Letërsi

Plazhi nudo - Tregim nga Sulejman Mato

(Kushtuar poetit Pano Taçi)

Sportelisti i hotel “Albatros”, një nga hotelet më të bukura të Ulqinit, i ngritur mbi një kodër, rrethuar me pisha, sa na pa duke hyrë me çanta në duar, na buzëqeshi përzemërsisht: “Urdhëroni! Jeni të mirëpritur!... Ja çelësat. Dhoma 104, kati i shtatë. Ju kemi dhënë një dhomë me pamje nga deti”.

Ishim dy poetë të ftuar nga Shqipëria në takimin e poetëve ballkanikë që zhvillohej në kalanë e Ulqinit me shtëpitë kulla, të stilit venecian. U ngjitëm lart me ashensor, hymë në një dhomë   plot dritë dhe flakëm çantat mbi krevate, duke në këtë mënyrë dhe zgjedhjet tona. Kur dola në ballkon pata ndjesinë që ndodhesha në Sarandë. Ngjashmëria midis dy qyteteve bregdetare më krijoi një gjendje lumturie të heshtur.

Miku im, Sandri, që ato ditë do të festonte pesëdhjetëvjetorin e lindjes, ishte tepër i emocionuar. Shtatë vjet i kishte tretur nëpër burgjet e Shqipërisë, kishte dalë shëndoshë e mirë me amnistinë e vitit 1982. Nga vitet e burgut ai mbante mend vetëm gjashtë muajt e hetuesisë. Mustaqet e prera spic si të Hitlerit, i kishte në kujtim të atyre ditëve të frikshme hyr e dil nga biruca në zyrën e hetuesit, duke dëgjuar të njëjtin refren: “Me kë ishit atë natë?  Çfarë të tha, çfarë i thatë? Po ai? Po ajo? Po ky? Po kjo? Si doli nga burgu, mësoi të fliste pak dhe të shihte punën e vet si dizenjator te mjetet mësimore. Ishim nisur nga Tirana në orën tetë dhe në mesditë kishim përfunduar në atë liman paqeje dhe qetësie, nën zagushinë e ditëve të gushtit.

Sandri zbriti në verandën e hotelit, unë ndeza televizorin e dhomës, riti im i zakonshëm për të parë lajmet. Më pas zbrita edhe unë. E kërkova Sandrin në verandën ku shërbeheshin pije freskuese dhe te kafja e madhe. Ndërkohë, sportelisti i hotelit ma bënte me dorë: “Atë shoçin e keni në plazh”.  Zbrita rrugës me asfalt, qarkuar me pisha bregdetare, te një tabelë e shtrembëruar, e ngritur buzë rrugës. Me ca germa shkarravinë, në atë tabelë ishte shkruar: “Plazh nudo”. Nudo në Ulqin?! A thua ta gjeja atje Sandrin? Edhe pse nga dhoma doli pa rrobat e banjës, do të ishte bërë kureshtar për të parë femra nudo. U josha edhe vetë nga një përfytyrim lakuriqësie. Nuk kisha parë kurrë një plazh me plazhistë që laheshin lakuriq, gra dhe burra. Pa të zbres të shoh ç’bëhet atje poshtë, - mendova.  Kureshtar dhe me një ndjenjë turpi, rrëshqita përmes një tërthoreje të mbuluar me pisha të reja. Papritur m’u lëbyrën sytë nga një ndriçim i fortë dielli përzier me miliarda luspa deti. Mbi pjerrësinë e pllakave verbuese vegjetonin qenie njerëzore që në pamje të parë u ngjanin fokave.

Sandri po më buzëqeshte nga një zgavër uji llokoçitëse duke ma bërë me dorë. Kapërceu midis fokave me ca lëvizje djaloshare dhe më erdhi pranë: - Zhvishu shpejt, - më tha gjithë gjallëri. - Uji është i shkëlqyeshëm!? 

Sikur e kisha hallin te temperatura e ujit unë.

- Këtu të gjithë lakuriq janë, - tha.

Ndërkohë se nga u shfaq një pallosh i gjatë i cili me një shqipe copë-copë, më qortoi zëulët: “Nëse s’ keni ndër mend të hiqni të mbathurat, largohuni!” Hodha një shikim rreth e rrotull dhe vura re që askush nuk e kishte mendjen tek unë. 

- Mësohesh. Dëgjomë mua, - më fliste te veshi Sandri. - Vetëm në fillim të bën përshtypje. Ja, shihi të tjerët”.

