Kronikë familjare - Nga Sulejman Mato
Pas vdekjes së nënës e gjithë dhimbja jonë kaloi në një përkushtim të kujdesshëm ndaj babait. Meqë ai qysh ditët e para, nuk pranoi të banonte tek një nga vajzat, ose tek një nga katër djemtë, menduam të ndërtonim një grafik javor, ku secili prej nesh detyrohej që, një ditë në javë të përkujdesej për babanë. E mërkura më takonte mua. Kështu që, atë mesditë, si zakonisht, unë u shkëputa nga puna, rreth një orë, për t’u kujdesur për babanë. Dera e apartamentit ku banonte ai, në katin e dytë të një ndërtese nëntëkatëshe, në qendër të qytetit nuk kishte nevojë për çelës. Mjaftonte ta shtyje derën lehtas dhe hyje në korridorin e ngushtë, nga ku shikoje krevatin e babait.
Shtëpia pa çelës quhej shtëpia e prindërve tanë dhe kur jetonte mamaja. Në atë kohë shtëpia e prindërve ishte shndërruar në një shtëpi pritjeje, nga mëngjësi në darkë, jo vetëm për ne fëmijtë, por edhe për miq, të afërm e bashkëfshatarë. As pas ikjes së mamasë asaj shtëpie nuk iu vu lloz asnjëherë. E vizitonin rregullisht dy motrat, dhe ne katër djemtë, herë me fëmijët për dore, herë vetëm, dhe jo vetëm ne, vinin dhe miq, kushërinj e bashkëfshatarë, për ta vizituar babanë tonë, i cili ishte i lidhur shumë me fshatin, me shokë, kushërinj e bashkëfshatarë. Atë mesditë, kur shtyva derën e apartamentit sa hyra në korridor e pashë babanë të mbledhur kruspull, në krevatin e tij, me shikim të përqëndruar në tavan. Për një çast më zuri frika. Vetëm kur ktheu kokën dhe më buzëqeshi u qetësova.
-Baba. Si ke qenë? - e pyeta.
- Mirë.
Ishte një mirë e zvargur e pashpresë dhe dembele. Ishte një “mirë” që tregonte se ai nuk ishte aspak mirë. Një “mirë” si për të thënë jetoj akoma.
- Nuk ke dalë sot?
- Ç’të dal? - u përgjigj i sikletosur. Më kanë ikur të gjithë miqtë dhe shokët që kisha. Dal në rrugë dhe nuk shoh asnjë të njohur. Kanë shkuar në botën tjetër. Më duket sikur vetëm unë kam mbetur gjallë në këtë botë. Dhe unë. Vetëm për ca kohë. Sa të më vijë ora.
Bënte pauza të gjata. I zihej fryma. Pas çdo fjalie të shkurtër mblidhte frymë.
- Qenke bërë pessimist, - i thashë për ta qetësuar.
- Bënu po deshe dhe optimist, - shtoi ai. Ç’kuptim ka? E ka bërë vetë Zoti njeriun. Të rrojë sa duhet. Unë rrojta sa duhet. I mbusha tetëdhjetë e gjashtat. Nëna më ka ikur pa mbushur dyzet. Babai nuk i mbushi pesëdhjetë. Ime shoqe, domethënë jot ëmë, i mbushi shtatëdhjetë e tetë vjec. Unë këtë korrik mbusha tetëdhjetë e gjashtë. Ç’më duhet më të rroj? Dhe rrojtja ka një kuptim. Kur del. Takon një shok. Shkëmben një muhabet. Kthehesh në shtëpi. Ke gruan. E gjen drekën të shtruar. Bën një muhabet. Pyet për fëmijët. Fle gjumë rehat. Në shtëpinë tënde. Mendon që nuk i ke borxh asnjeriu. Ngrihesh me mendimin se do të bësh diçka, se je i nevoshëm për dikë. Unë ngrysem e gdhihem kot. Nuk jam i nevojshëm për askënd. Ja, më thuaj dhe ti, kësaj i thonë jetë?
Tani që mendoj për babanë ndjej keqardhje. Edhe pse e doja babanë, edhe unë shkoja aty, për hir të grafikut dhe për detyrën që kisha. Unë atëhere ishta dyzet e nëntë vjeç. Gati sa gjysma e jetës së tij. Kisha hallin e punës dhe të fëmijve të mi. Babai e ka kapërcyer lumin, - thosha me vete. - Ai tani ka nevojë vetëm për kujdesje. - Ne jemi në mes të lumit.
