Nesër në Tiranë promovohet biografia e re e Fan Nolit me autor Ilir Ikonomin
Lajmin e ka njoftuar sot (06.11.) vetë autori në profilin e tij në rrjetin social Facebook. Pas disa librave historikë shumë interesantë kushtuar disa prej figurave më të rëndësishme të Shqipërisë së periudhës para dhe pas pavarësisë (Ismail Qemali, Esat Toptani, Faik Konica), gazetari dhe publicisti i mirënjohur poliglot i Radio-Tiranës dhe Zërit të Amerikës, Ilir Ikonomi, vjen para lexuesve me një biografi të re kushtuar Fan Nolit, që ai e cilëson njërin prej shqiptarëve më të ditur dhe më interesantë që kanë ekzistuar ndonjëherë. Më poshtë publikimi i autorit:

Fan Noli në një biografi të re
Ju ftoj në promovimin e librit “Apostulli”, vëllimi i parë i një biografie të re për Fan Nolin. Ka 430 faqe dhe është botim i UET Press.
Promovimi bëhet të martën, më 7 nëntor, ora 13:00 në Universitetin Europian të Tiranës (shkohet me autobusin e Porcelanit).
Libri “Apostulli” jep një përshkrim me ngjyra të gjalla të Fan Stilian Nolit, në periudhën që fillon nga arritja e tij në Amerikë më 1906 e deri në vitin 1920, kur ai largohet për në Shqipëri.
Gjatë kësaj kohe të rëndësishme, Noli themeloi Kishën Shqipe, Shoqërinë “Besa-Besë”, gazetën “Dielli” dhe, bashkë me Faik Konicën e të tjerë, krijoi Federatën “Vatra”, e cila do të shërbente si një qeveri shqiptare në mërgim.
Në libër do të gjeni fakte të reja për Nolin, njërin prej shqiptarëve më të ditur dhe më interesantë që kanë ekzistuar ndonjëherë. Çdo e dhënë është rreptësisht e dokumentuar.
Për të shkruar librin kam bërë kërkime në shumë arkiva e biblioteka dhe jam këshilluar me historianë e specialistë të tjerë.
Koha që pasqyron ky vëllim nuk ishte aspak një fushë e gjelbër pikniku, por një shesh beteje, ku Noli jo domosdo gëzonte mbështetjen e të gjithëve. Jam përpjekur që lexuesi të mos e shijojë librin si një fotografi, por si një film, ku personazhet debatojnë, përplasen, rrëzohen e ringrihen.
Libri ka një parathënie të shkruar nga historiani i mirënjohur amerikan Bernd Fischer, është i pajisur me shënime në fund të faqeve, me fotografi dhe me një tregues emrash. Ballina është punuar nga Besnik Frashni, UET Press.
Ju faleminderit.
© Ilir Ikonomi