Edhe pse askush nuk u tregua kureshtar për lakuriqësinë time, nuk ndihesha mirë. Dhe ai, Sandri, ku e gjeti vendin dhe kohën për të më treguar histori me burg. Imagjinoni dy njerëz lakuriq që bisedojnë për jetë burgjesh ndanë llokoçitjeve të valëve, pranë dy grave të bëshme dhe një vajze brune që... s’ më lë etika t’jua përshkruaj me gjithçka me sytë e mi në ato çaste. Veshët te fjalët e Sandrit e në të tjera hapësira. Nuk kishte asgjë për t’u çuditur, nëse ca qenie njerëzore ishin kthyer në epokën e Adamit dhe të Evës. Ja kështu, Adami me Evën do të jenë shtrirë lakuriq, pranë madhështisë së detit. 

- A e di që hetuesi im, në një nga seancat më ka lexuar një poezinë tënde? - tha Sandri, ndërsa kisha përhumbur shikimin në sfondin e mjegullt të detit. Si janë njerëzit! Këmbët në det e mendjen njëzet e pesë vjet të shkuara

Kalaja e Ulqinit të dukej sikur hyje në mesjetë. Ato çaste të paharruara, kur ne u ngjitëm në skenë njëri pas tjetrit, për të deklamuar poezitë tona, unë i përcolla me një ngazëllim të veçantë. Ne ishim ambasadorët e parë të asaj miqësie që kishte nisur të lulëzonte midis shteteve ballkanike. Fillimisht në skenë u ngjit Sandri.  Kishin marrë vesh që kishte bërë tetë vjet burg dhe ishte poet disident. Sandri deklamoi një poezi me burg, kinse e kishte shkruar në qeli. Më pas nuk e pyeta nëse deshi të na mashtronte të gjithëve atë natë për t’u bërë dhe më i lavdishëm. Unë deklamova një poezi me kufij shtetesh. Më pas në skenë u ngjit një poeteshë nga Kosova, veshur me ngjyrat e flamurit, kuq e zi, bionde, e shëndetshme, e gjallë dhe e çlirët. Ajo deklamoi një vjershë dashurie.  Më pas në skenë u ngjit një poet serbo-malazez, i gjatë sa s’bëhet. Ai deklamoi një poezi të rimuar me katër vargje. Vargu i dytë me të katërtin rimonin me fjalët: “merd” dhe smjert”. Nga të gjithë poetët dhe poeteshat e asaj mbrëmjeje, vëmendjen ma tërhoqi poetesha nga Shkupi. Ajo u ngjit në skenë me frikë, kishte mbështjellë flokët me një shami ngjyrë vjollcë.

Mbas darke ishim ftuar të gjithë në restorant “Albatros”. Surpriza e asaj mbrëmjeje të paharruar ishin sërish dy poeteshat, me të cilat na ra shorti të darkonim së bashku. Bjondja nga Prishtina erdhi e veshur krejt ndryshe, ndërsa poetesha nga Shkupi nuk e kishte ndryshuar veshjen. Qysh në prezantimin e parë unë e kuptova që dy poeteshat kishin mendësi të ndryshme për jetën. Poetesha e mbështjellë me shami, e cila erdhi dhe m’u ul pranë me një mirësjellje të heshtur, studionte për teologji. E quanin Lule. Fliste pak. Parapëlqente biseda serioze. Poeteshën prishtinase e quanin Mediha, shkurt Medi.  Jepte lëndën e letërsisë në një gjimnaz. Ishte ndarë nga i shoqi prej gjashtë vitesh dhe jetonte e vetmuar, në një apartament, së bashku me dy vajzat gjimnaziste.

Më pas, kur Sandri nisi të tregojë një anekdotë banale, ajo ia krisi gazit me zë të lartë. Në sektorin e anekdotave Sandri e ndiente veten zot të tavolinës. Tregoi edhe një të dytë, më banale se e para, dhe një të tretë... Ai tregonte ajo kukuriste me lot. Unë e pyeta Lulen se si e përfytyronte ajo zotin. “Zoti është një inteligjencë supreme brenda nesh. - tha ajo. - Nuk i fshihesh dot. Vetëm asaj nuk i fshihesh dot”. Nuk e kuptova dot, pse në fillim shqiptoi Zotin (mashkull) e më pas tha “asaj”? Të ishte fjala për “inteligjencën supreme”? Veç për t’i bërë qejfin, unë i tregova asaj disa vargje nga “Ajeti Qyrsia” të cilat më ishin ngulitur në mend qysh nga fëmijëria. Fillimisht u befasua, më pas qeshi me gjithë zemër.  Duhet t’i kisha shqiptuar fjalët gabim. Atë mbrëmje patëm ç’të bisedonim. Për ta përzier bisedën me çiftin gazmor, unë i tregova Medit historinë e plazhit nudo.