Ishte ajo ditë që ai, në bisedë e sipër, më pyeti për fëmijët e për punën. Më pas seç deshi të më thoshte.
- Dëgjo tani, - më tha. - Kam menduar prej kohësh të të them dicka. Unë ia ndëpreva fjalën.
-Baba, nuk kam kohë. - i thashë. - Nuk do të rri shumë. Erdha vetëm sa të të shoh.
- E mirë. Mirë. M’u duk sikur u mërzit pak ai. - Ju shihni hallet tuaja. Keni fëmijë për të rritur. Unë sot me nesër jam. Ju vini, më shihni që jam gjallë dhe kërcisni e ikni.
Më erdhi vërtet keq. Nuk mora vesh ku e kishte hallin. Kur po zbrisja shkallët pa ndonjë ngutje, mendova se çfarë ishte ajo gjë që ai kishte dashur të ma thoshte. Pse nuk kishte menduar t’ua thoshte të tjerëve, por kishte pritur rastin atë mesditë të ma thoshte mua? Pse nuk pata durimin ta dëgjoja? Pse të ma thoshte mua, ndërkohë që ai lidhjet më intime i kishte me motrat? Pse jo tre vëllezërve të tjerë? Pse, pse, pse… Me tre pse në mendje u nisa drejt punës sime. Atë ditë, por dhe shumë ditë të tjera, e kam sjellur ndër mend enigmën e asaj që im atë deshi të ma thoshte vetëm mua.
Një ditë, duke shkuar në punë, e pashë babanë të kalonte në anën tjetër të trotuarit. E vërejta me kujdes. Kishte blerë bukën e ditës dhe kthehej në shtëpi. Kishte një ecje të ngadaltë, të kërrusur dhe të mënjanuar. Nuk e di pse ngurova ta takoja. Dhe sikur ta takoja ç’t’i thoshja? Atëhere kështu mendoja, ndërsa tani që nuk e kam më mendoj që duhet ta takoja, see kisha shumë gjëra për t’i thënë. Herën e fundit që e takova ishte dita kur plasi bomba në supermarketin VEFA.
Sa hyra te dera dhe u përshëndeta me të, plasi bomba te VEFA. U drodhën pallatet…
- Rri, rri dhe ca, - m’u lut babai. Tani sa hyre…
- Jo, jo. Ika, - i thashë i alarmuar. E kam lënë të takohem me time shoqe në supermarketin e VEFA.
E lashë te dera. Më përcolli me lot në sy. Më ndoqi me shikim të përmalluar gjersa u zhduka poshtë shkallëve të pallatit.
Ajo ishte hera e fundit që e kam parë. Më vonë do të bisedoja me të, vetëm me fotografinë e vënë përsipër varrit të tij, në varreza. E kemi varrosur në një vend të qetë, larg varreve të tjerë dhe pranë varrit të nënës. Tani që varret janë bërë stivë, njëri mbi tjetrin, sa herë na ndodh të shkojmë në varreza, herë vetëm e herë me motrat dhe vëllezërit, varrin e nënës e gjejmë me vështirësi, ndërsa varrin e babait e gjejmë lehtësisht. Është në një distancë rreth 30 metra, në jug të varrit të nënës.
Varri i nënës ka një fotografi të ngrysur. Sa herë shkoj atje më duket sikur kërkon të më thotë dicka. Duket tepër e mërzitur. Ç’ti bësh motrës së vogël?! Atë fotografi ajo e pëlqeu dhe si më e përkëdhelura e saj, ajo vendosi t’ia vinim në pllakën e varrit, pas një viti, kur bëmë porosinë. Fotografia e babait është e qetë, pa ndonjë brengë. Ashtu siç ka qenë, gjatë gjithë jetës. Ishte një burrë i heshtur dhe i qetë, me sy të kaltër, me një mërzi kronike, i butë dhe i dhëmbshur.
Sa herë që shkojmë për ta parë e për t’i vënë një karafil tek koka, na duket sikur na sheh qetësisht. Ka një shikim disi të përhumbur. Ndryshe nga nëna që të pik shpirtin me atë shikim zhbirues, sikur, tashmë, edhe pse ndodhet në një botë tjetër, të duket sikur kërkon të dijë gjithçka ndodh në këtë botë. Sikur kërkon të na pyesë, a na janë rritur fëmijtë, çfarë hanë, me se vishen e si shkojnë në shkollë…
Kush e dinte që pas ikjes së babait do të iknin dhe dy vëllezërit e tjerë. Babai iku tetëdhjetë e gjashtë, im vëlla, i madhi, shtatëdhjetë, dy javë para se t’i festonim shtatëdhjetë vjetorin. Iku pa e marrë vesh fare. Shkoi në ambulancë të vizitohej nga që kishte disa ditë që i zihej fryma dhe s’u kthye më. Na thanë që iku nga zëmra. Në fakt ai nuk kishte vuajtur kurrë nga zëmra. Kishte disa ditë që ankohej për frymëmarrje.
