Minjtë – Fabul nga Vangjush Saro
Në bark të anijes lëvrinin minjtë;
gjithnjë të uritur,
në errësirë të zinjtë.
Befas dikush ngre zërin përpjetë:
“Përse mbimë këtu ne të shkretët?
Pse s’dalim në një jetë ndryshe lart?
Lëvizni vëllezër, ta sulmojmë fatin!
Ti kapiten, ti barist, ti... violinës.
Ju të tjerët, drejt e në kuzhinë!”
U tha, u bë
e shkallëve përpjetë,
mund të thuhet, me kurajo edhe shpresë.
Por... kishte shumë zhurmë në kuvertë;
deti dhe drita i hutuan krejt.
Sakaq u penduan minjtë trima:
“A s’ishim më mirë poshtë,
ndër vrima?”