- Ani, - pohoi Medi natyrshëm. - Në atë çast unë isha në plazhin nudo të grave.

-  Ka plazh për gra? - shprehu habinë Sandri.

- A ke qejf me na pa? - e ngacmoi ajo.

- Si jo... - Do të të kisha ftuar me gjithë qejf, por, s’lejohen meshkujt.

- Atëherë më fto në dhomën tënde.

Nuk e di si ia dha mendja t’i kapërcente kufijtë e një shakaje.  Po Medi bënte shaka edhe më të rënda.

- Kur të dush ..., - ia ktheu qetësisht. - A do qysh sonte?

Për një çast u bë një pauzë. Unë ktheva sytë nga Lulja. Më mirë që dialogu i tyre nuk kishte mbërritur në veshët e saj.

- Po më provokon? -  pyeti Sandri.

- Aspak! - ia ktheu qetësisht dhe e sigurt ajo. - Ti e meriton një natë të tillë. Poet disident... Kushedi sa duhet të kesh vuajtur në burgjet e komunizmit.

- Fitove! - i tha ai, duke e konsideruar këtë përgjigje një tërheqje taktike.

Pas mbrëmjes, kur dy mikeshave tona u thamë “natën e mirë”, u befasuam që edhe dhomat e fjetjes i kishim pranë. Sandrit s’i rrihej në dhomë.

- Po dal të bëj një shëtitje anës detit, - tha, por më pas ndërroi mendje. Doli në ballkon. Kishte blerë një paketë “Slims”. Ai që s’kishte haber si mbahej cigarja, nxori një fije dhe e vuri në buzë. Pas tij dola dhe unë në ballkon. Ishte një ballkon lozhë.

- Sa femër e lezetshme. E pe si më provokoi? 

- Ajo të bëri një propozim, - i thashe une. I ndritën sytë.

* *  *    

Kishte kaluar mesnata Bisedonim me dritë të fikur. Nuk na zinte gjumi. Sandrin e kishte kapluar nostalgjia e ndarjes me me të shoqen, një vajzë e pashkollë nga Elbasani. Kishte dy vajza të martuara, të dyja në emigracion. Ato ishin të lidhura shumë me të ëmën dhe asnjëra nuk kujtohej ta merrte në telefon. Pas burgut kishte tentuar disa herë të martohej, por nuk kishte gjetur njeriun e duhur. 

- Si të duket Medi?

 Pyetja e tij mu duk e befasishme

-Po shkon ca si larg, - i thashë. Lulja po, ajo ia vlente. Vajzë serioze, inteligjente, shkruante poezi... Mund të ishte vërtet një shoqe jete. Brenda veshjes së saj prej besimtareje duhet të fshiheshin hiret e një femre të jashtëzakonshme. Kjo ide ma nxiti dhe më tepër dëshirën për të menduar se ç’fshihej poshtë të linjtave të saj. Ashtu e zhveshur nuk di pse më ngjasoi me tezen time të vogël...

Me ndjesinë që e krijon vetëm prania e detit, u zgjuam të dy atë mëngjes. Zbritëm poshtë dhe u futëm në restorant. Poeteshat kishin zbritur para nesh dhe na prisnin. Porositëm gjërat e zakonshme mëngjesore. Imtësitë tona të atij mëngjesi u ngjanin imtësive të çifteve të dashuruara të cilët ia marrin fjalën nga goja njëri-tjetrit.

- Do të shkojmë sërish në plazhin tonë? - i bëra Sandrit një pyetje të paramenduar.

- Unë po, - nxitoi të përgjigjej Medi.

- Eva para Adamit rrinte gjithë frikë, - nisi të arsyetoje Medi, - edhe pse trupin e kishte mbuluar me gjethe fiku.

- Kush i ka parë, - ndërhyri Sandri.

- Sidoqoftë, nudizmi kolektiv është një shfaqjez, - ndërhyra unë në mbrojtje të shoqes sime.

