Letërsi

Një vulë e humbur - Tregim nga Sulejman Mato

Atë vit kishin humbur shumë vula. Shumica e tyre ishin vula firmash ndërtimore, vula të shkollave të mesme dhe disa vula te universiteteve privatë. Për vulat ndërtimore thoshin se ato përdoreshin vetëm një herë, më pas hidheshin në kosh, pasi presidentët ndërronin emrat e firmave dhe krijonin firma të reja. Me vulat e shkollave dhe të universiteteve bëhej një lojë tjetër. Ato prodhoheshin nga specialistë që ishin marrë me këto punë. Ishin dhënë shumë dëftesa dhe diploma universitare. Vendin e parë e zinin diplomat e juridikut. Mjaftonte një firmë dhe një vulë e tillë e ngjashme me origjinalin që të mbaroje punë, dhe zotëria në fjalë të zinte karrigen e ëndërruar. Ministria e Arsimit nxori një qarkore e cila i udhëzonte drejtorët e shkollave për mënyrën e ruajtjes së vulave shtetërore.

Rasti im ishte ndryshe. Unë nuk kisha humbur asnjë vulë, përkundrazi, unë kisha gjetur një të tillë.

Do t’ju duket si shaka po t’jua them si e gjeta. E gjeta në xhepin e jashtëm të xhaketës së blerë në afërsi të tregut të çamëve. Ndërsa isha duke e provuar para pasqyrës, dora më preku diçka të ngurtë. Xhaketa, edhe pse dukej e re, duhet të ishte përdorur nga dikush, nga një person me rëndësi, ndonjë kryetar partie, ndryshe nuk kishte se si të ndodhej rastësisht në atë xhaketë bezhë, me dy të çara anash. U ktheva sërish te butiku, duke ia përplasur shitëses në fytyrë

- Merreni! Turp të keni, që  shisni  xhaketa të përdorura.

Shitësja një vajzë simpatike, u skuq në fytyrë, mirëpo, kur mori vesh arsyen e vërtetë të atij zemërimi dhe e pa me sytë e saj vulën të cilën e nxora me vrull nga xhepi i djathtë i xhaketës, kapsalliti sytë.

- Po më duket diçka e pabesueshme. Unë s'mund ta kuptoj si ka përfunduar kjo vulë në një xhaketë të re. Ne nuk shesim xhaketa të përdorura?  Në butikun tonë hyjnë çdo ditë njerëz. Ka nga ata që i blejnë dhe falënderojnë kur dalin nga dyqani, por ka edhe nga ata që, pasi bëjnë prova pa mbarim, pendohen dhe e kthejnë aty ku e marrin… Pa dale, dale…

Ma mori vulën nga dora dhe nisi ta vërejë me kujdes për të parë çfarë shkruhej në brendësinë e rrethit të gomuar. Nxori një tampon nga sirtari, ngjeu vulën në bojë dhe e vendosi përmbi një copë letër që gjendej mbi tavolinë.

E shkruar në mënyrë rrethore lexohej: “PARTIA ...ALE”. Pra, ishte një vulë partie. Kishte humbur apo rastësisht e kishte harruar në xhepin e asaj xhakete një kryetar partie, i cili kishte dashur ta blinte atë xhaketë dhe një ose dy ditë më vonë kishte ndërruar mendje dhe e kishte kthyer sërish në dyqan. Ky duhet të ishte varianti më i mundshëm, ndryshe ajo vulë si mund te gjendej në xhepin e një xhakete të re?

Tri germat e para të emrit të partisë dukeshin si të prera me brisk. Duke hamendësuar se çfarë germash mund të kishin qenë në vendet e palexuara ne hymë si në një lojë, pa dashje

- Liber…ale, - tha ajo.

- Duhen vetëm tri germa, - i thashë unë.