Vëllai tjetër vdiq 69. Edhe pse ishte i fortë fizikisht, kishte vuajtur shumë në jetë i ziu. Gjithë jeta i shkoi arsimtar, fshatrave të Tiranës. As në pleqëri nuk qëndroi rehat. Ishte koha e kioskave. Si të gjithë të tjerët, edhe pse profesor i Biologjisë, hapi dhe ai një kisokë, pranë hotel “Mondial”, përballë shtëpisë botuese “Naim Frashëri”, pranë portës së shtëpisë të aktorit Lazër Filipi dhe shtëpisë së vjetër të aktorit Sheri Mita.
Iku, i ziu një ditë nëntori. Datën e 14 nëntorit e kam të fiksuar në memorie, pasi kjo ditë koincidon dhe me ditëlindjen e vajzës sime. Ishte pikërisht ai çast. Ne festonim datëlindjen e vajzës sime kur na erdhi lajmi i ikjes së tij. E varrosëm dhe atë shumë pranë varreve të prindërve. Dhe prindërit i kemi pranë varreve të prindërve të nënës. Aty nëna ka pranë jo vetëm të shoqin dhe dy fëmijët e mëdhenj, por edhe babanë e nënën e saj dhe tre vëllezërit, dhe motrën e ca kushërinj.
Sikur të ndodhte që në varreza shpirtrat e të vdekurve të dalin natën e bisedojnë midis tyre, nëna ka aq shumë njerëz të saj rreth e rrotull, sa nuk do ta merrte malli për ne. Ndërsa im atë, varrin e nënës, që e kishte në fshat, nuk e gjeti asnjëherë. Kur kishte vdekur ajo babai kishte qenë 12 vjeç. Varrin ia kishin bërë buzë një are pranë shtëpisë. Kaluan vite dhe atë copë are e kanë rrëmbyer shirat dhe e ka marrë një vijë uji. Kështu na kanë thënë ata të fshatit.
Babai kishte shkuar njëherë në fshat, për ta kërkuar. Kishte pyetur shumë vetë, por të gjithë i ngrinin supet. Qysh prej asaj kohe atij nuk i bëhej më të shkonte në fshat. Babanë e kishte pasur hoxhë, për një kohë të gjatë, në Vajzë të Vlorës. Atje ka vdekur dhe atje e kanë varrosur. As varrin e të atit nuk e kishte parë asnjëherë. Po pse t’jua them të gjitha këto tani që kam vajtur dhe unë në moshën e tij?
Tashmë më ka zënë dhe mua zakoni i babait. Rri dhe më kujtohen të gjithë të ikurit e mi. Herë babai, herë nëna, herë vëllai i madh e herë Kënua, herë hallë Merjemja, herë gjysh Ismaili, herë nënë Hadilekoja, herë dajko Naili, herë dajko Nafizi, herë Hamleti e Sheri. Shumicën i kemi në varret e Sharrës, të tjerë i kemi lart e poshtë, në Fterrë, në Sarandë.
Tani që pothuaj kam shkuar dhe unë në moshën e ikjes së mamasë, rri, rri, dhe nis t’i kujtoj të gjithë, me radhë. Sa herë që kujtoj babanë më shkon në mend çasti i fundit, kur më ndoqi pas duke më thënë: “Rri dhe pak…” Dhe ai çasti tjetër, i cili më ka mbetur në mendje, kur më tha: Kam kohë që kam menduar të të them diçka”.
Vërtet, çfarë të ishte ajo gjëja që nuk mundi të ma thoshte dot sa qe gjallë? Nëse ka botë tjetër dhe takohemi sërish në atë botë, të parën gjë që do të bëj pasi ta takoj, do ta pyes. Se më ka mbetur enigmë. Po dhe sikur… A do t’i kujtohet se çfarë kishte ndërmend të më thoshte dhe, a ekziston kujtesa në atë botë?
© Sulejman Mato











