Në rafte janë librat - Nga Roland Gjoza
Në rafte janë librat ngjeshur e shtypur te njëri -tjetri prej ngushticës.
Asnjëherë nuk ua krijova komoditetin që duhej, ndonëse një pjesë janë nobelistë dhe të tjerët klasikë me art absolut.
Për këtë vuaj, se shoh Shekspirin si shtyp me shpatulla të fuqishme prej herkuli Turgenievin fin
dhe Mopasani heq e vuan prej Ushtarit të mirë Shvejk.
Kërkon ndihmë Ivan Bunini nga brutaliteti i vrazhdtë prej muzhiku i kont Tolstoit
që shkruante romane aq të mëdha, të cilët shiten me një dollar te strand
dhe shumë xhentëllmenë të tjerë që më kanë mësuar të shkruaj
shiten me peni.
S'kam para të ngre një infermieri që t'u mjekoj plagët
dhe dielli i zverdh dhe hëna si requiem u jep ngjyrën e meitëve
dhe një sallon bukurie sikur të ngre, kapakët t'ua bëj të bukur, fletëve t'u jap një krehje të re.
Rri dhe vështroj librat më të mirë që më kanë mbetur
dhe dëshpërohem për ata që janë sakrifikuar me një pendim Galileu
sa shumë kam hequr për vend, për raftet që s'nxinin as Modianon
dhe më vjen të ngrej një stacion policie
për Çehovin
që dy herë ma kanë vjedhur
ç'them!
Më mirë t'i dorëzoj në bibliotekën e lagjes për brezat e ardhshëm të pensionistëve
po fara e lexuesve mund të shuhet krejt
dhe librat mund të jenë bërë ajër kibernetik.
Jam gati të heq dorë nga librat
dhe në raftet e zbrazur të vë servisin prej kristali që trashëgova nga babai
me 99 pjata të thella, 99 pjata të cekëta, katër pjatanca, dy supjera, 99 lugë, 99 pirunj, 99 thika
të gjitha të lyera me platin.
Një ditë do të përdoren për mortin tim.