Lir…ale, Mir… ale, Tir…  ale…

Ndërkohë shitësja e re ia dha një të qeshure të fortë dhe të papërmbajtur. Sa bëhej gati ta ndërpriste të qeshurën e parë, merrte hov e dyta, me një shpërthim edhe më të fortë e të pandërprerë…

- Ua! Sa e lezetshme …Uf!  Uf! M'u mor fryma… Edhe ju qenkeni shumë i lezetshëm…. S’ma priste mendja se do të qeshja kaq shumë.

- Nuk është për të qeshur, - i thashë.

- Ua! Unë i kam shumë qejf kuicet dhe gjëegjëzat. Në cilin xhep e gjetët?

- Në të djathtin. - Po ç’rëndësi ka kjo?

- Ka. Si s’ka, - tha ajo. - Kjo duhet të jetë një vulë e një partie të djathtë. - E gjeta, -thirri, sikur të kishte zbuluar diçka të pazakontë: Ruajale… Partia Ruajale! Kam dëgjuar se është një parti me emrin Partia Ruajale.

- Ruaj…ale? Mund të ishte dhe Luaj…ale. A e di ti se kush quhet luajal? - i thashe une. Një person që e dredh...

Ajo nisi të kukuriste sërish.

- Le që ç’e vrasim dhe ne mendjen, - thashë unë, - Mund të jetë ndonjë parti pa rëndësi.

- E gjeta, - thirri ajo gjithë gëzim: Partia Rurale.

- Nuk kam dëgjuar të ketë një parti të tillë, - i thashë unë.

Të nxitur nga pasioni për të gjetur pronarin e vulës, si pa e kuptuar as vetë, kishim nisur të loznim lojën e kungulleshkave.

- Kun…ale! - tha ajo.

- Bat…ale. - ia ktheva unë.

- Mirale, - thirri ajo.

- Hitale, - Klitha unë

- Kurale! - qeshi ajo.

- Mut…ale, - desh shqiptova unë.

Tek e shihja atë shitëse simpatike të luante kungulleshkat me mua, më hovte zemra nga gëzimi.

- Ua! - thirri ajo. - Harruam më kryesoren. Ju mund të merrni një xhaketë tjetër. Zgjidhni cilën të dëshironi. Shkoi te varësja dhe nisi të më afronte xhaketa të ndryshme. M’i nxori para një nga një, tepër e përkushtuar, gjersa unë zgjodha njërën prej tyre, e cila më pëlqeu më shumë se e para nga ngjyra. I kontrolloi xhepat.

- S’besoj se dhe te kjo xhaketë mund të ndodhet një vulë partie, - e kapi përsëri sëmundja e kukurisjes.

Në dalje u përshëndeta me të si me një të njohur prej kohësh. Por sëmundja e saj tashmë më ishte ngjitur edhe mua:

Vërtet, çfarë mund të shkruhej brenda asaj gomine? Lib…ale, Bib…ale, Nik…ale, Tur…ale, Mur...ale, Dur…ale, Bur…ale, Gur…ale, Vur…ale…

Mjaft, gati sa s’thirra me zë të lartë, duke shkundur kokën me vrull si për ta hequr mendjen nga ajo gjëagjëzë që më kishte kapluar si një sëmundje psikike. Ndërkaq, kur u duk se gjithçka u normalizua, dhe unë po kthehesha me një xhaketë tjetër për në shtëpi, truri im nisi përsëri të xhirojë pa vetëdije, si një rrotë kamioni që xhiron në zall: Xhak…ale, Zak…ale, Bak…ale, Lak…ale, Tak…ale, Tuk…ale, Puk…ale, Duk…ale… S’kisha venë re se, duke ecur trotuarit kuturu, pa dashur isha përplasur me një fëmijë të vogël dhe e kisha rrëzuar për tokë. - Ku e keni mendjen? - thirri dikush.

I shqetësuar e ngrita fëmijën nga vendi dhe i shkunda pluhurin. Prane meje mbërriti me shpejtësi një nuse e re e cila më pa me inat të përmbajtur, ndërsa fëmijën e qëlloi me shpullë. Unë vazhdova rrugën anës bulevardit, indiferent. Një i njohuri im i vjetër kishte ndalur në trotuar dhe më vërente me habi.

©Sulejman Mato