Letërsi

Kudo që kam shkuar Tiranën time e kam marrë me vete

Nga: Sulejman Mato

Eci rrugëve të qytetit tim

Sa e bukur je, moj Tirana ime,

sidomos në mbrëmje, mbuluar me pelerinën

e yjeve

I bie kryq e tërthor qytetit tim,

Fëmijë, pleq, vajza të bukura,

Shëtisin anë së Lanës,i përshëndes.

Më përshëndesin dhe ata me çiltërsi.

Gëzuar Tirana!

Gëzuar vitin e Ri!

Gëzuar qytet, i ëndrrave të plagosura,

e munguara e emigrantëve dhe e dashuruara e poetëve.

Tirana e dasmave…

Ti rritesh çdo ditë e zbukurohesh çdo ditë

nga Sheshi “Skënderbej” gjer te periferitë.

Kudo që kam shkuar

Tiranën time e kam marrë me vete

Si një peshë të rëndë kujtimesh,

dhe askund s’kam gjetur kaq dashuri

sa kam gjetur tek ty.

Nga perëndimi në lindje, nga jugu në veri,

zgjaten degëzimet e bulevardeve, lëvizin urbanë…

Nga Qendra te TEG-u, nga “Fresku” në Arbanë…

Gëzuar qytetarët e mi!

Gëzuar Tiranë!

E madhe dhe e paanë je, moj Tirana jonë!

Nuk të përshkoj dot, as gjerë as gjatë…

Nga Kamza te TEG-u,

nga Linza në Kombinat.

Në këtë muzg, në orën e magjisë së dritave,

ulem në një Bar të pi, me shokët e mi,

Gëzuar, shqiptarë, kudo që jini!

Gëzuar Shqipëri?

Tagged under Sulejman Mato