfshiheshin në luftime sezonale. Në këtë lloj lufte urdhërat janë gjithnjë verbale, pagesa është e parregullt dhe shumicën e kohës në natyrë dhe natyra e vrasjes është ballë përballë. Në këtë valë të parë hyjnë luftërat që nga ato Helene, ato Romake, ato të Europës feudale dhe ato të Kinës së lashtë.
Vala e dytë njihet si lufta industriale.
Kjo formë e luftës njihet si përfaqësuese e qytetërimit industrial. Në këtë lloj lufte kemi përqëndrim të ushtrive të mëdha të pajisura me armë standarde. Në këtë lloj lufte komandantët janë të shkolluar nëpër akademitë e luftës dhe urdhërat jepen me shkrim. Forcat e mekanizuara kane sjellë edhe zhvillimin e taktikave të reja të luftës. Tashmë lufta nuk bëhet mbi midis sundimtarëve, por midis popujve të mishëruar nga shtetet dhe kombet e tyre.
Vala e tretë njihert si lufta e dijes.
Kjo formë e luftës dallohet nga municionet e drejtuara dhe ato inteligjenca, robotët, nga teknologjia jovdekjeprurëse, nga armët e telekomanduara dhe viruset kompjuterike.
Dhe tashmë vijmë tek gjeneratat e luftës.
Gjenerata e parë
Lufta e gjeneratës së parë fillon në 1648 me Traktatin e Vestfalisë. Ky traktat i dha fund luftërave fetare në Evropë. Kjo gjeneratë shkon nga viti 1648 deri në vitin 1860. Gjatë kësaj gjenerate u pa përdorimi i gradave ushtarake për të ndarë trupat në njësi. Gjithashtu u prodhuan rregulla klasifikimi dhe rregulla luftarake. Gjatë kësaj gjenerate taktikat e luftës ishin të zhvilluara në linja dhe në kolona. Në këtë gjeneratë betejat zhvilloheshin ballë përballë dhe si armë përdoreshin shpatat, shigjetat dhe kuajt. Gjatë kësaj gjenerate komandanti ishte gjithnjë i pranishëm në fushën e betejës dhe suksesi varej kryesisht nga sasia e trupave.
Gjenerata e dytë
Kjo gjeneratë përfshin brënda saj tipare të gjeneratës së pare, por me teknologji të përparuar, ku shpatat dhe shigjetat u zëvendësuan nga mushqetat, pushkët moderne dhe topat. Gjatë kësaj gjenerate betejat zhvilloheshin shpesh edhe ballë përballë, por për shkak të evoluimit të teknologjisë ushtarake u bë e mundur që luftimi të zhvillohej edhe në distancë. Gjatë kësaj periudhe hyri në veprim komunikimi me radio i cili organizoi metodologjinë e luftës. Suksesi në këtë gjeneratë nuk varej më nga sasia e trupave, por nga armët moderne. Në këtë gjeneratë artileria dhe municioni u bënë më të rëndësishme se faktori njeri. Kjo gjeneratë fillon nga mesi i shekullit të 19-të dhe ka vazhduar deri në fund të Luftës së Parë Botërore.
Gjenerata e tretë
Kjo gjeneratë karakterizohet nga lufta e shpejtësisë së lartë, e cila sheh një grup të kombinuar forcash të mbështetura nga aviacioni dhe tanket, të godasin papritur armikun, në mënyrë të organizuar dhe efektive, të shoqëruar nga një planizim i shkëlqyer. Gjatë kësaj gjeneratë lindi taktika më e njohur sot, ajo që quhet Blitzkrieg (Goditja rrufe). Taktikë e zhvilluar nga gjermanët në Luftën e Dytë Botërore, e cila është edhe periudha e shtrirjes së kësaj gjenerate.
Gjenerata e katërt
Kjo është gjenerata në të cilën është e vështirë të bësh dallimin midis paqes dhe luftës. Gjatë kësaj gjenerate ishte tepër e vështirë që të bëje dallimin midis luftëtarit dhe qytetarit. Gjatë kësaj gjenerate vendet nuk dërgonin më trupa për të sulmuar një vend tjetër por mjaftoheshin të armatosnin e mbështesnin me trajnime, armatim dhe politikisht grupe të caktuara në territorin e vendit të cilin donin të shkatërronin dhe që kthehej në bazë të luftës guerile të këtyre grupeve të armatosura. Shëmbulli më konkret për këtë gjeneratë janë luftërat e zhvilluara në Irak, Siri, Libi, Afganistan.
Lufta e gjeneratës së katërt dominohet nga taktika asimetrike duke i dhënë fund monopolit shtetëror të përdorimit të forcës, duke përfshirë në të, fise sekte, popuj, mercenarë, duke u kthyer kështu sërish në epokën e luftës para Traktatit të Vestfalisë.
Gjenerata e pestë
Kjo është forma më e fundit e luftës dhe konsiderohet edhe si lufta e perceptimit dhe e informacionit. Kjo është lufta më e rrezikshme, pasi në këtë gjeneratë viktima e luftës as që e di që është në luftë dhe nuk e di nëse po humbet apo fiton dhe për çfarë e përse po lufton. Në këtë luftë kryesisht nëpërmjet dezinformimit njerëzve iu bëhet shpëlarja e trurit me qëllim të krijimit të kaosit. Kjo është forma më moderne dhe më vdekjeprurëse e luftës, që po bëhet më e rrezikshme për shkak të teknologjisë dhe Inteligjencës Artificiale.
Lufta e kësaj gjenerate njihet edhe si lufta kibernetike. Lufta e kësaj gjenerate rifuti sërish shtetin si aktor në përdorimin e forcës deri diku, duke e kthyer kështu sërish në epokën e Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore.
Luftërat e gjeneratës së katërt dhe të pestë të cilat shtrihen në shekullin e 20-të dhe 21, kanë tendencën që të jenë më globale, më shkatërrimtare, por më precize në natyrën e tyre për shkak të ndikimit të ndryshimeve të mëdha teknologjike.
Luftërat e kësaj gjeneratës së fundit vërtetojnë totalisht elementët thelbësorë që specifikon Klauzeviçi, “racionaliteti i shtetit, probabiliteti në komandën ushtarake dhe tërbimi i popullsisë”.
Luftërat që po zhvillohen dhe që do të zhvillohen tashmë i përkasin gjeneratës së pestë dhe në ato ka rëndësi përdorimi i sistemeve të inteligjencës artificiale, pasi tashmë të gjitha llojet e taktikave dhe strategjive ushtarake janë të kompjuterizuara dhe me anë të kësaj inteligjence artificiale sistemi prodhon taktikën e nevojshme që duhet në një teatër luftimi, bazuar mbi të dhënat që i jep. Duke i hequr iniciativën komandantit në terren.
Qartësisht zhvillimi i tejskajshëm i teknologjisë dhe inteligjencës artificiale do sjellë shumë shpejt përplasjen e taktikave dhe strategjive të tre gjeneratave të fundit.
Mbetet për t’u parë se kush do e fitojë këtë betejë midis njerëzimit dhe teknologjisë, e cila ka sjellë një rritje të madhe të mungesë së dijes dhe të analfabetizmit.
Por këtë më së miri e ka definuar historiani Alvin Tofler: “Analfabetët e shekullit të 21 nuk do të jenë ata që nuk dinë të lexojnë apo të shkruajnë, por ata që nuk mund të mësojnë, çmësojnë dhe të rimësojnë”.
© Dritan Goxhaj










