25 Maji na kujton rilindasin e vërtetë Naim Frashëri
Si sot, më 25 maj të vitit 1846, lindi poeti i madh i Rilindjes Kombëtare Naim Frashëri
Naimi lindi në fshatin Frashër të Vilajetit të Janinës (sot në rrethin e Përmetit), i biri i Halit beut (1797–1859) dhe Emine hanëmit (1814–1861). Nga i ati ishin pasardhës fisnikësh me prejardhje nga Berati që më vonë u njohën si Dulellarët, ndërsa familja e së ëmës qenë pinjoj të Iljaz bej Mirahorit.
Në vendlindje bëri mësimet fillore dhe nisi të mësonte turqishten, arabishten dhe persishten në Teqenë e Frashërit. Pas vdekjes së prindërve, me në krye vëllain e madh që ishte bërë zot shtëpie, Abdylin, më 1865 familja u shpërngul në Janinë, ku bashkë me vëllanë më të vogël Samiun, mbaroi gjimnazin grek “Zosimea” më 1869.
Më 1871 shkoi në Stamboll, ku qëndroi vetëm tetë muaj, sepse dhembja e kraharorit e detyroi të kthehej në Janinë. Në vitet 1874-76 punoi si drejtor dogane në Sarandë. Sëmundja e kraharorit dhe dhembjet në gjunjët nga reumatizma, e shtrënguan të largohej nga Saranda dhe shkoi për kurim gjashtë muaj në banjat e Badenit në Perandorinë Austro-Hungareze. Më 1878 punoi tetë muaj si drejtor të dhjetash në Berat. Më 1882 rishkoi në Stamboll, ku punoi në fillim në detyrën e anëtarit e pastaj të Kryetarit të Komisionit të Inspektimit dhe Kontrollit dhe më vonë, të Kryetarit të Këshillit të Lartë të Arsimit dhe të Zëvendësministrit të Arsimit. Më 14 gusht 1882, nënshkroi lejen për botimin e Gramatikës së Kristoforidhit. Pas arrestimit të vëllait Abdyl në Janinë në fund të prillit 1881, nisi të luajë një rol të rëndësishëm në veprimtarinë kombëtare të shqiptarëve të atjeshëm. Mori pjesë në punën e Komitetit qendror për mbrojtjen e të drejtave të kombësisë shqiptare dhe të Shoqërisë së të shtypuri shkronja shqip.
Eshtrat e Naim Frashërit shteti shqiptar i solli në Shqipëri në kuadrin e 25 vjetorit të Pavarësisë, më 2 qershor 1937. Ishte ditë e mërkurë, ora 15.30, kur mbërriti arkivoli me vija kuq e zi me eshtrat e Naimit. Shefki Shatku, nënkolonel, Komandant i Përgjithshëm i Xhandarmërisë, që i solli eshtrat nga Stambolli, ia dorëzoi arkivolin me eshtrat e Naimit kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Abedin Nepravishtës. I përcjellë nga autoritetet, populli dhe Eshref Frashëri, arkivoli me eshtrat e Naim Frashërit u vendos në Teqen Bektashiane të Tiranës.
FJALËT E QIRIRIT
Në mes tuaj kam qëndruar
E jam duke përvëluar,
Që t'u ap pakëzë dritë,
Natënë t'ua bënj ditë.
Do të tretem, të kullohem,
Të digjem, të përvëlohem,
Që t'u ndrinj mir' e të shihni,
Njëri-tjatërin të njihni.
Për ju do të rri të tretem,
Asnjë çikë të mos mbetem,
Të digjem e të qanj me lot,
Se dëshirën s'e duronj dot.
Unë zjarrit nuk i druhem
Dhe kurrë s'dua të shuhem,
Po të digjem me dëshirë,
Sa të munt t'u ndrinj më mirë.
Kur më shihni se jam tretur,
Mos pandehni se kam vdekur;
jam i gjall' e jam ndë jetë
jam në dritët të vërtetë,
Unë jam në shpirtit tuaj,
Mos më kini për të huaj,
M'është falurë durimi,
Andaj po digjem si trimi,
Se ma k'ënda t'u bënj mirë,
Të mos mbeti n'errësirë.
Jakëni rreth meje rrini,
Flisni, qeshni, hani, pini,
Në shpirt kam dashurinë,
Pa digjem për njerëzinë,
Lemëni të përvëlohem,
nukë dua më të ftohem,
Dua ta djek trupn' e shkretë
Për atë zotn' e vërtetë.
Me zjarr ta djek mushkërinë
E të tretem për njerinë,
Bashkë me gëzimt të tija
të vete te perëndia.
Unë dua njerëzinë,
Mirësin' e urtësinë,
Në bëhi shokë me mua,
Në më doni si u dua,
Njëri-tjetërin në doni,
Të paudhë mos punoni.
O zëmëra fluturake,
Qasju pakë kësaj flake!
Mase krahët t'i përvëlon,
Po dhe shpirtin ta shënjtëron.
Unë duke përvëluar,
Njerëzit i kam ndrituar.
Kam qënë mik me njerinë,
Andaj i di e më dinë.
Gjithë tuajt' i kam parë,
Mëm' e at' e fis e farë,
Si tani gjithë i kam ndër mënt,
Që rrininë më këtë vënt.
Edhe sot nër ju ata shoh,
Se shpirtin e tyre ua njoh,
Dhe unë si ju jam ndruar
E jam përzjer' e ndryshuar,
Pa jam bërë shumë herë
Zjar e uj' e balt' e erë.
Jam një shkëndijë pej qielli
dhe një drudhëzë pej dielli.
Edhe ndër qiej fluturonj,
Edhe brënda në det qëndronj,
Shumë herë fle në baltë,
Diku ndodhem dhe në mjaltë
Bënem qëngj e kec i pirë,
Lul' e bar e gjeth i mbirë.
Dua shumë fjalë t'u them,
Po trëmbem mos i bënj ujem.
E ku shkruhenë në kartë
Fjalët' e gjuhësë zjarrtë?
Botuar së pari në revistën "Drita", nr.1, Stamboll, 1884, me titull "Qiriri". Eshtë e para vjershë që poeti ka botuar shqip. Marrë nga vëllimi 1 me vepra të zgjedhura të Naim Frashërit, botuar në Tiranë më 1980.











