Letërsi

Gabimi - Nga Ilirian Zhupa

Sikur të kisha fjetur në rregull pas perëndimit të diellit,

Sikur të kisha ndenjur në vendlindje më afër qiellit;

Sikur të isha zgjuar nën dritën me vesë të agut,

Sikur të kisha ndjekur thirrjen e vjetër të gjakut;

Sikur mos të mbushja mushkritë me blozë miniere,

Sikur mos të ulja qafën nën telvig karriere;

Sikur mos të kisha bërë miq sekserë e politikanë,

Sikur mos të isha helmuar nga premtimet kallpe që dhanë;

Sikur mos të kisha pirë alkoolin në trishtime dhe dasma,

Sikur mos të isha tunduar nga dashuritë e gjasmëta;

Sikur mos t’i lodhja sytë me libra kaq shumë sa i lodha,

Sikur mos të isha djegur nga dhimbjet për ata që përcolla;

Sikur të nderoja pasurinë siç nderon gjethet pema,

Sikur të mbushja shtëpinë me paret e blerta, të allta, të verdha;

Sikur të çfarosja pyjet për të gëzuar qejfet më mirë,

Sikur të thosha është ditë edhe kur ish errësirë;

Sikur të kisha në shtëpi jo hartë Shqipërie, po vetëm sepete,

Sikur një copë lumi, deti e toke t’i vidhja për vete; 

Sikur të mos tymosja duhanin kaq shumë nga trishtimi,

Sikur të isha apostull hileje, kurvërie, harbimi...

Mbase do kisha patur një fat të artë...

Po unë jam dhe do të jem gabimi

Edhe sikur të lindja prapë....

©Ilirian Zhupa - Qershor 2015

Nga libri “Të gjallë dhe të vdekur”, Botimet Toena