Qyteti i vdekur - Nga Bardhyl Londo

Qyteti vdiq.
Sheshi qendror si nje tru i stërmadh
ngurosur nga infarkti.
Rrugët kryesore -
arterie të ngrira,
në to nuk gjallon më gjaku.
Skelete restorantesh,
kufoma baresh,
shetitore të ngrira si me urdhër magjistarësh.
Netë të nxira,
pa dashuri, pa flirte,
ditë uniforme -
koka të qethura ushtarësh.
Kambanat e dy katedraleve heshtin memece,
xhamitë pa zërin e hoxhës
majat shtizë zgjatin drejt qiellit kot së koti.
Në këtë qytet
ka vdekur dhe Zoti.
Mars, 2020