Lulja nxori nga çanta e saj prej lëkure të zezë dy librat e saj me poezi, njërin ma la mua mbi tavolinë, me përkujdesje, tjetrin ia zgjati Sandrit me mirësjellje. Sandri e shfletoi nxitimthi, lexoi dedikimin dhe e falënderoi. Medi na i kishte dhënë librat qysh natën e parë. Atë mëngjes Medi kishte veshur një bluzë sportive ngjyrë portokalli, ngjante si fanse e skuadrës holandeze.

Lulja, me atë shaminë e mëndafshtë ngjyrë vjollcë, më kujtonte nënën time me shami, të ulur paksa mbi ballë.

Dolëm nga restoranti dhe menduam të bëjmë një shëtitje të shkurtër. Medin dhe Sandrin i lamë të na parakalonin, gjersa na humbën nga sytë. Në mesditë i pritëm në restorant “Albatros. Në ato çaste Sandri më dha lajmin më të çuditshëm.

- Medi më ka ftuar të shkoj në Kosove.  Eshtë e çlirët dhe inteligjente. Le që ka qejf gatimin... Ta dish ti sa më janë neveritur restorantet. Më ka marrë malli të ha njëherë gjellë shtëpie.

 *  *  * 

Medi erdhi në mbrëmje e veshur me një bluzë dekolte ngjyrë vishnjë dhe pantallona ngjyrë veje. I rrinin ngjitur pas trupit. Flokët ngjyrë kashte i kundërmonin erë shampo.   Lulja, e heshtur dhe e trishtuar, dukej si një lule e këputur nga kopshtet e bukura të “Bahçe Sarajit”. Atë mbrëmje Sandrit i kishte hipur nuri i një dhëndri të vonuar. Cigaren e mbante në mënyrë demonstrative, në dy gishtat e dorës së majtë, si një djalosh që provon për herë të parë të thithë nikotinë. E nxirrte tymin shtëllunga-shtëllunga, për qejf të vet.

Në çastin që po binim në ujdi për të darkuar në një restorant luksoz pranë detit, se nga na erdhi nje djalosh me mjekër të kuqërremtë, dredha-dredha. Lulja, sa e pa, u ngrit në këmbë.

- Njihuni, - tha, - ky eshte i fejuari im.

Pranisë së tij të papritur Sandri me Medin nuk i dhanë rëndësi, ndërsa për mua ky njeri ishte një e papritur zhgënjyese. Çfarë t’i kishte pëlqyer këtij njeriu, mendova. Besimi i përbashkët tek “inteligjenca supreme” ishte futur thellë në shpirtin e saj, që me makth dhe frikë, do ta shoqëronte gjatë gjithë jetës. Lulja u nda prej nesh qysh në atë çast, ndërsa Medi me Sandrin nuk e prishën planin.

Gjatë gjithë asaj nate me një hënë të trishtuar ulqinake unë përdridhesha e përdridhesha në krevat i shqetësuar. Në çaste të tilla ngushëllimi im i vetëm janë përfytyrimet. Nëse dikush nga ju do të më kërkonte të zgjidhja një nga të dyja, o kujtesën, o përfytyrimin, unë pa dyshim do të zgjidhja përfytyrimin. Dhe a e dini pse? Se kujtesa i përket së kaluarës, ndërsa përfytyrimi i përket së ardhshmes. Përfytyrimi të jep krahë, të bën të lirë, përfytyrimi të largon mërzinë dhe trishtimin.   Përse të udhëtoni në Madrid, në Berlin, në Persi, në Kinë, në Polin e Veriut? Kudo që të gjendemi s’do të jemi gjëkund tjetër veç brenda ndjesive tona.

Në atë çast unë e ftova Lulen në dhomën time plot dritë hëne. Në ato pak çaste të lumtura përfytyrimi, ajo më dha çka s’do të guxonte kush ta përjetonte as në ëndërr. O krijesë hyjnore përfytyrimi, Ti ndez orë e çast ndjesitë tona të tulatura dhe shfryn nëpër ditë ndjesitë tona të plagosura.

Të nesërmen në mëngjes rrugët tona do të ndaheshin. Sandri me Medin do të niseshin për në Prishtinë. I ndoqa me sy kur hipën në autobusin e linjës, u ulën në vendet pas shoferit dhe më përshëndetën me dorë. Ngjasonin me një çift që nisej drejt muajit të mjaltit.

© Sulejman Mato